
Ballanca: Domosdoshmëri rritja e numrit të gjyqtarëve
Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u shpreh sot se harta e re gjyqësore dhe ulja e numrit të gjykatave nuk e ka përmirësuar perceptimin e qytetarëve për drejtësinë.

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca u shpreh sot se harta e re gjyqësore dhe ulja e numrit të gjykatave nuk e ka përmirësuar perceptimin e qytetarëve për drejtësinë.
Gjatë prezantimit të raportit vjetor për vitin 2024, për institucionin e Avokatit të Popullit, Ballanca tha se rritja e numrit të gjyqtarëve mbetet një domosdoshmëri, për një vend si Shqipëria.
Sipas Avokates së Popullit, është dorëzuar një raport për eficiencën e hartës së re gjyqësore, e fokusuar në të drejtat e fëmijëve në procese që lidhen me divorcet e prindërve dhe detyrimin ushqimor të prindërve.
Sipas Ballancës, ajo që është evidentuar është fakti se harta e re gjyqësore ka përkeqësuar ndjeshëm adresimin e çështjeve të fëmijëve në vendimmarrje konkrete.
“Kemi dalë në disa rekomandime, qoftë me masa që duhet të ndërmerren për vendimmarrje paraprake procedurare. Ky rekomandim i është dërguar Këshillit të Lartë Gjyqësor, i cili e ka shpërndarë në të gjitha gjykatat e vendit”, tha Ballanca.
“Ne kemi qenë kundër hartës së re gjyqësore, dhe kemi shprehur mendimin tonë në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje. Avokati i Popullit vlerëson se ulja e numrit të gjykatave nuk përmirëson shërbimin dhe as perceptimin e drejtësisë sepse mbyllja e gjykatave e çon shumë më larg prezencën e shtetit. Numri i çështjeve gjatë vitit të kaluar në rang republike është ulur, që tregon se qytetarët nuk shkojnë më në gjykata sa më parë për shkak të largësisë, të besimit etj”, theksoi ajo.
Avokatja e Popullit, nënvizoi se Gjykata e Lartë mbetet një shqetësim i madh, pavarësisht faktit se ka përmirësuar stokun e çështjeve. Sipas saj, prurjet në Gjykatën e Lartë janë 1/3 në krahasim me prurjet kur gjykata funksiononte me kapacitetet të plotë.
“Ulja e stokut është e përkohshme sepse mes prurjeve dhe trajtimit të çështjeve, ulja vjen për shkak të gjyqtarëve që janë në sistem. Por, rritja e numrit të gjyqtarëve mbetet një domosdoshmëri, për një vend si Shqipëria”, pohoi Ballanca.
Burimi ATSH



















