
Demo: “Paketa e Maleve” krijon mundësi të reja për zgjerimin e sipërmarrjes
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se “Paketa e Maleve” po krijon mundësi të reja për sipërmarrësit që synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke përfituar nga lehtësitë dhe instrumentet mbështetëse që ofron qeveria.

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, deklaroi se “Paketa e Maleve” po krijon mundësi të reja për sipërmarrësit që synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke përfituar nga lehtësitë dhe instrumentet mbështetëse që ofron qeveria.
Duke folur në panelin “Financimi i sipërmarrjes dhe partneriteti publik–privat”, në kuadër të aktivitetit “Dyfisho sipërmarrjen tënde”, Demo tha se është rritur interesi i bizneseve të konsoliduara, veçanërisht në sektorët e agroturizmit, përpunimit dhe aktiviteteve të tjera ekonomike, për të investuar në zgjerimin e kapaciteteve.
Sipas tij, “Paketa e Maleve” u jep sipërmarrësve mundësinë të përfitojnë nga lehtësitë që ofron programi, përfshirë ato që lidhen me pronën, për të zgjeruar investimet ekzistuese ose për të zhvilluar projekte të reja turistike.
Demo theksoi se qeveria do të vijojë fushatat informuese në të gjithë territorin, me synim që bizneset të njihen me mundësitë e ofruara nga kjo paketë dhe të përfitojnë prej saj.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e asistencës teknike që do të ofrohet me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, veçanërisht Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), për hartimin e planeve të biznesit dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për aplikim.
Ministri theksoi se bashkitë duhet të kenë një rol aktiv në zbatimin e Paketës së Maleve, duke kujtuar se ato mund të marrin pjesë deri në 25% si aksionere në projekte të caktuara.
Sipas tij, pushteti vendor duhet të hartojë projekte të qëndrueshme ekonomikisht, që gjenerojnë të ardhura dhe kontribuojnë në zhvillimin lokal, duke shfrytëzuar asetet publike dhe instrumentet financiare në dispozicion.
“Këto duhet të jenë histori suksesi që jo vetëm aktivizojnë asetet e bashkive, por edhe krijojnë të ardhura të reja dhe forcojnë financat e pushtetit vendor”, u shpreh Demo.
Ai shtoi se gjatë muajve të ardhshëm do të zhvillohen fushata sensibilizuese në të gjithë vendin, të drejtuara si ndaj sipërmarrjeve, ashtu edhe ndaj institucioneve publike, për të nxitur përdorimin e skemave të reja të financimit dhe zgjerimin e investimeve.
Marrë nga ATSH



















