Dashunia e bukur, n’krah zogjsh don me fjetë…

Poetja kosovare me banim në Zvicër, Drita Ademi-Beqiri, është autore e pesë vëllimeve poetike.


Nga Drita Ademi

Dashunia e bukur, n’krah zogjsh don me fjetë…

Liria
Asht mëngjes Maji.
Nji grue ban qejf
në krahët e Wilhem Tell- it.
Sa për imazh, në dorën e majtë mban
nji shishe konjak,
me të djathtën
ajo prek ballin, flokët, barkun,
fshin qiellin,
qesh, qan
n’ekstazë.
Nji lot i rrëshqet mbi nji glasë.
Tremben pëllumbat.
Marrin krah mbi Rhein.
Unë ndez nji cigare,
qesh dhe me vete them:
Liria në Ballkan
lindka në imagjinatë
e vdiska në një glasë…

Oh, Amor

…dhe desha të të puthja një ditë;
dhe desha të të puthja një natë;
një bletë theri kurorën
dhe iku, AMOR…

***

In memoriam

Dora jote
dritë e ngrime
n’gjeth dashnie…

N’Prishtinë

N’andërr m’erdh Ali Podrimja
Në nji rol pej fryme.
Shpërndau fleta t’bardha.
Pa asnji cent, pa asnji shkronjë.
Në t’parën fletë e vendosa dashuninë
T’bardhė si pllumbi.
Në të dytën Atdheun t’amblin, t’bukurin.
Vazhdova kështu me radhë
Tue përshkrue gjana e shejtni të buta t’ Kosovës,
Derisa erdh Azem Shkreli,
I mjeri, fatlumi e poeti.
U banen bashkë me Ali Podrimen
E vend askund nuk m’lanë.
As te poezia,
As n’atdhe
As te Lumi…
U bekova me dhimben e t’humbunes.
E kjajta shumë…
se nana m’ka dekë!

Këpucët e mia

Kur nuk do t` jem ma këtu
Ku do të shkojnë këpucët e mia?
Këpucët e feminisë si qumështi i nanës
Këpucët e pubertetit pa lidhse t‘ nxehta dhe gjysëm t`egra
Këpucët e rinisë me lule si lulet n`memorie
Këpucët e ditës së bardhë t`martesës
Të lidhuna me zemër dhe unazë
Këpucët e shkollës t`plota t` ngushta t‘ zivilizueme
Këpucët e fëmijës tem
Të rritur n`mua
Këpucët e moshës së tretë
Gjysëm dashuni gjysëm merzi
Këpucët, ah këpucët e mia
Sillen n`mue
Asnjëherë nuk i le para dere
Gjithmonë i marr me vete
Një ditë do t`fluturojnë
Nga trupi jem me magji
Dikush do t`ju thurë lavde
Në ndonji poezi…
Kam me t’dashtë
Unë kam me t’dashtê n’sy t’yjeve
Botën ke me e harru
Luftat
Robninë
Injorancën
Krejt dashni kam me t’i ba
ata sy që m’kqyrin mue
N’lule t’ballit
Dëshirat me t’i zbulue
I jemi je
N’daç si dashuni
N’daç si mallkim

***

Mall i vjetër m’paska djegë

Nji e zezë m’ka kaplue,
Mall i hanës magjistare,
Si m’harrove, ditë e kobshme,
Trëndafil i vyshkun n’vjeshtën tande.
Kujtim i trembun
Ajo puthje,
Qaj e lkundem si fatzezë,
Siluetë ulem n’letër,
Mall i vjetër m’paska djegë.
Nisi e shkruej ca fjalë gjergjefi,
Fjalë që s’më kthejnë te ti kurrë,
N’tjetrën botë kam me le flutur,
As e bardhë por,
Pikla, pikla,
Dashuni me mbledh…

***

Me kend fola

Ka shume kohë që jetoj n’dhomën e tij.
Bisedoj me ajrin që e ka lanë
Ndigjoj muzikën që e ka shkrue.
Perdet valviten si flamur prej timit t’cigares t’mbramë.
I mbledh skicat mureve që i ka shkrue,
Ndertoj fantazi;
Ulem afër tavolinës
Ia puth’ dorën.
Ai më përkëdhel,
Hesht!
Pastaj pyes vedin:
Me kend fola?
Fjalët zgjojnë agimet me shi
Ai kerrkund hiç…
Due me u kthye e s’mundem.
Ai rrin n’mue tash si statujë;
As flet,
As kjanë,
As dashunon,
As ikë…
Unë prap e thërras.
Andërr e flutra
Kjo natë veç zogut i ngjan
Nër k’mishen tande dashnijet
Pullat mashtruese m’bajnê flakè
E të due, me t’dashtë, dashunue
Deri n’palcën borès
Avull me t’ba
Kjo lojë zjarmie
Çelë veç flutura t’larme gjoksit
Çfarë kujtimi i bukur
Me u shkri n’lëkurën tande
Shtatë pash…

_____

Poetja Drita Ademi-Beqiri është autore e pesë vëllimeve poetike: Placebo, botuar në Londër 2011, Andrra e Gjethe, botuar nga TOENA në Tiranë, 2018, Vesë mbi Dhimbje, botuar në Prishtinë, 2020, pranë Botimeve Konica. Licht mit Regen, Dritë me Shi, botuar nga Anthea Verlag Berlin me 2023. Me kënd fola, 2023 , botuar nga Armagedoni, Prishtinë. Drita është pjesmarrëse në disa antologji gjermane dhe ka botuar poezi tek Frankfurter Bibliothek, myStoryes, Deutsche Gedichte , Pro Lyrica , etj…

Drita Ademi, së bashku me Znj. Loreta Schillock (përkthyese), kanë botuar Antologjinë Përtej Harrimit, Jenseits de Vergessens, me 35 autorë shqiptarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe diaspora.

Së shpejti, lexuesit do ta kenë në duar edhe romanin E HUMBURA, DALINA në gjuhën gjermane.

Lexo më shumë nga

Begaj dënon sulmin terrorist: Shqipëria në solidaritet të plotë me Australinë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me sulmin terrorist të ndodhur në Bondi Beach, Australi, duke e dënuar…

Global 360

Osmani pret Begajn: Kosova e Shqipëria, gjithmonë pranë njëra-tjetrës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot homologun e saj nga Shqipëria, Bajram Begaj

Diplovista

Spiropali të martën në Athinë: Bisedime 360 gradë për çështjet në tryezë

Përpara vizitës së saj zyrtare në Athinë të martën e ardhshme, ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali,…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

100-vjetori i themelimit të Urdhrit të Skënderbeut

Një tubim shpirtëror ishte eventi përkujtimor i 100-vjetorit të themelimit të Urdhrit të Skënderbeut dhe i shugurimit të Urdhrave të…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Begaj dënon sulmin terrorist: Shqipëria në solidaritet të plotë me Australinë

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka reaguar lidhur me sulmin terrorist të ndodhur në Bondi Beach, Australi, duke e dënuar…