
Balla: Shqipëria ka hyrë në fazën vendimtare të anëtarësimit në BE
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Taulant Balla, deklaroi sot në Strasburg se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe vendimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste dhe bashkëkryetari i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, Taulant Balla, deklaroi sot në Strasburg se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re dhe vendimtare të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Në fjalën hapëse të mbledhjes së 21-të të KPSA-së, që po zhvillohet në Strasburg, Balla e cilësoi këtë një moment historik për rrugëtimin europian të vendit, duke theksuar se progresi i arritur gjatë muajve të fundit përbën një njohje të transformimeve të realizuara në fusha kyçe të integrimit.
“Europa nuk është thjesht një destinacion për Shqipërinë. Europa për ne është standardi me të cilin masim transformimin e vendit tonë, ditë pas dite, reformë pas reforme, institucion pas institucioni”, u shpreh Balla.
Balla tha se Shqipëria po pret përmbylljen e tre kapitujve të negociatave dhe vijimin e punimeve në konferencën e radhës ndërqeveritare, duke e cilësuar këtë një zhvillim përtej një procedure teknike.
Sipas tij, arritjet e Shqipërisë lidhen me përparimin në fusha si shteti i së drejtës, institucionet demokratike, administrata publike, të drejtat themelore, siguria, zhvillimi i qëndrueshëm dhe turizmi.
Balla theksoi gjithashtu rëndësinë e luftës kundër dezinformimit, duke kërkuar që debatet të bazohen në fakte dhe informacion të verifikuar.
“Dezinformimi e zëvendëson debatin me manipulimin, faktet me gënjeshtrat dhe besimin me dyshimin. Lufta kundër dezinformimit është mbrojtje e së vërtetës, e lirisë dhe e vetë demokracisë”, tha Balla.
Kryetari i grupit parlamentar socialist nënvizoi se procesi i reformave ka kërkuar vullnet politik, vendosmëri dhe përpjekje të vazhdueshme nga institucionet shqiptare.
Balla falënderoi institucionet e Bashkimit Europian, shtetet anëtare dhe partnerët europianë për mbështetjen ndaj Shqipërisë, duke përmendur edhe rezolutën e fundit të Parlamentit Europian për vendin.
“Ky ishte një mesazh i qartë politik se progresi i Shqipërisë njihet, se rruga jonë e reformave është e besueshme dhe se perspektiva jonë europiane është reale”, deklaroi Balla.
Balla: Projekti në Zvërnec do të zhvillohet sipas standardeve mjedisore
Kryetari i grupit parlamentar të PS-së dhe bashkëkryetar i Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit Bashkimi Europian–Shqipëri, Taulant Balla, i pranishëm në mbledhjen e 21-të të KPSA-së në Strasburg deklaroi se projekti i zhvillimit në Zvërnec do të ecë përpara vetëm në respektim të plotë të standardeve ligjore dhe mjedisore.
Duke iu referuar diskutimeve mbi këtë investim, Balla ka theksur se zona ka rëndësi të veçantë ekologjike dhe se çdo zhvillim do t’i nënshtrohet vlerësimit të plotë të ndikimit në mjedis, konsultimeve publike dhe miratimeve nga autoritetet përgjegjëse.
“22.1% e territorit të Shqipërisë është zonë e mbrojtur. Projekti është në fazën e zhvillimit, nuk është miratuar projekti përfundimtar dhe nuk mund të vazhdojë pa vlerësimin e plotë të ndikimit në mjedis dhe pa miratimet përkatëse. Çdo zhvillim do të jetë i nënshtruar kërkesave të ligjit”, deklaroi Balla.
Ai nënvizoi se investimet dhe mbrojtja e natyrës nuk janë procese që përjashtojnë njëri-tjetrin, por pjesë e të njëjtit vizion për zhvillim të qëndrueshëm.
“Objektivi është të ofrojmë një model turizmi që krijon vende pune, tërheq ekonomi dhe investime, ndërsa mbron njëkohësisht vlerat ekologjike të zonës. Ruajtja e natyrës dhe zhvillimi nuk janë objektiva që bien ndesh, por shtylla plotësuese të të njëjtit vizion për një Shqipëri më të begatë dhe më të gjelbër”, u shpreh Balla.
Gjithashtu Balla ka folur edhe për rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke theksuar rëndësinë e konsensusit politik dhe pronësisë demokratike të këtij procesi.
Ai bëri të ditur se rezoluta e fundit për procesin e integrimit europian është miratuar nga të gjitha forcat kryesore politike, duke e cilësuar këtë si një dëshmi të angazhimit institucional të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
“Asnjë proces nuk mund të arrihet pa pronësinë demokratike. Parlamenti shqiptar është një nga shtyllat kryesore që i jep legjitimitet, mbikëqyrje dhe transparencë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Balla.
Burimi ATSH



















