
Xi Jinping: së bashku për një botë më të mirë
Në këto dy ditë Bishkek, kryeqyteti i Kirgizistanit u shndërrua në një nga qendrat kryesore të politikës botërore. Në 31 gusht dhe 1 shtator 2026 u zhvillua këtu, takimi i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh).

Nga Prof. Dr. Enriko Ceko
Në këto dy ditë Bishkek, kryeqyteti i Kirgizistanit u shndërrua në një nga qendrat kryesore të politikës botërore. Në 31 gusht dhe 1 shtator 2026 u zhvillua këtu, takimi i Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh).
Organizata e Bashkëpunimit e Shangait u krijua në vitin 2001, fillimisht si një mekanizëm bashkëpunimi për sigurinë në Azinë Qendrore dhe tashmë ka evoluar në një organizatë shumë më të gjerë, me 10 shtete anëtare, që janë: Kina, Rusia, India, Pakistani, Irani, Kazakistani, Kirgizistani, Uzbekistani, Taxhikistani dhe Bjellorusia, një hapësirë gjigante për nga territori (36 milionë km²), popullsia (3.4 miliardë banorë) dhe pesha gjeopolitike që ka të bëjë me bashkimin e disa prej qendrave kryesore të fuqisë së shekullit XXI, që lidhet me superfuqinë ekonomike dhe industriale, superfuqinë ushtarake, bërthamore dhe energjetike, një territor me hapësira dhe korridore strategjike ndërmjet Kinës, Rusisë, Lindjes së Mesme dhe Europës, hapësirë brenda së cilës ndodhen rezerva të mëdha energjie dhe mineralesh, korridore tokësore e energjetike, si dhe disa prej nyjeve më të rëndësishme të tregtisë euroaziatike.
Nga ana gjeopolitike në fakt ka një paradoks sepse pesha, forca dhe fuqia e OBSh-së nuk qëndron vetëm te 3.4 miliardë njerëz dhe 36 milionë km², por te kombinimi i territorit, energjisë, burimeve natyrore, industrisë, teknologjisë, fuqisë ushtarake, armëve bërthamore dhe kontrollit mbi korridoret që lidhin Azinë me Europën, një kombinim që, edhe pse, India dhe Kina për disa çështje nuk janë aleatë, India dhe Pakistani shpesh kanë qenë rivalë, dhe Kina dhe Rusia në disa raste kanë interesa që nuk janë gjithmonë identike, përsëri OBSh shfaq aftësi pothuajse unike për të bashkëpunuar, pavarësisht dallimeve dhe kjo është pikërisht ajo që OBSh mund t’i sjellë botës si mundësi. Diversitet dhe botë multipolare për një kauzë të përbashkët që është Zhvillimi i qëndrueshëm dhe siguria në rang global në të tëra drejtimet.
Në fjalën e tij të rastit, presidenti i Kinës, Xi Jinping, parashtroi sugjerimet për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare të kësaj organizate multilaterale, duke kërkuar një rend botëror multipolar, ku nuk do të dominojë më një fuqi e vetme, ku qendra të tjera fuqie si Kina, India, Rusia dhe vendet në zhvillim do kenë edhe më shumë peshë, me synim bashkëpunimin ekonomik për (1) më shumë tregti me Azinë Qendrore, (2) korridore të reja transporti, (3) lidhje hekurudhore, (4) energji, (5) infrastrukture, (6) integrim ekonomik, (7) mekanizma alternative pagesash ndërkombëtare, etj.
Ndërsa trinomi Xi Jinping – Vladimir Putin – Narendra Modi, që edhe pse ndërtohet me interesa të ndryshme, tregon një gjë shumë të rëndësishme: Përfaqëson rreth 40% të popullsisë së botës dhe faktin se bota po bëhet realisht multipolare dhe jo domosdoshmërisht “anti-amerikane”, por e thënë në mënyrë shumë të thjeshtë: Një botë më pak e përqendruar vetëm te Perëndimi.
Teknikë kirgizistanas mësojnë nga homologët kinezë gjatë ndërtimit të autostradës, provincë Naryn, Kirgizistan/Foto nga Xinhua
Një nga pikat më të rëndësishme të këtij takimi është se OBSh nuk ka ushtri të përbashkët, në dokumentet e kësaj organizate mungon një nen si neni i famshëm nr. 5 i NATO-s (parimi i mbrojtjes kolektive – Një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve të NATO-s në Europë ose Amerikën e Veriut konsiderohet sulm kundër të gjithëve) dhe nuk ka një komandë ushtarake të integruar. Kjo tregon se OBSh-ja është një platformë gjeopolitike për koordinim dhe bashkëpunim dhe jo një aleancë ushtarake, aq më pak një aleancë kundër Perëndimit apo kundër SHBA-ve. Thjesht OBSh, ashtu si edhe platforma të tjera në rang ndërkombëtar, tregon se faktikisht jemi përballë një globalizimi të fragmentuar. Globalizmi nuk po zhduket apo nuk është se po i bie ritmi dhe fuqia, por janë duke u krijuar më shumë (1) blloqe tregtare, (2) korridore të reja (3) zinxhirë alternativë industrialë dhe (4) zinxhirë alternative furnizimi.
Është për të ardhur keq se disa analistë të mediave perëndimore e kanë parë takimin e këtij viti të OBSh-së edhe si një luftë për korridore dhe kjo nisur nga fakti se Azia Qendrore është në zemër të korridoreve pasi bëhet fjalë për lidhjet Kinë – Azia Qendrore – Europë, por unë do e shikoja në mënyrë më pragmatiste këtë situatë, sepse edhe pse hekurudhat, rrugët dhe energjia mund të ndryshojnë hartën ekonomike globale, kjo është gjë e mirë për këtë pjesë të globit dhe për popullsinë e këtyre vendeve dhe rajoneve dhe për ekonominë botërore, përfshirë edhe ekonominë e vendeve perëndimore. Hapja e tregjeve dhe liria ekonomike në këtë pjesë të botës ofron mundësi që edhe kompanitë amerikane, britanike, franceze, gjermane, italiane, etj, të bëhen pjesë e një ekonomie që lëviz me shpejtësinë e qarkullimit të logjikshëm të volumit të parave dhe jo me shpejtësinë e gjenerimit të konflikteve të palogjikshme dhe me shpejtësinë e krijimit të armiqve atje ku ata as që ekzistojnë.
Dhe në këtë pikë mendoj të ndalemi edhe te Evropa sepse sipas pikëpamjes time BE nuk duhet në asnjë mënyrë të konsiderojë se gjendet në një pozitë shumë delikate. Evropa është (1) ekonomikisht e fuqishme, (2) teknologjikisht e avancuar (3) demografikisht në plakje, (4) me rritje relativisht të ngadaltë, (5) e varur në aspektet e sigurisë nga SHBA dhe (6) e ekspozuar ndaj konkurrencës së vendeve jo perëndimore dhe krijimi i një hapësirë ekonomike gjithnjë e më të integruar Kinë – Rusi – Azia Qendrore – pjesë të Azisë Jugore – Lindja e Mesme, sjell një realitet të ri ekonomik, në të cilin Evropa mund dhe duhet ta gjejë vehten më së miri dhe në mënyrë tepër të natyrshme, si një partner historik dhe me vlerë me këto rajone.
Vizitorë në Ekspozitën e Energjisë Kirgizistan-OBSh 2026, Bishkek, Kirgizistan,18 qershor 2026/Foto nga VCG
Është tepër e dukshme se Bishkeku nuk po prodhon një “bombë” për perëndimin, ashtu sikundër po e deklamojnë disa media dashakeqe dhe disa analistë të pandreqshëm, por është një tregues shumë i fortë i ndryshimit të rendit botëror drejt një bote multipolare dhe të fragmentuar ekonomikisht dhe në qendër të këtij transformimi padyshim që janë SHBA, Kina, India, BE, Rusia, etj.
Për sa më lart, në fjalën e tij, Xi Jinping tha: “Ky vit shënon 25-vjetorin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Njëzet e pesë vjet më parë, duke nxjerrë mësime të forta nga Lufta e Ftohtë, duke u përballur me kërcënimet reale nga forcat terroriste, separatiste dhe ekstremiste dhe duke iu përgjigjur aspiratave të sinqerta të botës për paqe dhe zhvillim, vendet e rajonit tonë arritën një konsensus të gjerë për të punuar së bashku për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe interesat e zhvillimit. Organizata jonë u themelua në këtë kontekst dhe ajo ka treguar një gjallëri dhe vitalitet gjithnjë e më të madh.
Gjatë 25 viteve të fundit, OBSh ka përshkuar një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Pasuria e saj më e vlefshme shpirtërore është se ajo ka krijuar dhe më pas ka ndjekur në mënyrë të pandryshueshme Shpirtin e Shangait, i cili përfshin (1) besimin e ndërsjellë (2) përfitimin e ndërsjellë, (3) barazinë (4) konsultimin, (5) respektimin e diversitetit të qytetërimeve dhe (6) ndjekjen e zhvillimit të përbashkët. Përvoja e saj më e rëndësishme për bashkëpunimin është se ka gjetur mënyrën e duhur të bashkëjetesës, e karakterizuar nga (1) mosaleanca, (2) mospërballja dhe (3) mosvënia në shënjestër e asnjë pale të tretë, duke u mundësuar vendeve të rajonit të ndërtojnë së bashku një shtëpi të përbashkët.”
Dhe më tej ai vazhdoi: “Ne duhet të mbështesim një globalizim ekonomik gjithëpërfshirës dhe me përfitime universale, të konsolidojmë bashkëpunimin në fushat tradicionale si (1) tregtia, (2) investimet (3) ndërlidhja, (4) energjia dhe (5) burimet, si dhe të zgjerojmë bashkëpunimin në fusha në zhvillim, si (1) inteligjenca artificiale, (2) ekonomia digjitale, (3) industria e gjelbër dhe (4) industria minerare e gjelbër. Kina e konsideron OBSh-në një zonë prioritare për promovimin e bashkëpunimit me cilësi të lartë në kuadër të Iniciativës Një Brez dhe Një Rrugë dhe për zbatimin e Iniciativës për Zhvillim Global.
Kina në kuadër të OBSh -së parashikon dhe angazhohet:

Presidenti i Kinës Xi Jinping mban fjalim në takimin e 26-të të Këshillit të Krerëve të Shtetit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), Bishkek, Kirgizistan,1 shtator 2026/Foto nga Xinhua
1. Të sigurojë suksesin e Forumit të Ekonomisë Digjitale të OBSh -së, Ekspozitës Bujqësore të OBSh-së dhe aktiviteteve të tjera.
2. Të zhvillojë një qendër ndërkombëtare për bashkëpunimin në aplikimet e inteligjencës artificiale me vendet e OBSh -së.
3. Të punojë me vendet anëtare të OBSh-së për të rritur kapacitetin e instaluar të energjisë fotovoltaike dhe të energjisë së erës, secila me nga 10 milionë kilovat.
4. Të zbatojë 100 projekte bashkëpunimi teknologjik me vendet e tjera të OBSh-së gjatë tre viteve të ardhshme
5. Të zhvillojë më shumë profesionistë të industrisë së gjelbër përmes bashkëpunimit Kinë–OBSh.
Në kuadër të sigurisë si një objektiv kyç për rajonin, Xi Jinping theksoi se duhet të:
1. Krijojmë një mjedis të sigurisë së përbashkët.
2. Ndjekim masa të koordinuara për t’u përballur me kërcënimet tradicionale dhe jotradicionale ndaj sigurisë,
3. Luftojmë kundër tre forcave të (1) terrorizmit, (2) separatizmit dhe (3) ekstremizmit, kundër krimit organizuar ndërkombëtar, trafikimit të drogës dhe mashtrimit përmes telekomunikacionit.
4. Forcojmë bashkëpunimin për (1) sigurinë e informacionit, (2) biosigurinë dhe (3) sigurinë e hapësirës së jashtme.
5. Parandalojmë forcat e jashtme që të ndërhyjnë në punët tona të brendshme, të rrezikojnë sigurinë politike dhe të dëmtojnë stabilitetin rajonal.

Liderët pjesëmarrës në takimin e “Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh) Plus” dalin në fotografi, Bishkek, Kirgizistan, 1 shtator 2026/Foto nga Xinhua
Në fund ai theksoi se “Kina është e gatshme të punojë me të gjitha palët për të zbatuar vizionin e sigurisë së përbashkët, gjithëpërfshirëse, bashkëpunuese dhe të qëndrueshme dhe për ta bërë organizatën tonë një platformë të rëndësishme për zbatimin e Iniciativës për Sigurinë Globale. Diversiteti i qytetërimeve dhe kulturave është një tipar dallues i rajonit tonë. Ne duhet të vlerësojmë plotësisht veçantinë e çdo vendi për sa i përket historisë, kulturës, sistemit shoqëror dhe fazës së zhvillimit të tij. Duhet të ndërtojmë rrjete bashkëpunimi ndërmjet (1) parlamenteve, (2) partive politike, (3) institucioneve arsimore, (4) instituteve dhe qendrave të mendimit, (5) bizneseve dhe (6) mediave, në mënyrë që të promovojmë shkëmbimet joqeveritare dhe të gjallërojmë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe miqësinë ndërmjet shteteve anëtare.
Burimi CGTN



















