Kisha e “Shën Mërisë” në Vllahogoranxi daton në vitin 1622!

Kisha është pikturuar në vitin 1622 nga Onufër Qiprioti dhe Alivizi. Tashmë është restauruar tërësisht


Nga Andrea Llukani

Sipas Prof. Pirro Thomos kisha e Shën Mërisë në fshatin Vllahogoranxi është e tipit bazilikë me kupolë, me përmasa 7.50×6.80 metra. Ajo përbëhet nga naosi dhe altari. Vite më vonë është shtuar narteksi. Pjesa e vjetër e kishës ka në brendësi të saj gjashtë kolona prej rrotullash guri, të cilat lidhen me njëra-tjetrën me llaç dhe kapitele guri. Mbi kollonat kalojnë dy harkada, që e ndajnë kishën në tri nefe. Naosi lidhet me narteksin në anën perëndimore. Kisha është e ndërtuar me gurë, të lidhur me llaç gëlqereje.

Nëpër qoshet e mureve ka blloqe gurësh të mëdhenj. Mbi portën perëndimore të kishës ka zbukurime antike. Mbi katër kolonat nga lindja, nëpërmjet një sistemi harqesh mbajtëse, ngrihet tamburi, i cili mbulohet nga kupola.

Tamburi i kishës përbëhet nga disa nike të shkallëzuara dhe të harkuara në pjesën e poshtme. Fushat e nikeve janë me zbukurime me tulla. Edhe në pjesën e sipërme të tamburit është një kornizë tullash në trajtë sharre. Mbi të kalon një frizë e rrafshët me gurë çmërsi. Tamburi mbyllet me një kornizë të dalë. Kisha mbulohet me një çati të gjerë dyujëshe. Naosi ndriçohet nga tri dritare të ngushta drejtkëndëshe. Hyrja për në naos është në murin perëndimor të kishës. Altari i kishës ndahet nga naosi me një ikonostas druri të gdhendur. Nga ana lindore është apsida gjysmërrethore, e cila ndriçohet nga një dritare e ngushtë. Narteksi mbulohet me një sistem qemerësh. Pjesët anësore të narteksit mbulohen me qemere cilindrikë me pamje çerek rrethi.

Kisha e Shën Mërisë në Vllahogoranxi është pikturuar në vitin 1622 nga Onufër Qiprioti dhe Alivizi. Ky fakt vërtetohet nga një mbishkrim që gjendet mbi faqen e murit jugor të kishës. Mbishkrimi është i dëmtuar ngaqë ka rënë suvaja. Ανακενησθη…? ημον Θεοτοκου κε αυπ(αρθενου Μαριας) /…τατου ημον κιρου…/ οστης αυτης μονης…/μοχθου και εξοδου τον…./(Ο)νουφριου Κηπρεου κε Αληβιζηου…/αχκβ (=1622). “U pikturua….i Hyjlindëses dhe gjithmonë virgjëreshës….zotit…..të këtij manastiri….me mundimet dhe shpenzimet e …..Onufër Qipriotit dhe Aliviziu…1622”.

Sipas Dhorka Dhamos, afresket e pikturuara nga Onufër Qiprioti në kishën e Shën Mërisë në Vllahogoranxi janë në ekuilibër. Ka një marrëveshje të heshtur në mes të afreskeve me njolla të plota të kuqe, të verdha, të gjelbra, okër, të kaltra dhe botës së brendshme të figurave pa shpërthime dramatike, si ato të mësuesit të tij Onufrit.

Në pavijonin e ikonave pasbizantine të Muzeut historik Kombëtar është ekspozuar ikona Fjetja e Hyjlindëses, me përmasat 44×35 cm dhe numër inventari 3655. Ikona është pikturuar në vitin 1775 nga ikonografi Joan Athanasi. Gjithashtu gjendet ikona Shën Mëria me Krishtin, e një autori anonim, që i përket Shek. XVII. Ikona ka përmasat 33,3×43,4 dhe numër inventari 3678.

Kulla e kambanerisë në anën jugperëndimore të kishës është në formë blloku, prej guri. Kambaneria është ndërtuar në vitin 1874. Kisha e Shën Mërisë në Vllahogoranxi është restauruar tërësisht në vitet 2001-2002. Ndërhyrjet restauruese u bënë për konsolidimin e konstruksionit, rikonstruksionin e çatisë, rindërtimin e dyshemesë etj. Ndërhyrje konservuese u bënë në ikonostasin e kishës, amvonin, fronin dhespotik, si edhe në ndenjëset ku ulen besimtarët. Shuma e përgjithshme e restaurimit ka kapur shumën e 151.250 dollarëve amerikanë.

 

Vengu në bazën e Pashalimanit: Rritje e buxhetit për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një vizitë në bazën detare të Pashalimanit.

Global 360

Siria njeh Kosovën

Siria është shteti numër 120 që njeh pavarësinë e Kosovës

Diplovista

Rama për “The Politico Berlin Playbook”: ‘AI’ për pastrim të legjislacionit nga mbivendosjet dhe në prokurimet publike

Kryeministri Edi Rama u shpreh gjatë një interviste për podcast-in “The Politico Berlin Playbook”, pjesë e revistës “Politico” në Gjermani,…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Fatos Nano i mundi të gjithë pa e kuptuar, siç mediat nuk e kuptuan edhe pse falë tij lulëzuan!

Racional, me sens humori, si një lider i vërtetë Fatos Nano i demokratizoi të gjithë, në fund edhe kundërshtarët e…

Profil

Elisabeta Katiaj – Zëri i gruas në biznes dhe në diasporë

Si nënkryetare e Dhomës së Biznesit të Diasporës Shqiptare, Katiaj ka ndihmuar në ngritjen e një platforme të fortë për…

Masmedia

Vengu në bazën e Pashalimanit: Rritje e buxhetit për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu zhvilloi sot një vizitë në bazën detare të Pashalimanit.