Vermeer, “sfinksi” që nuk humbi

Vermeer mbetet «star»-i i piktorëve holandezë të shekullit të tij, në sajë të mjeshtërisë dhe perfeksionit të tij


Nga Luan Rama

Mjeshtri Van Meer doli nga atelieri dhe shkoi drejt dhomës së madhe ku zhurmonin 11 fëmijët e tij. Kur dera u mbyll, vetëm dhe kureshtare, pas një farë hezitimi, shërbëtorja e shtëpisë nxitoi drejt asaj kutie të çuditshme ku mjeshtri po vështronte një kohë të gjatë dhe herë pas here i kthente sytë nga tabloja sikur të donte të zbulonte diçka. Por çfarë? Më së fundi kjo vajzë e njomë, që Proust i quante “jeune filles en fleur” (vajza në lulen e rinisë) afroi kokën dhe u përkul disi për të parë në fund të saj, në ato xhama që i shfaqën atë pamje të çuditshme dhe së prapthi. Pse me kokë poshtë mendoi? Ngjyrat shndrisin gjithë dritë me një feksje të habitshme dhe gjithashtu perla që kishte në vesh, sigurisht jo e saj, por e mjeshtrit, që shndriste si një margaritar i rrallë në ngjyrë qumështi dhe argjendi. Gjithçka kishte dritë të madhe, madje dhe roza e lehtë e faqeve arrinte të pikaste… Portreti i saj i kthyer disi nga kutia, por mjerisht kokëposhti. Si vallë kështu? Por ndërkohë ajo dëgjoi kërcitjen e derës dhe mjeshtri hyri me një buzëqeshje të lehtë. Ajo u tërhoq me turp dhe me një ndrojtje të madhe pa ditur ç’të thoshte:

– Hë, si të duket?

Ajo vetëm ngriti supet dhe nuk foli, por mjeshtri ndërhyri sërrish.

– Eja këtu, afrou, pamja nuk shihet kështu siç e sheh ti… Duhet ta mbulosh kokën me këtë rrobën e zezë që varet anash kutisë.

– Përse? – pyeti ajo si një fëmijë.

– Sepse drita hyn anash dhe jep një flu mbi anët e pikturës.

Ajo u afrua, vuri kokën dhe u mbulua me cohën e zezë, një cohë disi e mëndafshtë. Tashmë brenda asaj «dhome të errët» habia ishte e jashtëzakonshme. Ajo po shikonte vetveten kokëposhti por imazhi ishte transparent. U habit që për herë të parë dalloi se ishte një vajzë e bukur. Ndërkohë u dëgjua zëri i zonjës Ver Meer dhe ajo u tërhoq instinktivisht e turbulluar nga ajo pamje që e kishte mbërthyer tërësish si të ishte një magji më vete.

Mjeshtri veçse qeshte.

– E mrekullueshme, apo jo, – shtoi ai, por ajo nxitoi me fustanin që e rëndonte gjer poshtë këmbëve drejt sallës tjetër ku ishin fëmijët…

Ishte «Vajza me perla» që pikturonte në atë kohë mjeshtri hollandez. Ai ishte kënaqur… Jan Van der Meer, apo Vermeer, siç u quajt më pas, nuk e dinte se po krijonte një nga tablotë më të bukura të pikturës hollandeze të shekullit të tij. Tablonë «Vajza me perla» më vonë kritikët do ta quanin «Xhakonda e veriut».

Vermeer në romanet e Proust-it

Kur në vitin 1921 u hap në Paris një ekspozitë me tablotë e piktorit Vermeer, Marcel Proust nxitoi t’i shikonte edhe pse nuk i pëlqente muzeumet e mbyllura, pasi ato sikur i mbysnin frymën, meqë vuante dhe nga azma. Gjithë jetën e tij ai shkoi veçse tri herë në Louvre dhe çasti kur pa tablotë e Vermeer ishte hera e tretë dhe e fundit. Ai ishte gjendur përballë tablosë «E burgosura» dhe ndjeu një gjendje përhumbje, të fikti, çka e bëri të tërhiqej ngadalë që të mos rrëzohej nga çasti në çast. Pikëtakimi me tablotë e hollandezit gjenial ishte tronditës dhe ja pse në letërsinë e tij, në romanin Në kërkim të kohës së humbur, e shkrime të tjera, personazhet e ndryshme si Suan, Odeta, etj, flasin për Vermeer, i rikthehen tablove të piktorit, tablove «Vajza me gjerdanin me perla», «Gruaja që qëndis», «Astronomi», «Gjeografi», «Diana»… : «Ah, ju talleni me mua, – thotë një personazh i tij, – unë s’kam dëgjuar gjë për të. Vallë Ver Meer jeton ende? A mund të shikohen tablotë e tij në Paris?… Në faqe të tjera të shkruar në mbrëmjet e vona në apartamentin e heshtur të bulevardit «Haussman», diku tjetër ai shtonte: «Ah, ju ishit në Hollandë? E njihni Van Meer? – pyeti zonja Cambremer me një ton sikur donte të thoshte: A i njihni Guermantët?… Personazhi i tij Bergotë, si një pinjoll i tij, kur ndeshet me tablonë “Pamje e Delft”, i tërhequr nga ajo fasho e verdhë e dritës diellore mbi mure, thotë: ”Ja, kështu do të duhej të shkruaja. Librat e mi të fundit janë tepër të thatë dhe do duhej të kaloja disa pasazhe me ngjyra për ta bërë frazën më me vlerë si ajo pjesë e verdhë muri…”

Piktori që i shiste tablotë e tij tek bukëpjekësi

I pagëzuar në Delft, në praninë e nënës së tij Dyma Bolnes dhe të atit Janszoon Ver Meer artisan tapicerish, Johannes kishte bërë një jetë të thjeshtë, gati anonime përveç fundit të jetës së tij kur u bë i njohur si artist, duke vdekur më pas shumë i ri, në moshën 43 vjeçare, fare i ri për një gjeni të pikturës. Por siç ndodh zakonisht me gjenitë, shumica e tyre vdesin të rinj.

Ai vdiq në 15 dhjetor të vitit 1675 dhe varri ndodhet në Kishën e Vjetër, apo (Ouderkerk) atje ku dhe u pagëzua, dy hapa nga shtëpia modeste e tij. Vdiq i mbytur me borxhe në një kohë krize, urije e murtaje, buzë atij kanali që sot vizitohet nga miliona turistë që shkojnë në Delft, qytetin e fajancës dhe të Vermeer-it sigurisht, pasi ai e bëri akoma më të njohur qytetin e tij protestan. Pas vdekjes, gruaja e tij i shiti pikturat për një “copë bukë” dhe vite më vonë piktori i famshëm u harrua. Askush nuk shkroi për të, veç kur një francez, i ikur në mënyrë klandestine në Hollande nga persekucioni i Napoleonit të Tretë (çka n’a kujton ikjen e shkrimtarit të madh Victor Hugo pothuaj në të njëjtën kohë) e bëri të njohur emrin e tij. Ky ishte Theophile Thoré-Burger, i cili në vitin 1866 shkruan në “Gazette des Beaux-Arts” për piktorin e tablosë “Pamje e Delft”. Ai e pëlqeu shumë dhe filloi të kërkojë veprat e tij duke bërë një repertor paraprak. Pak më vonë janë impresionistët e parë, miqtë e Claude Monet që e shohin me një interest ë jashtëzakonshëm veprën e hollandezit të harruar, i cili u mbiquajt “Sfinksi i Delfit”, pasi u shfaq papritur nga harresa, apo që rilindi.


Luan Rama

Vermeer punonte ngadalë, pothuaj 3 tablo në vit dhe në gjithë jetën e tij të shkurtër si piktor ai pikturoi rreth 75 tablo, disa prej të cilave kanë humbur. Pjesën më të madhe të veprave ia bleu një artëdashës i Delft, Van Ruijven, afërsisht 600 livra për tablo. Në kohën e krizës së madhe, ai shkoi tek një mecen tjetër të shiste tablotë, pasi ishte krimbur në borxhe, por askush nuk ia pranoi. Dhe ishte e tmerrshme për të të kthehej në shtëpi me talotë e tij. Më pas, gruaja e tij do të tregonte se kur Vermeer u kthye pa i shitur tablotë, pasi i duheshin para për të ushqyer fëmijët dhe që ata të vazhdonin shkollimin, ai u trishtua aq shumë saqë zuri shtratin dhe dy ditë më vonë vdiq. Ishte 15 dhjetori i vitit 1675. Ky ishte fundi i piktorit gjenial, i cili në atelierin e tij kishte lënë veç 2 karrige, 2 kavalete, tre paleta për ngjyrat, 10 tablo, një tavolinë druri, një dollap me sirtare për përgatitjen si duket të bojrave dhe një shumë të jashtëzakonshme për kohën prej 726 florins. Mes tablove, të parat që shiti gruaja e tij ishin “Gruaja që shkruan letër dhe shëbyesja e saj” dhe “Gruaja që luan kitarrë”. Njëzet vjet më vonë, koleksionisti Dissius shiti 21 tablo të Vermeer, mes të cilave ishte dhe tabloja e famshme «La laitière» (“Gruaja që merret me qumështin”).

Studjuesit e Vermeer-it tregojnë se pasi mbaronte tablonë, ai e çonte atë tek dyqani i bukëpjeksit dhe atje vinin fisnikët për ta blerë me çmime të arësyeshme. Dhe Vermeer ishte i kënaqur me këtë. Ai nuk donte që blerësit të shkelnin në atelierin e tij. Në atelier kishin të drejtë të hynin veçse modelet, më së shumti shërbëtorja e tij Greit, gruaja Catharina, apo gruaja e një miku të tij, etj, të cilën e shohim në tablonë e njohur “Gruaja me gjerdanin me perla”.

Eshtë gjithnjë një kënaqësi e veçantë kur shkon në Delft. Unë kam qenë me mikun tim piktor Omer Kaleshin, dhe pikërisht për të parë qytetin mesjetar të Vermeer dhe për ta ndjerë më të afërt pikturën e tij, buzë atyre rrugëve, kalldrëmeve, kanaleve me ujë dhe urave të vogla prej guri, duke imagjinuar figurën e mjeshtrit dhe jetën e tij të përditshme në atë qytet, furrin e bukës ku çonte tablotë të cilat shiteshin aty (sikur të ishin bukë shenjtërie) punishten e regjies së lëkurës, mullinjtë e ujit, proçesionet fetare nën ehon e kambanave dhe ato interiere dhomash me një dritë hyjnore, ku Vermeer ka vendosur personazhet që ka pikturur për të jetuar përjetësisht.

Nisur nga tabloja e tij Pamja e Delft që kisha parë në Amsterdam dhe në Paris, nisa të kërkoj pikërisht atë imazh të tablosë për të cilin Proust ishte befasuar aq shumë nga drita e verdhë e asaj fasade muri, buzë kanalit saqë ky imazh nuk do t’i shqitej më. Një ditë, në një letër që i dërgonte mikut të tij Vandoyer, Proust i shkruante: “Që kur pashë tablonë Pamja e Delft-it në muzeun e Hagës, e kuptova që kisha pare pikturën më të bukur të botës…”. Proust e përshkruan këtë emocion në vëllimin e pestë të romanit “A la recherché du temps perdu” (Në kërkim të kohës së humbur). Madje në romanin “E burgosura” (La prisonnière) Proust tregon vdekjen e personazhit, i cili ishte mahnitur nga ajo copëz e verdhë muri kur kishte parë këtë tablo, “tepër e bukur, aq sa mund të konsiderohej dhe ashtu si një vepër me vlera arti”… personazhi tërhiqet i turbulluar dhe më pas bien në tokë. Rojet dhe vizitorët nxitojnë ta ndihmojnë por ai tashmë ka vdekur”… Gjithçka kishte ndodhur nën shkëlqimet e tablosë “Pamje e Delfit”.

Tek shohim këtë ekspozitë të hapur tashmë në Paris «Vermeer dhe mjeshtrit e tjerë të pikturës hollandeze” (ekspozitat e Vermeer janë të rralla, por këtu kemi dhe mjeshtrit e shquar Netscher, Hooch, Metsu, Dou) e kuptojmë menjëherë se Vermeer, mbetet «star»-i i piktorëve hollandez të shekullit të tij. Dhe kjo padyshim në sajë të mjeshtërisë dhe perfeksionit të tij, të mënyrës së thjeshtë të kompozimit, por më shumë të përdorimit të dritës natyrale. Shpesh, personazhet e tij janë në interiere dhe pranë dritareve nga ku hyn drita e diellit me nje dritë të bardhë, herë ngjyrë qumështi dhe herë e një e verdhë e afërt me të verdhën e Napolit… Madje ndodh që portretet e personazheve pasqyrohen në xhamat e dritares. Por ajo çka është akoma më interesante dhe që duket se e tërheq publikut, shikuesin e tablove të tij, është një lloj qetësie dhe heshtje e madhe, sikur ai të ketë dashur ta stopojë kohën brenda tablosë.

Eshtë një heshtje që flet, që na tregon botën e personazhit dhe ne nisim të dialogojmë me të. Eshtë arti i heshtjes. Vermeer piktori veç dy tablo peizazhe : «Pamje e Delft» dhe «Rrugica», ku në këtë të fundit, në një mënyrë mjaft origjinale ai na zbulon jetën e përditshme e të paqtë në rrugicat e qytetit të tij. Por padyshim, Pamje e Delft të cilën ai e pikturoi në moshën 29 vjeçare mbetet një nga pikturat më të bukura të botës, edhe pse Proust thoshte se kjo tablo ishte më e bukura. Qëndron ballë tablosë dhe shikon se edhe retë kanë marrë nga e verdha e mureve plot diell. Ah, kjo dritë e artë, sikur bota të ishte prej ari, qielli prej dheu, një përzjerje okre, bluje dhe të verdhe, për të depërtuar pastaj në ato shtëpi në mënyrë që të zbulojmë botën njerëzore, jetën që gëlon, jetën e thjeshtë jo me fisnikë apo fytyra tregtarësh e princash, por grash të popullit në jetën dhe punët e tyre të përditshme. Ky ishte piktori i madh Van Meer, ky është piktori gjenial Vermeer, që na ngazëllon sa herë e shohim…

Historia rokamboleske e kopjuesit të Vermeer

Kjo histori lidhet me Han Van Meegeren, një piktor që nga Amsterdami kishte ikur në Nice të Francës ku kishte hapur një atelier të tijin. Restauronte tablo dhe jepte mësime pikture, por pasioni i tij ishte Johanes Vermeer dhe në Francë kishte mundësi ti shikonte veprat e mjeshtrit në Louvre. Një ditë kur kishte gjetur rastësisht një tablo të vjetër e pa rëndësi të vitit 1690 një ide e habitshme i lindi: të pikturonte mbi të “Pelerinët e Emaus” të piktorit të njohur të Vermeer. Kur specialistët e panë këtê tablo u habitën që para tyre ishte një Vermeer-it. Kështu thoshte Meergeren çka e vërtetonte dhe shënimi i piktorit mbi të. Atëherë, ky kopjues i mrekullueshëm ia shiti tablonë Galerisë Mbretërore të Amsterdamit për 520.000 florins që ishte një shumë e madhe. Një tablo e panjohur e Vermeer ishte gjetur. Pas kësaj në vitet 1937-1939 ai punoi për krijimin e disa tablove të tjera si “Darka e Fundit”, “Jakobi duke bekuar Isakun” e më pas “Krishti dhe parabola e gruas që tradhëton” si dhe mbi një figureë të Jezusë. Më 1943, tablonë “Larja e këmbëve” të Vermeer ai e shiti për 1.200.000 forins. Nga viti në vit, specialistët e Renesancës dhe të artit hollandez po çuditeshin që ky njeri po zbulonte dhe shiste vepra të shquara të historisë së artit. Kjo dhe pas luftës së Dytê Botërore, por më vonë, Hollanda bëri inventarin për të parë mbi veprat e bastisura nga nazistët, ku njeri prej nazistëve më të mëdhenj , Goering, ishte një fans i madh i Vermeer.

Ata pikasën se në fakt, «Jezu dhe parabola e gruas tradhëtare » ishte blerë nga Goering për 1.650.000 florins dhe gjurmët e kësaj shitje i çojnë tek zoti Meergeren, duke mësuar se ai u kishte shitur gjermanëve 5 tabllo të mjeshtrit Vermeer. Atëherë e arrestojnë me akuzën se ai kishte rrënuar thesarin kombëtar në bashkëpunim me armikun. Kështu, i vunë me shpatulla për muri dhe Mergeren vendosi që më mirë të dënohej si kopjues i veprave të artit sesa për bashkëpunim me armikun. Ai tregoi se edhe pas luftës kishte pikturuar kopje të tilla, siç pati dhe një ofertë nga një galeri në Manhattan. Dhe kështu ai tregoi të vërtetën, por tashmë askush nuk e besonte dhe të parët ishin specialistët e artit. Kështu, gjatë hetimit dhe proçesit ai tregoi sesi kishte marrë tablo pa vlerë të shekullit XVII, si i pastronte ato, si ruante krisjet e bojës së tharë dhe sesi përdorte metodën e Vermeer-it, d.m.th. përdorimin e të njëjtave pigmente të piktorit të shquar, si të verdhën e plumbit, lapis-lazuli, si përdorte rëshirën sintetike, si i fuste tablotë të thaheshin në furrë etj. Por përsëri gjykata refuzonte të pranonte shpjegimet e tij, pasi të gjithë specialistët e Hollandës e të botës ishin të bindur që ato ishin tablo të Vermeer.

Atëherë ai u tha gjykatësve se ai madje i kishte shërbyer Hollandës, pasi nazistëve u kishte shitur për shuma të mëdha veçse kopje dhe se kjo ishte një formë rezistence. Por përsëri gjyqtarët kërkonin ta dënonin. Atëherë, më në fund ai kërkoi ta demostronte metodën e tij në sy të trupit gjykues dhe kështu u vendos: do tu bënte tablonë e Veermer-it në një telajo para tyre. Bëhej fjalê për tablonë “Jezu duke dhënë mësim në tempull”. Ndërkohë, policia franceze kishte kërkuar në atelierin e tij në Nice dhe kishte gjetur pigmentet e përdorura si dhe një tablo të pambaruar të tij, “Gruaja që po lexon letër”. Nga ana tjetër, specialistët më të mëdhenj të botës, që deri atëherë ishin vënë lojë nga Mergeren, filluan të studjojnë pigmentet e përdorura nga mjeshtri hollandez. Ata studjuan bojën “ceruse”, pra “të bardhën e Saturnit” të përdorur në telajo. Nga tablotë origjinale dilte se kjo ngjyrë, në të cilën përdorej plumb i nxjerrë nga minierat lokale, nuk ishte përdorur nga Meergere, pasi në fakt ai kishte përdorur të njëjtën ngjyrë por të prodhuar jo në shkullin e XVII por nga fundi i shekullit XIX dhe që vinte nga Amerika dhe Australia. Metoda ”Datation Pb” nxorri më së fundi gënjeshtrën apo të vërtetën që deri atëherë thoshte ky restaurator. Më së fundi, gjykata e kuptoi se kishte të bënte me një mjeshtër në kopjimin e tablove dhe e dënoi veçse me një vit burg. Dhe Meergeren do të deklaronte: ”Triumfi im si kopjues ishte njëkohësisht dhe dështimi im si një artist”. I lodhur nga stresi dhe ajo që po kalonte, ai vdiq nga zemra kur kishte veçse dy javë që ishte në burg.

Një diçka e çuditëshme ndodhi vite më vonë. Një ditë, baroni belg Frédéric, ndaloi në vitrinën e një tregëtari tablosh në Londër dhe pikasi një Vermeer, “La jeune femme assise au virginal” (“Vajza që luan në një lloj pianoje”) për të cilën më parë ishte thënë se ishte një Vermeer dhe më pas, nga historitë qê kishin ndodhur, u tha se kishin të bënin me një kopje. Ai e pëlqeu aq shumë këtë tablo sa ra dakort me shitësin që ti jepte si këmbim një tablo të Paul Klée, një Bonnard dhe një Signac.Në vitin 1993, këtë tablo baroni ia dha për ekspertizë specialistit botëror Gregory Ribinstein, i cili bëri analizat e tablos¨dhe më 2003 rezultoi se ishte një Vermeer e vitit 1670, një original. Një vit më vonë ajo u shit për 24,2 milion euro. Deri më sot njihen vetë 35 tablo të Vermeer. Më 2023, do të kemi fatin të shohim një ekspozitë të plotë me veprat e mjeshtrit hollandez organizuar nga Rijskmuseum.

“Bolonja”… Universiteti i parë në botë!

Universiteti i Bolonës është themeluar në vitin 1088, ai i Parisit, në 1160.

Global 360

Kurti pas takimit me Spiropalin: Diskutuam mbi bashkëpunimin e gjerë dhe të fuqishëm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kryeparlamentaren e Shqipërisë Elisa Spiropali

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

“Bolonja”… Universiteti i parë në botë!

Universiteti i Bolonës është themeluar në vitin 1088, ai i Parisit, në 1160.