
Shqipëria ratifikon Konventën për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, Gogu: Pesë detyrime për shtetin
Shqipëria ratifikoi sot Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja e parë ndërkombëtare ligjërisht e detyrueshme që i kushtohet tërësisht mbrojtjes së këtij profesioni.

Shqipëria ratifikoi sot Konventën e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, marrëveshja e parë ndërkombëtare ligjërisht e detyrueshme që i kushtohet tërësisht mbrojtjes së këtij profesioni.
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu shpjegoi pesë detyrimet kryesore që shteti shqiptar merr përsipër me ratifikimin e Konventës, të cilat lidhen me ushtrimin e lirë të profesionit, konfidencialitetin mes avokatit dhe klientit, lirinë e shprehjes, mbrojtjen nga kërcënimet dhe pavarësinë e dhomave të avokatisë.
Sipas Gogut, avokatët duhet të ushtrojnë profesionin pa frikë dhe pa pengesa të padrejta, duke pasur mundësi të takojnë klientët, të njihen me dosjet dhe të marrin pjesë realisht në proceset ku i përfaqësojnë ata.
Një tjetër detyrim lidhet me ruajtjen e konfidencialitetit të komunikimit mes avokatit dhe klientit, ndërsa Konventa garanton edhe të drejtën e avokatit për të folur lirisht, duke ushtruar profesionin me përgjegjësi.
Gogu theksoi gjithashtu se, në rastet kur avokatët kërcënohen ose sulmohen për shkak të detyrës, shteti duhet të sigurojë hetimin serioz të këtyre rasteve. Një tjetër element i rëndësishëm është garantimi i pavarësisë dhe vetëqeverisjes së dhomave të avokatisë.
Konventa u miratua nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës në mars të vitit 2025 dhe u hap për nënshkrim në Luksemburg më 13 maj të po atij viti. Shqipëria e nënshkroi atë në Strasburg në qershor të vitit 2026, ndërsa qeveria miratoi projektligjin për ratifikimin në korrik. Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut e shqyrtoi projektligjin më 6 tetor.
Pas ratifikimit, Ministria e Drejtësisë do t’u njoftojë institucioneve detyrimet që rrjedhin nga Konventa. Brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, ministria do t’i paraqesë Komisionit të Ligjeve një analizë mbi përputhshmërinë e ligjit për avokatinë, Kodit të Procedurës Penale dhe akteve nënligjore me standardet e Konventës.
Analiza do të hartohet në konsultim me Dhomën Kombëtare të Avokatisë.
Burimi ATSH


















