
TUMO në Kamzë, qendra e parë jashtë Tiranës për të rinjtë 12-18 vjeç
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha sot se nisma po zhvillohet në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), bashkinë e Kamzës dhe TUMO Piramida.

Programi TUMO, që u ofron të rinjve mundësi për të mësuar teknologjinë dhe për të zhvilluar aftësi krijuese e digjitale, do të shtrihet edhe në Kamzë, ku do të ngrihet qendra e parë satelitore jashtë Tiranës.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj tha sot se nisma po zhvillohet në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), bashkinë e Kamzës dhe TUMO Piramida.
Qendra do t’u shërbejë të rinjve të moshës 12-18 vjeç, duke u krijuar mundësi të mësojnë dhe të zhvillojnë aftësi në fushën e teknologjisë, programimit dhe krijimtarisë digjitale, përmes programeve praktike dhe punës së pavarur.
“Qëllimi është që të rinjtë të zbulojnë interesat dhe talentet e tyre, të fitojnë njohuri të reja dhe të përgatiten më mirë për profesionet e së ardhmes.
Pas Kamzës, programi synon të shtrihet edhe në Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Elbasan, për t’u dhënë mundësi më shumë të rinjve jashtë kryeqytetit të përfitojnë nga edukimi teknologjik”, u shpreh ministrja.
Zgjerimi i TUMO-s synon të afrojë edukimin teknologjik me të rinjtë në qytete të ndryshme të vendit, duke nxitur zhvillimin e aftësive digjitale dhe krijuese që po marrin rëndësi gjithnjë e më të madhe në tregun e punës.
Burimi ATSH


















