
Salla në Greqi: Forcim i bashkëpunimit në bujqësi
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla po zhvillon një vizitë në Greqi, që konsiderohet e rëndësishme për forcimin e lidhjeve dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e bujqësisë.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla po zhvillon një vizitë në Greqi, që konsiderohet e rëndësishme për forcimin e lidhjeve dhe rritjen e bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e bujqësisë.
Objektivi kryesor i kësaj vizite, siç shpjegon ministri në një intervistë për gazetën greke Ta Nea, është rritja e shkëmbimeve tregtare dhe thellimi i bashkëpunimit në fushën e bujqësisë, një sektor kyç për ekonominë e të dyja shteteve.
Vizita, vjen në një moment kur bujqësia shqiptare po synon të inkorporohet më thellë në tregun e përbashkët evropian.
Në këtë kontekst, ministri Salla thekson se Shqipëria është e angazhuar të përmirësojë politikat e saj bujqësore dhe t’i përshtatet rregullave dhe normave të Bashkimit Europian.
Në Athinë, Salla u takua me disa figura kyçe të politikës dhe biznesit grek.
Ai zhvilloi një takim të rëndësishëm me homologun e tij grek, ministrin e Zhvillimit Rural dhe Ushqimit, Konstantinos Tsiaras, ku janë diskutuar mundësitë për rritjen e shkëmbimeve bujqësore midis dy vendeve.
Vizita vijoi me një ndalesë në Parlament për bisedime me kryetaren e Komisionit të Përhershëm të Prodhimit dhe Tregtisë, Fotini Arabatzi.
Menjëherë pas kësaj, ministri shqiptar i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural do të pritet në Ministrinë e Jashtme greke nga zëvendësministri i Jashtëm, Haris Theoharis, përgjegjës për çështjet e Diplomacisë Ekonomike dhe Hapjes dhe më vonë do të vizitojë Dhomën Tregtare tē Profesionistëve të Athinës për një takim, ndër të tjera, me presidentin e institucionit, Jannis Hatzitheodosiou.
Po ashtu, ai zhvilloi takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Greqi dhe ka vizituar disa biznese shqiptare që operojnë në këtë vend.
Ministri Salla nënvizoi tre objektiva kryesore të kësaj vizite: së pari, forcimin e shkëmbimeve tregtare dypalëshe; së dyti, thellimin e bashkëpunimit institucional për harmonizimin me politikat e BE-së; dhe së treti, përfshirjen e ekspertizës greke në zbatimin e Politikës së Përbashkët Bujqësore (PBB), që ka pasur një sukses të madh në Greqi.
Salla e konsideron këtë eksperiencë si një mundësi të shkëlqyer për të mësuar nga praktikat e provuara të Greqisë, të cilat mund të aplikohet edhe në Shqipëri.
Në intervistën e tij për Ta Nea, Salla theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në kontekstin e ndryshimeve klimatike.
Ai nënvizoi se ndarja e përvojave dhe zhvillimi i zgjidhjeve të përbashkëta mund të luajnë një rol të rëndësishëm në menaxhimin e ujërave, bujqësinë e qëndrueshme dhe mbrojtjen e të ardhurave të fermerëve.
“Ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të dukshme, dhe Greqia dhe Shqipëria, për shkak të afërsisë gjeografike dhe kushteve të ngjashme klimatike, mund të zhvillojnë strategji të përbashkëta për të luftuar këto sfida”, tha Salla.
Një tjetër çështje e rëndësishme që u diskutua gjatë vizitës ishte mbështetja që Shqipëria po kërkon nga Greqia për të përfunduar negociatat me Bashkimin Europian në lidhje me politikën bujqësore.
“Marrëdhëniet shqiptaro-greke duhet të vazhdojnë të zhvillohen me frymë pozitive, të bazuara në interesat tona të përbashkëta strategjike, bashkëpunimin tonë të ngushtë në kuadër të NATO-s dhe perspektivën tonë evropiane”, theksoi ministri shqiptar.
Salla theksoi se Bashkimi Europian do të luajë një rol kyç në rritjen e qëndrueshmërisë së bujqësisë shqiptare, dhe një mbështetje e fortë nga Greqia është e nevojshme për të përshpejtuar këtë proces.
Burimi ATSH


















