
Mogherini: 41 studentë e 32 profesorë të kombësive të ndryshme në Kolegjin e Evropës në Tiranë
Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës, u shpreh sot se për vitin akademik 2025-2026, në këtë kolegj janë përzgjedhur 41 studentë nga 196 aplikues.

Federica Mogherini, rektore e Kolegjit të Evropës, u shpreh sot se për vitin akademik 2025-2026, në këtë kolegj janë përzgjedhur 41 studentë nga 196 aplikues.
Në çeljen e Vitit Akademik të Kolegjit të Europës ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama, Mogherini tha se nga studentët e përzgjedhur 52% janë femra dhe 48% meshkuj.
“Kjo ka të bëjë edhe me gjithçka që po ndodh në Shqipëri për balancën gjinore. Janë 24 kombësi dhe kjo është pjesë e kësaj historie. Sa herë themi që kolegji ka hapur një kampus në Tiranë, jo kampus i Evropës, janë 24 kombësi përtej Ballkanit Perëndimor. 2/3 e studentëve vijnë nga shtete anëtare, por është kombësia franceze më shumë e përfaqësuar”, tha Mogherini.
“90% janë me bursa, ose me një asistencë financiare dhe ky është një element i rëndësishëm sepse ne duam që studentët të vijnë nga fushat e ndryshme. Kjo është një ftesë për partnerët që të vazhdojnë të përkrahin studentët tanë që të ruajmë këtë larmi”, vijoi ajo.
Rektorja e Kolegjit Evropian u shpreh se janë 32 profesorë që jetojnë e punojnë në Shqipëri, të gjithë nga kombësi dhe histori të ndryshme në karrierë.
“Kjo lloj larmie që ne kemi na flet për shumë gjëra. Së pari, është fakti që këtu shijojmë motin, koha është e keqe sot, po dje ishte borë në Bruksel. Arsyeja tjetër është që ne jemi këtu që ta bëjmë integrimin evropian sukses dhe kjo do të ndodhë nëse do të plotësohen tre kushte. Së pari, vullneti politik i vendeve kandidate, kjo ekziston. E dyta vullneti politik edhe brenda shteteve anëtare dhe së treti kapacitetet e shoqërisë që të kryejnë këto reforma madhore, por edhe kapacitetet teknike”, theksoi Mogherini.
Mogherini tha se qëllimi i Kolegjit ë Evropës është që të bëjë bashkë studentë dhe profesorë, që jo vetëm studiojnë zgjerimin e BE-së dhe Evropën, por edhe jetojnë proceset e transformimit të këtyre vendeve.
“Të gjithë thonë, kjo është vala e zgjerimit, për shkak të sigurisë, gjeopolitikës etj. Është shumë e rëndësishme të plotësojnë integrimin e plotë të BE-së në mënyrë që të kontribuohet në sigurinë, por edhe në paqen e rajonit dhe Evropës”, vijoi ajo.
Në fund të fjalës, Mogherini nënvizoi se fuqia më e madhe është tek dija dhe njohuritë. Ajo u bëri ftesë studentëve të këtij kolegji që ta përdorin këtë mundësi, jo vetëm për të mësuar dhe për t’u argëtuar, por edhe për të kuptuar se sa fuqi ata kanë në dorë për ndikimin shndërrues që do të sjellë puna dhe dija e tyre.
/Burimi ATSH

















