
Rama fton magjistratët: Tryezë e përbashkët për zgjidhje afatgjatë për sistemin e pagave
Kryeministri Edi Rama ftoi sot përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor për t’u ulur në një tryezë të përbashkët pune për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Kryeministri Edi Rama ftoi sot përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor për t’u ulur në një tryezë të përbashkët pune për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Kuvendi miratoi dje ndryshimet në ligjin “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, që i jep zgjidhje pagave të magjistratëve, ligj që u kundërshtua nga institucionet e pushtetit gjyqësor dhe opozita.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se zgjidhja duhet të garantojë përgjithnjë magjistratët, por po ashtu edhe ekuilibrin e gjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave.
Kryeministri theksoi po ashtu se tryeza do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Eficiencën e Drejtësisë.
Më poshtë reagimi i plotë i kryeministrit Rama:
“Uroj dhe besoj që përfaqësuesit e pushtetit gjyqësor, që nga drejtuesit e dy këshillave dhe me radhë drejtuesit e institucioneve të gjyqësorit, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesës për t’u ulur së bashku në një tryezë pune pa humbur kohë, e për të adresuar temën e sistemit të pagave të magjistratëve në funksion të një zgjidhjeje të qëndrueshme afatgjatë, e cila i garanton ata përgjithnjë po njëkohësisht garanton edhe ekuilibrin e përgjithëhershëm të piramidës shtetërore të pagave.
Tryeza jonë do të mirëpresë edhe pjesëmarrjen e ekspertëve të Këshillit të Europës, si edhe kontributin e Komisionit Europian për Efiçencën e Drejtësisë.
Magjistratët e Shqipërisë nuk duhet ta harrojnë se shkalla e tyre deri dje e paimagjinueshme e pavarësisë dhe trajtimi i tyre me pagat më të larta në Republikën e Shqipërisë dhe ndër më të lartat në rajon, nuk ranë nga qielli, po mbajnë vulën e vullnetit të kësaj shumice qeverisëse, e cila nuk do konflikt me gjyqësorin po bashkëveprim institucional, në respekt të pavarësisë së ndërsjellë.
E nëse kemi mosdakordësi, na takon t’i trajtojmë me urtësi dhe durim duke dhënë një shembull dinjiteti shtetëror për qytetarët tanë e njëkohësisht edhe për partnerët e Shqipërisë”.


















