
Kos: Integrimi gradual sjell më shumë BE për Ballkanin Perëndimor përpara anëtarësimit
Tirana mirëpret sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.

Tirana mirëpret sot Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes (Growth Plan), me temë “Reforma, Rritje, Integrim – Drejt Europës së bashku”.
Në kuadër të samitit, liderët e vendeve të rajonit dhe Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, zhvilluan një tryezë të përbashkët diskutimi mbi zbatimin e Planit të Rritjes, integrimin ekonomik dhe transformimin e rajonit drejt Tregut të Përbashkët Europian.
Gjatë fjalës së saj, Kos u ndal te qasja e re e Komisionit Europian për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se kjo do t’u krijojë atyre mundësi për t’u afruar më shumë me Bashkimin Europian edhe përpara anëtarësimit.
“Që nga hera e fundit kur jemi takuar, Komisioni Europian ka prezantuar gjithashtu një qasje të re për integrimin gradual. Do të ketë më shumë Europë edhe përpara anëtarësimit”, u shpreh Kos.
Ajo nënvizoi se integrimi gradual nuk synon të zëvendësojë anëtarësimin në BE, por të përshpejtojë afrimin e vendeve të rajonit me strukturat dhe tregun europian.
“Ky integrim gradual nuk është zëvendësim i anëtarësimit. Ndërsa ju ecni përpara me reformat dhe harmonizimin me rregullat e Bashkimit Europian, ne do të hapim më shumë pjesë të Tregut të Përbashkët të Bashkimit Europian për ekonomitë tuaja”, tha ajo.
Sipas Kos, kjo qasje do të përfshijë fusha të rëndësishme si energjia, transporti dhe teknologjitë digjitale, ndërsa parashikohet edhe krijimi i mundësive për pjesëmarrje më të hershme të vendeve të rajonit në institucionet e Bashkimit Europian, në ato fusha ku mund të përfshihen më shpejt.
“Synojmë të krijojmë mënyra më të shpejta për integrimin e ekonomive tuaja në tregun europian”, theksoi komisionerja.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte zhvillimi i lidhjeve të transportit dhe përfshirja e korridoreve të Ballkanit Perëndimor në rrjetin më të gjerë europian të infrastrukturës.
Kos vuri në dukje rëndësinë e korridoreve tregtare që kalojnë përmes rajonit, duke përmendur në veçanti Korridorin VIII, si pjesë të rrjetit të lidhjeve hekurudhore dhe rrugore që bashkojnë Europën Qendrore me Ballkanin Perëndimor.
Ajo theksoi se synimi është që këto korridore të përfshihen në një agjendë më të gjerë europiane, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi për vendet e rajonit.
Duke iu referuar Konferencës së Investimeve, ku mori pjesë një ditë më parë, Kos tha se diskutimet u përqendruan te potenciali i Ballkanit Perëndimor dhe mundësitë që ofron afrimi me Tregun e Përbashkët Europian.
“Kjo mund të krijojë një qasje më të madhe drejt Tregut të Përbashkët të Bashkimit Europian, që do të thotë edhe më shumë fonde nga BE-ja”, u shpreh ajo.
Në përfundim, Kos nënvizoi se përvoja ka treguar se sa më shumë t’i afrohen Bashkimit Europian vendet kandidate, aq më shumë mundësi krijohen për ekonomitë e tyre.
Burimi ATSH


















