
92 mijë turistë vizituan Apoloninë, zgjerohet harta e turistëve të huaj
Apolonia është destinacion i çdo stine, por vera shënon fluksin më te lartë të turistëve.

Apolonia është destinacion i çdo stine, por vera shënon fluksin më te lartë të turistëve.
92 mijë turistë kanë vizituar nga janari deri në gusht, Parkun Arkeologjik të Apolonisë, duke shënuar rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Harta e turisteve është zgjeruar nga çdo skaj i botës por kryesojnë europianët.
“Po ta krahasojmë me vitin e kaluar kemi një rritje prej 5%. Ka turistë nga e gjithë bota, përveç Koresë së Veriut. Më të shumtët janë europianë”, tha për Report Tv, përgjegjësi i Muzeut, Admir Xhelaj.
Brenda Manastirit gjendet muzeu arkeologjik, ku ka objekte të shumta të zbuluara gjatë ekspeditave arkeologjike.
Gjate kësaj periudhe edhe ekspeditat kanë qenë aktive me zbulime të reja. Prej një viti në kuadër të projektit shqiptaro-francez, për termat romake është gërmuar në një sipërfaqe prej 1000 metrash katrorë, ndërkohë që projekti shqiptaro-gjerman do të vijojë gërmimet në tempullin e Shtyllasit.
“Janë gjetur fragmente mermeri që visheshin muret, dyshemetë. Pra ka qenë një monument shumë luksoz për kohën. Fragmente kornizash, dekorimesh. Ka qenë shumë interesante dhe është gati 1000 m2 monument. Kanë për ta zbuluar plotësisht këtë tempull, është një projekt në vijim”, tha mes të tjerash Xhelaj.
Me vlerat historike që mbart Apolonia mbetet një dëshmi e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore dhe një magnet i fuqishëm për turizmin.
Marrë nga ATSH



















