
Rama: Ky gur ndan ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit
Kryeministri Edi Rama, tha sot se protesta e studentëve po përdoret për të kamufluar dhunën, teksa theksoi se problemi nuk janë studentët apo qytetarët që ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të protestuar, por aktet e dhunshme.

Kryeministri Edi Rama, tha sot se protesta e studentëve po përdoret për të kamufluar dhunën, teksa theksoi se problemi nuk janë studentët apo qytetarët që ushtrojnë të drejtën kushtetuese për të protestuar, por aktet e dhunshme.
Gjatë një takimi në Ministrinë e Arsimit, me ministren Mirela Kumbaro dhe drejtues të gjimnazeve të Tiranës, Rama u shpreh se institucioni i ministrisë është bërë objekt sulmi me gurë për të krijuar përshtypjen se vala e dhunës lidhet me kërkesat për arsimim.
“Institucion i cili është bërë objekt i sulmit dhe në fakt një agresionit të vërtetë me gurë të shkulur nga trotuaret e rrugës së Durrësit dhe është vendosur në qendër të vëmendjes vetëm për një arsye për të kamufluar çka në të vërtetë është në burimin e helmuar të kësaj proteste. Për të krijuar idenë që kjo është një protestë për arsimim, që kjo është një protestë e studentëve dhe për të justifikuar kësisosj të gjithë këtë valë dhune e cila nuk ka të bëjë gjëkundi as me nxënësit, as me studentët, por me një grup njerëzish ku ka nga të gjithë.
“Natyrisht që brenda atij grupi që agreson policinë, që mban nën një presion terrori qytetin, ka edhe studentë. Ka edhe studentë të cilët janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, studentë të cilët i përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, por problemi nuk janë dhe nuk do jenë as studentët, as qytetarët që ushtrojnë të drejtën e protestës”, tha Rama.
Ai shtoi se “ushtrimi i të drejtës për të protestuar është një liri kushtetuese e pamohueshme për askënd. Këtu nuk flasim për ushtrimin e të drejtës për të protestuar, këtu flasim për ushtrimin e dhunës”.
Gjatë fjalës së tij, Rama nxorri edhe një gur, duke theksua se është objekti që ndan dy anët e historisë.
“E kam marrë përsëri me vete këtë gur, sepse kur e mban në dorë dhe kur imagjinon peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të policisë, është një armë që mund të shkaktojë edhe një tragjedi. Dhe ky gur është objekti që ndan qartësisht dy anët e kësaj historie”, tha ai.
“Dhe ky gur është objekti që përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të reaguar dhe për të marrë mbrojtje qytetarët e vet, për të mbajtur mbrojtje, për të marrë mbrojtje të ardhmen e këtij vendi”, tha Rama.
Burimi ATSH



















