
Ibrahimaj: Dëmet ndaj bizneseve nuk përfaqësojnë studentët
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ishte sot në zonën e “Zogut të Zi” në Tiranë, ku pa nga afër dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve gjatë protestave të dhunshme.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj ishte sot në zonën e “Zogut të Zi” në Tiranë, ku pa nga afër dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve gjatë protestave të dhunshme.
Gjatë vizitës në terren, Ibrahimaj dënoi aktet e shkatërrimit, duke deklaruar se ato nuk përfaqësojnë kërkesat e studentëve, por dëmtojnë pronën, punën dhe ekonominë e vendit.
“Kam ardhur te “Zogu i Zi” për të dokumentuar dhe për të parë nga afër dëmin që u është bërë bizneseve nga protestat. Nuk janë studentë ata që duan të shkatërrojnë qytetin. Nuk janë studentë ata që duan që mundi dhe djersa e prindërve të shokëve dhe shoqeve të tyre të dëmtohet dhe të shkatërrohet”, u shpreh ministrja.
Ibrahimaj u shpreh se pas protestave qëndrojnë interesa që synojnë të pengojnë përparimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.
“Është e njëjta dorë që ka dashur që Shqipërinë ta lërë mbrapa. Është e njëjta dorë që ka shkatërruar shumë herë këtë vend. Por kësaj radhe, ndryshe nga herë të tjera, me ndihma të huaja, të cilat nuk duan që Shqipërinë ta fusin në Bashkimin Evropian, nuk duan që Shqipëria të përparojë”, deklaroi Ibrahimaj.
Ministrja u bëri thirrje bizneseve të prekura që të evidentojnë dhe dokumentojnë dëmet e pësuara dhe t’i adresojnë pranë Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, në mënyrë që çdo rast të vlerësohet dhe të ndiqet në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.
Ajo theksoi se pas çdo biznesi ka punonjës dhe familje që mbështeten tek aktiviteti i përditshëm ekonomik.
“Pas çdo biznesi ka njerëz, vende pune dhe familje që mbështeten te puna e përditshme”, përfundoi ministrja.
Burimi ATSH



















