Epoka e post-së vërtetës, “faktet alternative” dhe Kina në lupën e medias

Nuk është hera e parë që mediat përhapin dezinformata për Kinën mbi krizën në Ukrainë.


 

Nga Dr. Marsela Musabelliu

Psikologët përdorin termin “gaslight” (shqipëruar ndriçim/ndezje me gaz) për t’iu referuar një lloji specifik të manipulimit, ku dikush përpiqet të krijojë dyshime për realitetin, kujtimet apo perceptimet tek një person tjetër apo një grup personash. Dhe sipas psikologëve, ky është një problem serioz. Kjo fjalë lidhet ngushtë me një fjalë tjetër që në 2016-ën u zgjodh nga Fjalori i Kembrixhit si fjala e vitit: “post-e vërteta”, ose prirja për të pranuar një ide si të vërtetë mbi bazën e emocioneve dhe jo të fakteve. Vitet e fundit kemi parë sesi, në shumë vende të ndryshme, opinioni publik, grupet që shpërfillin faktet, provat dhe madje edhe logjikën po përdorin këtë taktikë. Qëllimi është që të dobësohet psikologjikisht shënjestra për të ndikuar mbi perceptimet, sjelljet dhe vendimet e tyre. Eshtë një formë e manipulimit psikologjik që kërkon të mbjellë farat e dyshimit në një individ ose grup, dhe mbështetet në mohimin e vazhdueshëm, kontradiktën dhe gënjeshtrën.

Një vit pas këtij termi në botën mediatike dhe politike është përdorur gjërësisht, shpeshhere me ironi termi “fakte alternative”!  Fraza u përshkrua gjerësisht si Orvelliane, por pati impakt në publik. Në nivelin e tij më themelor, një fakt alternativ është një deklaratë që paraqitet si e vërtetë, por është e rreme ose mashtruese. Në thelb është një formë dezinformimi që është krijuar për të manipuluar opinionin publik ose për të formësuar perceptimin publik në një mënyrë që është e favorshme për personin ose grupin që paraqet “faktet alternative”. Sa më sipër u tha për herë të parë nga Këshilltarja e Shtëpisë së Bardhë, Kellyanne Conway, dhe u aprovua nga shefi i saj asokohe Donald Trump, pronari verbal i “fake news” ose lajmeve të rreme.

Që nga ai vit e më pas, këto fraza janë normalizuar dhe po ti shtojmë edhe kulturën e përdorjes masive të internetit dhe rrjeteve sociale – që inkurajon kundërthënës të shpejtë dhe efikasë pa baza faktike –  ka arritur në nivele të paprecedentë. Të gjitha sa më sipër, kohët e fundit janë aplikuar për të përshkruar Kinën, politikat e saj të jashtme dhe së fundmi, edhe për të shtrembëruar fjalët e Përfaqësuesit Special të Kinës për Çështjet Euroaziatike, Li Hui.

Kina dhe narrativa mediatike e epokës së  “post-të vërtetës”

Duke filluar nga 15 maji, Përfaqësuesi Special i Kinës për Çështjet Euroaziatike, z. Li Hui, zhvilloi një vizitë në pesë vende evropiane. Ndalesa e tij e parë ishte Ukraina, me pas agjenda mbante takime në Poloni, Francë, Gjermani dhe Rusi. Misioni i tij është një zgjidhje politike e krizës në Ukrainë. Më herët, Kina ka publikuar qëndrimin e saj për zgjidhjen politike të krizës në Ukrainë dhe ka marrë aprovim të gjerë nga komuniteti ndërkombëtar. Vizita e Li Huit pasqyron promovimin e bisedimeve të paqes nga ana e Kinës.

Gjatë udhëtimit të tij Li shpjegoi pozicionin e Kinës dhe dëgjoi mendimet dhe sugjerimet nga të gjitha palët. Të gjitha vendet dhe organizatat që vizitoi Li i kishin kushtuar një rëndësi të madhe udhëtimit dhe e njohën plotësisht rolin pozitiv të Kinës në promovimin e bisedimeve të paqes. Por, konflikti është ende në një fazë kritike, dhe Kina do të vazhdojë të veprojë sipas thirrjes së presidentit Xi Jinping për përpjekje të përbashkëta,  deklaron Ministria e Jashtme e Kinës.

Ende pa u nisur për në Ukrainë, pritshmëritë kryesore që liderët evropianë  kishin, ishte një situatë ku  Kina do të ishte në gjendje të ushtronte presion ndaj Rusisë. Por, misioni i z. Li për Pekinin zyrtar  tregon përpjekjet kineze për të ndihmuar situatën me anë të politikës dhe  veprimeve, dhe ky udhëtim është vetëm fillimi, me pak fjalë një mision eksplorues.

Por, pa nisur udhëtimi filloi skepticizmi, edhe pse në këtë fazë nuk ka asnjë arsye për skepticizëm si sistem, si metodë apo si formulë operacionale. Mbidoza e skepticizmit në fakt erdhi nga media perëndimore, pasi ky është një fenomen i ri në këtë nivel të marrëdhënieve të larta ndërkombëtare. Është risi që bota të shohë Kinën të luajë një rol kaq të hapur të përfshirë, kur bëhet fjalë për një konflikt në zemër të Evropës.

Dr. Marsela Musabelliu

Li Hui, u nis  në këtë mision me presion të jashtëzakonshëm, dyshime, skepticizëm, një sasi të madhe të shtresave të retorikës në vende të ndryshme ku ai po udhëton. Me të gjitha këto kompleksitete ai duhet të sigurohet se diskursi duhet të jetë i qartë dhe dialogu duhet të jetë konstruktiv.

Pa u fashitur mirë gjithçka, Wall Street Journal  (WSJ) raporton se “Një zyrtar Perëndimor që di bisedimet midis ambasadorit kinez dhe qeverive evropiane bëri të ditur se, Kina propozoi një plan për ndalimin e zjarrit, duke pranuar që Rusia të zërë tokën e Ukrainës të pushtuar”.

Por, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba mohon që i dërguari kinez u bëri thirrje vendeve evropiane që të njohin territoret ukrainase si pjesë të Rusisë. Ai vuri në dukje se pas shfaqjes së këtij informacioni kontaktoi kolegët e tij evropianë nga kryeqytetet që vizitoi Li Hui dhe asnjëri prej tyre nuk e konfirmoi.

I menjëhershëm edhe reagimi i Pekinit, Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Mao Ning, hodhi poshtë gjithashtu raportin e Wall Street Journal që citonte zyrtarë perëndimorë të thoshin se Kina po propozon një armëpushim që do të linte Rusinë në zotërim të pjesëve të Ukrainës. Publiku duhet t’i referohet leximeve që Kina ka lëshuar në udhëtimin e Li për informacion autentik, tha ajo.

Historia që përsëritet

Nuk është hera e parë që mediat përhapin dezinformata për Kinën mbi krizën në Ukrainë. Disa media të tilla si New York Times dhe CNN kanë ngritur “konsideratën” e Kinës për dërgimin e armëve në Rusi dhe kanë shtrembëruar marrëdhëniet Kinë-Rusi si një “aleancë autokracie”. Gjë që nuk ishte e vërtetë.

Qeveria kineze nuk u konsultua me Kievin kur përgatiti planin e saj të paqes për t’i dhënë fund luftës së Rusisë në Ukrainë, tha një zyrtar i lartë ukrainas në kushte anonimiteti, shënon Radio Evropa e Lirë. Në fakt sa herë ka deklarata në kushte anonimiteti rreth Kinës, dihet përfundimi.

Plani i paqartë i Kinës nuk synon t’i japë fund luftës, por t’i bëjë përshtypje botës në zhvillim dhe të kundërshtojë akuzat se Pekini është bërë një bashkëpunëtor i heshtur i Moskës, shënon Carnegie Europe. Sërish edhe kjo e kontestuar nga Pekini,

“Plani i Paqes” i Kinës për Ukrainën nuk ka të bëjë me paqen. Uvertura diplomatike e Pekinit ka tre motive të fshehta, shënonte Foreign Policy para një muaji.

Kina thotë se dëshiron paqe në Ukrainë, por a është kjo vetëm me kushtet e Rusisë? Vazhdon CNN në prill të këtij viti.

A mund të besohet ende sinqeriteti kur ju thuhet udhëheqësve evropianë se Kina mbështet një zgjidhje paqësore të krizës midis Rusisë dhe Ukrainës? Shënon italianja Corriere della Sera.

Që në fillim të konfliktit, spekulimet për pozicionin e Kinës kanë qenë të panumërta, por 15 muaj më pas, në retrospektivë mund të kuptohet se pozicioni i Pekinit ka qenë statik dhe koherent.

Për t’ju përgjigjur të gjithave sa  më sipër, mjafton të shohim çfarë thotë Fu Cong, ambasadori i Misionit të Kinës në BE, “nuk jam dakord me atë vlerësim [që Kina është në anën e Rusisë] Kina e ka shumë të qartë se qëndron në mbështetje të integritetit territorial të të gjitha vendeve. Sigurisht, nëse duam të kërkojmë realisht një paqe të qëndrueshme në çdo rajon.”

Kur u pyet pse Kina nuk e ka dënuar Rusinë, Fu tha: “Unë mendoj se në këtë fazë, në fakt, një dënim i thjeshtë nuk e zgjidh problemin, pasi mund të zvogëlojë hapësirën për zgjidhje diplomatike.”

Së fundmi, media në kohët tona ka pushtet të jashtëzakonshëm në impakt, në formëzim idesh për publikun por edhe ka përgjegjësi të madhe ndaj opinionit. Nëse faktet bëhen alternativë, dhe ndarja midis realitetit dhe trillimit bëhet përherë e më e pakuptueshme, atëherë edhe deklaratat zyrtare shkojnë përtej lajmit. Në fund të fundit fjalët e Li Hui mund të keqinterpretohen, por ato janë mëse të qarta për cilindo, dhe  këtu përshtatet shprehja “Unë jam përgjegjës për çfarë them, jo për çfarë kupton ti.”

Rama: Tirana do të jetë kryeqyteti europian i gjithë rajonit

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kryeqyteti shqiptar, Tirana në fillim të viteve ’90 dhe transformimet rrënjësore që qyteti…

Global 360

Osmani: Kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm për përkrahjen e anëtarësimit të Kosovës në KiE

Në Komitetin për politikë dhe demokraci të Këshillit të Evropës, sot pritet të votohet raporti për Kosovën për anëtarësim në…

Diplovista

Moisiu: Greqia të ndryshojë sjelljen ndaj Shqipërisë!

Ish-presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, intervistë për Euronews Albania

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

NATO shpëtoi Kosovën nga spastrimi etnik i forcave serbe!

Ish-Ministri i Jashtëm: 24 Marsi i vitit 1999 mbetet i pashlyer në memorien e kombit tonë!

Profil

Ibrahim Kodra, “poskubisti” i fundit në Europë

Kur ishte fëmijë, portreti që i bëri komandantit të xhandarmërisë së qytetit rezultoi fatsjellës për të.

Masmedia

Rama: Tirana do të jetë kryeqyteti europian i gjithë rajonit

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kryeqyteti shqiptar, Tirana në fillim të viteve ’90 dhe transformimet rrënjësore që qyteti…