
Gonxhja: Përmes AKR-së, forcojmë lidhjen mes turizmit, kulturës, sportit dhe energjisë rinore
Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) organizoi një aktivitet prezantues, ku u bë publike qasja dhe vizioni i ri i institucionit, nën drejtimin e drejtoreshës së re, Sara Bodo.

Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) organizoi një aktivitet prezantues, ku u bë publike qasja dhe vizioni i ri i institucionit, nën drejtimin e drejtoreshës së re, Sara Bodo.
Sipas AKR-së, ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në orientimin strategjik të agjencisë, tashmë në varësinë e ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Sipas njoftimit të AKR-së, në përputhje me prioritetet e ministrisë dhe objektivat e Strategjisë Kombëtare për Rininë (SKR), ky takim kishte për qëllim të vendoste bazat për një bashkëpunim më të fortë dhe të qëndrueshëm me aktorët që kontribuojnë në zhvillimin dhe përfshirjen e të rinjve në jetën sociale, kulturore dhe institucionale të vendit.
Një tjetër fokus, ishte edhe nxitja e dialogut dhe ndërveprimit me organizatat partnere që synojnë të krijojnë ndikim konkret në terren, përmes projekteve që fuqizojnë të rinjtë dhe përmirësojnë komunikimin publik mbi çështjet që i prekin ata drejtpërdrejt.
Të pranishmit në këtë event, mes të cilëve përfaqësues nga Delegacioni Evropian në Shqipëri, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, bashkive dhe institucioneve të tjera partnere, patën mundësinë të socializohen, të ndajnë ide dhe të ngrenë ura të reja bashkëpunimi në një atmosferë të hapur dhe konstruktive.
Në një reagim në rrjetet sociale, Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, u shpreh se është përgjegjësi dhe vlerësim i veçantë që ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, i është besuar tashmë edhe Portofoli i Rinisë.
“Kjo është një sfidë e bukur dhe një mundësi, jo vetëm për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi, por edhe për të forcuar lidhjen mes turizmit, kulturës, sportit dhe energjisë rinore që është motori lëvizës i vendit tonë”, tha Gonxhja, ndërsa theksoi se përmes AKR-së, do të ndërtohet një realiteti ku çdo i ri ka mundësi të krijojë, të mësojë dhe të kontribuojë në të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Burimi ATSH



















