Hoxha: Evropa nuk është destinacion, por shtëpi, nuk kemi plan tjetër

Integrimi evropian i Shqipërisë nuk është çështje e një grupi personash apo institucionesh, por një proces ku duhet të kontribuojë çdo qytetar, parti politike dhe zyrtar në nivel vendor apo qendror, deklaroi sot ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.


Integrimi evropian i Shqipërisë nuk është çështje e një grupi personash apo institucionesh, por një proces ku duhet të kontribuojë çdo qytetar, parti politike dhe zyrtar në nivel vendor apo qendror, deklaroi sot ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha.

Duke folur në Konferencën Ndërparlamentare “Agjenda strategjike për zgjerimin e BE-së dhe anëtarësimin e Shqipërisë”, Hoxha tha se zgjerimi i Bashkimit Evropian nuk duhet parë vetëm nga këndvështrimi teknik, por edhe si një projekt politik dhe gjeopolitik.

Duke cituar Jean Monnet, ministri tha se “njerëzit pranojnë ndryshimin vetëm kur përballen me nevojën dhe e njohin nevojën vetëm kur u vjen kriza”.

Sipas Hoxhës, zhvillimet e viteve të fundit kanë treguar rëndësinë e dimensionit politik dhe të sigurisë të procesit të zgjerimit.

“Projekti i BE-së dhe i zgjerimit është edhe një projekt politik, është nevojë gjeopolitike dhe tani nuk duhet të jetë ndryshe. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për të qenë proaktivë, se ka të bëjë me paqen, me sigurinë, me stabilitetin, me rezistencën dhe me të ardhmen tonë të përbashkët”, u shpreh ai.

Hoxha theksoi se zgjerimi nuk lidhet thjesht me rritjen e numrit të vendeve anëtare të BE-së, por me investimin në sigurinë e përbashkët.

Duke iu referuar luftës në Ukrainë, ministri tha se agresioni rus ka treguar se paqja dhe siguria nuk mund të merren si të mirëqena.

“Një Evropë e paplotë është një Evropë e dobët”, deklaroi Hoxha, duke nënvizuar se zgjedhja evropiane e Shqipërisë është një vendim strategjik kombëtar dhe jo rezultat i rrethanave apo leverdisë politike.

“Evropa nuk është destinacion për ne, Evropa është shtëpi dhe duam të kthehemi në shtëpi”, u shpreh ministri.

Hoxha tha se Shqipëria nuk kërkon favore apo rrugë të shkurtër në procesin e anëtarësimit, por një proces të drejtë, të besueshëm dhe të bazuar në merita.

“Ne nuk kërkojmë favore as rrugë të shkurtër, ne kërkojmë një proces të drejtë, të besueshëm, të bazuar në merita, që vlerëson progresin dhe që partnerët ta vlerësojnë progresin tonë”, tha ai.

Sipas tij, parimi i meritës është thelbësor për kredibilitetin e procesit të zgjerimit dhe duhet të mbetet baza e tij.

Hoxha theksoi se Shqipëria synon të mbyllë sa më shumë grup-kapituj këtë vit dhe ka ambicie për përfundimin e të gjithë grup-kapitujve deri në fund të vitit të ardhshëm.

Megjithatë, ai nënvizoi se procesi nuk mund të reduktohet vetëm te një datë në kalendar.

“Anëtarësimi nuk ka të bëjë thjesht me të arrish një datë në kalendar. Kjo do të thotë të rrisësh nivelin e gatishmërisë, në mënyrë që të jemi gati për projektin e Evropës që nga dita e parë”, u shpreh Hoxha.

Ministri tha se fokusi tashmë duhet të jetë te zbatimi i reformave dhe te ndikimi i tyre konkret në jetën e qytetarëve.

“Ne negociojmë në Bruksel, takimet zhvillohen në Bruksel, por reformat bëhen këtu, ndodhin këtu për njerëzit dhe për vendin. Nëse reformat nuk ndihen nga qytetarët, atëherë procesi bëhet abstrakt”, tha Hoxha.

Sipas tij, synimi është që reformat të ndihen në çdo qytet dhe komunitet përmes shërbimeve më të mira, mbrojtjes më të fortë për të rinjtë, një ekonomie më konkurruese dhe standardeve më të larta të mirëqenies.

“Ky është kuptimi i vërtetë i procesit të aderimit për ne”, u shpreh ministri.

Hoxha nënvizoi gjithashtu rëndësinë e përfshirjes së të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian, duke theksuar se vendet që kanë vullnet për t’u bashkuar duhet të kenë mundësinë të ecin përpara.

Ai vlerësoi idetë për integrimin rajonal dhe për ritme të ndryshme të procesit si të rëndësishme, duke theksuar nevojën për një kuptim praktik të tyre dhe për lidhje të drejtpërdrejtë të vendeve të rajonit me BE-në.

Në përfundim, ministri Hoxha tha se angazhimi i Shqipërisë për procesin e integrimit evropian është i pakthyeshëm.

“E ardhmja e Shqipërisë është në BE, sepse ky është plani A, B, C, D. Nuk ka plan tjetër. Ne nuk duam, nuk kërkojmë dhe as nuk kemi plan tjetër”, deklaroi Hoxha.

Ai shtoi se reformat do të vijojnë jo vetëm për përparimin drejt BE-së, por edhe për zhvillimin e vetë Shqipërisë dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.

“E ardhmja e një BE-je më të sigurt, më të plotë përfshin Shqipërinë”, përfundoi Hoxha.

Marrë nga ATSH

Zbardhen diskutimet në Këshillin e Sigurisë për çështjen Hyseni, Presidenca jep detajet!

Presidenti Bajram Begaj ka thirrur këtë të hënë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku në fokus kanë qenë zhvillimet…

Global 360

Ana Brnabiç presidentja e përkohshme e vendit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, dha dje në mbrëmje dorëheqjen

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Pas vetingut, sfida është konsolidimi i institucioneve të drejtësisë

"Drejtësia shqiptare ndodhet pikërisht në këtë pikë të rrugës"

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Zbardhen diskutimet në Këshillin e Sigurisë për çështjen Hyseni, Presidenca jep detajet!

Presidenti Bajram Begaj ka thirrur këtë të hënë mbledhjen e Këshillit të Sigurimit Kombëtar, ku në fokus kanë qenë zhvillimet…