Gjergji im!

Nuk e kisha parë, që nga atëhere, kur e sollën në burgun e Qafë-Barit, kur ai ishte vetëm 16 vjeç…


Nga Visar Zhiti

Nuk e kisha parë, që nga atëhere, kur e sollën në burgun e Qafë-Barit, kur ai ishte vetëm 16 vjeç, ndërsa unë isha duke pritur lirimin, pas shumë vitesh vuajtje të dënimit.

– Kaq i vogël, gjimnazist, në burg politik, e nga është?

– Nga Durrësi. Donte të arratisej, i vetëm, e kapën në Liqenin e Pogradecit, në kufi…

Guximi i tij s’kishte qenë thjeshtë një aventurë adoleshenti, por bindje, të ikte nga diktatura idiote shqiptare në Perëndim, atje ku ishin liria dhe dija, kështu ëndërronte, por nuk pati fat.

Fati i erdhi në burg. Bëhet një amnisti e detyruar, që atë “e kapi” dhe e lirojnë prej moshës fare të re dhe pritën të bëhej 18 vjeç që ta burgosnin prapë. Kur e sollën sërish në Qafë-Bari, unë ndërkaq kisha dalë dhe s’u pamë më.

…Dhe shëmbet Muri ndarës i Berlinit, befas, kështu na u duk neve, ra perandoria komuniste dhe diktatura në Shqipëri u zhbë dhe ai doli sërish nga burgu…

Është Gjergji, Gjergj Hani, bashkëvuajtësi, jeton në Tiranë, duhej takuar patjetër, nuk ishte vetëm malli, kisha biseduar me të së voni, nga larg, me këto mjetet moderne, ishim shkruar, i lexoja meditimet dhe esetë e tij, ia dija sinqeritetin dhe mençurinë, konservatorizmin dhe idetë, që shkonin lart, jo te shteti, se janë ca që atë kanë lartësinë më të madhe, por në Qiell, në universin me mistere dhe shpirt.

Gjergji tani mbart përvojën e 20 viteve në Itali, punën në një gazetë të djathtë atje dhe dëshirën serioze t’i shërbejë vendit të tij. Demokracisë, konservatorizmit, madje, ashtu pa bujë e urtësi e me guxim qytetar të bashkojë të djathtën shqiptare, pse jo, edhe pse duket e pamundur dhe të sjellë atë që ka munguar në politikën shqiptare, frymën perëndimore të të burgosurve të ndërgjegjes, të të pushkatuarve të idealit, megjithese e di që të mbyt duhma e enverizit, e atyre që e kanë ende idol enverin, edhe pse u duket se bëjnë ndryshe, por ia hedhin veç vetes, kanë mbetur trutredhur si në socializmin e parë, kur ngjireshin nga hosanatë e tyre të pështira si shëllira e djathit me tallona…
Ndryshimin mund ta sjellim së bashku, thotë Gjergji, vetëm nuk mundet askush, tha dhe gjatë fushatës për kryetar të PD-së, kur mbeti vendi bosh dhe i tillë duket ende. Nuk doja postin, por desha të zgjoj, ngulmon i qetë, desha të tregoj që ne jemi dhe e dimë çfarë bëhet…

Por në takimin tonë nuk ishin këto tema kryesore e bisedës. E dëgjoja me ëndje. Mirësia i lodronte në fytyrë dhe dritëhijet e pasdites, por dhe të mendimit filozofik, sytë vështronin shumë më përtej, me një trishtim nga ato të mosshpresës, por ai ka më të fortë jetën e brendshme se përditshmërinë, edhe pse nuk i shmanget asaj, e ka të qartë ç’është mbijetesa dhe ç’është jeta e vërtetë, për këtë kulturë është, politikë të moralit dhe moral të politikës. I njeh eunukët e socrealizmit, aktivizimin sharlatan të tyre, mbrojta më e mirë është sulmi, i ka mësuar Stalini ata, dhe “fletë-rrufetë” e dikurshme i rimojnë dhe i zbardhin në bejte demokratike, est-etika e tyre trashanike, etika-e-lindjes-së-kuqe, sa kurajo kanë marrë nga Kina tani, po thoshim, të vjen keq, por edhe turp. Duhej të flisnim dhe për këtë dukuri, që po bën çmosin të duket… dhe nduket. Ka një ndotje tjetër të mjedisit mendor, kur humbësit banalë kreshpërohen si fitimtarë dhe duan të sundojnë realitetin si të ishte veç i tyre, si i lënë trashëgim nga enveri, madje duke e quajtur veten donkishotërisht si nga ana e drejtë e historisë, kur s’janë të drejtë as me ata që kanë pranë. Dhe ia dalin… Do t’i vuajmë si kapterat e burgut, vazhdimi pandemik i tyre janë, por kafshimet prej qensh të tyre s’na dhëmbin më, kështu po thoshim. Nuk do marrshojmë, do ecim në rrugën tonë, njerëzisht, thjeshtë…

Shoh Gjergjin përballë si për të marrë forcë prej tij. Hija e borsalinës i bie mbi fytyrë si një metaforë dhe më dukej se përhapet gjithandej për mirë. Dhe më vjen të them:

– Sa vonë është vendi ynë dhe ti je shpejt, Gjergji im!

Lexo më shumë nga

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…

Global 360

CNN zbulon prapaskenën e tërheqjes së Biden

Vendimi përfundimtar i Presidentit Joe Biden për t’u larguar nga gara u mor në 48 orët e fundit

Diplovista

Rakipi: Bisedimet Kosovë-Serbi të përqendrohen tek njohja, jo më në çështje teknike

Kryetari i Institutit për Studime Ndërkombëtare Albert Rakipi thotë se ka ardhur koha për një qasje tjetër në dialogun mes…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Lamtumirë mjeshtër!

Tani më shumë se kurrë ka zënë vendin e tij në panteonin e letrave botërore.

Profil

Një emër i njohur i elitës intelektuale dhe politike të çerekshekullit të fundit

75-vjetori I lindjes -- Rrugëtimi i Z. Koçi Tahiri nga galeritë e Bulqizës në sallën e legjislativit shqiptar (2017-2021)

Masmedia

Miratohet reforma zgjedhore, voton diaspora

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme me 106 vota pro draftin e i dakordësuar PS-PD për ndryshimet në Kodin…