
Salla: Paketë 5,2 miliardë lekë për fermerët, kompensim 10% dhe kredi me garanci
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot Paketën e Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për vitin 2026, duke e cilësuar si skemën më të madhe ndonjëherë për fermerët dhe agrobizneset shqiptare.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla prezantoi sot Paketën e Mbështetjes për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural për vitin 2026, duke e cilësuar si skemën më të madhe ndonjëherë për fermerët dhe agrobizneset shqiptare.
Ministri Salla nënvizoi se mbështetja e bujqësisë mbetet një prioritet strategjik i qeverisë shqiptare dhe theksoi se paketa e këtij viti, me një buxhet total prej 5,2 miliardë lekësh, ofron një qasje të integruar që synon rritjen e prodhimit, formalizimin e tregut dhe përmirësimin e potencialit tregtar të fermerëve.
“Kjo paketë sjell buxhetin më të lartë ndonjëherë për fermerët dhe agrobizneset, adreson nevojat prioritare të sektorit bujqësor dhe e përafron atë me standardet e Bashkimit Europian”, tha ai.
Skema Kombëtare e Mbështetjes përfshin pagesa direkte për fermerët, si dhe investime në sektorët prioritarë të bujqësisë dhe blegtorisë.
Salla bëri të ditur se për herë të parë, ajo është hartuar pas 23 dëgjesave publike në të gjitha qarqet e vendit, ku fermerët paraqitën propozime konkrete, të cilat po shqyrtohen dhe do të reflektohen në draftin përfundimtar që më pas do të miratohet nga Këshilli i Ministrave.
Ministri shpjegoi edhe politikën për kompensimin 10% mbi vlerën e faturës së shitjes së produkteve bujqësore dhe blegtorale.
Salla ftoi fermerët të marrin autofaturat dhe të jenë pjesë e kësaj pakete, në mënyrë që përveç përfitimit përmes skemës prej 5,2 miliardë lekësh të përfitojnë edhe 10% për çdo faturë në çdo produkt të bujqësisë. Për këtë, ministri theksoi rëndësinë e pajisjes së tyre me NIPT.
“Një nga nismat kryesore është kompensimi 10% mbi vlerën e faturës së shitjes së produkteve bujqësore dhe blegtorale, i cili përfshin faturat e lëshuara nga pikat e grumbullimit, përpunuesit dhe subjektet e agroturizmit. Fermerët mund të dorëzojnë autofaturat çdo gjashtë muaj pranë zyrave tatimore rajonale dhe të përfitojnë rimbursimin direkt në llogaritë personale, duke siguruar një proces të thjeshtë dhe transparent”, shpjegoi ministri.
Për të mbështetur aksesin në financim, ministri po ashtu bëri të ditur se Qeveria ka vendosur një fond garancie prej 3 miliardë lekësh, i cili mbulon deri në 70% të kolateralit.
Kriteret përfshijnë normë interesi 2%, kredi deri në 25 milionë lekë për përfitues, afat shlyerjeje 3-5 vjet dhe periudhë grace jo më pak se 12 muaj.
Ministri Salla nënvizoi gjithashtu avancimin për hapjen e programit IPARD III brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, me një vlerë totale prej 147 milionë euro, duke garantuar zhvillim të qëndrueshëm dhe përputhje me standardet europiane.
Ministri Salla deklaroi se Paketa e vitit 2026 është një angazhim konkret për fermerët dhe zonat rurale dhe se Qeveria do të vazhdojë t’i dëgjojë fermerët dhe të investojë për një bujqësi më të fortë, më të formalizuar dhe më konkurruese, duke siguruar një të ardhme më të qëndrueshme për sektorin bujqësor dhe rural të Shqipërisë.
Burimi ATSH



















