
Rama: Dialog me këdo, përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot i gatshëm për dialog me të gjitha palët politike dhe qytetarët, me përjashtim të forcave politike që mbështesin dhunën dhe nuk distancohen prej saj.

Kryeministri Edi Rama u shpreh sot i gatshëm për dialog me të gjitha palët politike dhe qytetarët, me përjashtim të forcave politike që mbështesin dhunën dhe nuk distancohen prej saj.
Gjatë takimit me strukturat drejtuese të policisë në lidhje me protestat e dhunshme, Rama theksoi se është i gatshëm të dëgjojë çdo propozim për zgjidhjen e situatës, por përjashtoi mundësinë e ndryshimeve politike që i cilësoi artificiale.
“Kështu që, dialog në çdo orë, në çdo ditë, në çdo vend me këdo përveç forcave politike që janë mbrapa dhunës dhe që nuk distancohen nga dhuna, përveç atyre që gjuajnë me gurë policinë. Përveç atyre që duartrokasin kur digjet një polic, kushdo tjetër është i mirëseardhur ose tek kushdo tjetër jam gati të shkoj dhe të dëgjoj dhe të kuptoj se si dhe ku gjendet kjo zgjidhje. Por zgjidhjen politike me ndryshime artificiale të lidershipit, me ndryshime artificiale të rrugës së këtij vendi, me përzierje të të njomit me të thatin, me demek në emër të qetësisë, ne emër të dashurisë, në emër të paqes nuk ka dhe nuk ka, jo se s’dua unë, nuk është këtu pushteti im personal”, tha kryeministri Rama.
Kryeministri nënvizoi se pushteti nuk është personal, por një përgjegjësi që i është besuar nga qytetarët përmes zgjedhjeve. Ai shtoi se mandati i tij vijon deri në vitin 2029 dhe se qeveria nuk ka ndryshuar objektivat e saj politike.
Rama u ndal edhe te integrimi europian, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian mbetet objektivi kryesor i qeverisë.
“Nuk ka lidhje fare. Zero. Unë nuk e kam personal pushtetin. Për mua zyra e kryeministrit nuk është vend pune. Është mision që ma kanë ngarkuar 800 e ca mijë e kusur shqiptarë në bazë të një kontrate që mbaron 2029-ën për të bërë një, dy, tre, katër, pesë dhe deri tani unë nuk i kam lëvizur asaj kontrate. Dhe deri tani të gjitha programet e reja të premtuara janë vënë në lëvizje dhe ne ndërkohë, A-ja dhe Zh-ja e gjithë kësaj historie, aty ku faktikisht bashkohen te tëra të këqijat dhe të mirat ballë për ballë, nuk kemi lëvizur asnjë metër nga objektivi dhe nga rruga për ta ngritur flamurin e Skënderbeut të Ismail Qemalit atje në Bruksel,në oborrin e shtëpisë europiane, aty ku do shpëtojë Shqipëria njëherë e mirë nga ajo dorë që e përndjek që nga 1912 dhe që e kap për fyti sa herë Shqipëria tenton të ngrihet, sa herë ngre kokën; sa herë Shqipëria del pak mbi sipërfaqe. Ndërkohë që, sot kemi dalë shumë mbi sipërfaqe. Në atë bulevard, në atë shesh ku dje policia u dhunua nën duartrokitjet e ekraneve të korruptuara, u mblodh gjithë Europa dhe do mblidhet NATO vitin tjetër”, tha ai.
Rama shtoi se “kush e do këtë përveç nesh dhe përveç miqve tanë? Kush e do këtë? Kush e do Shqipërinë që të mbledhë këtu gjithë NATO-n dhe të bëhet qendra e botës edhe një ditë tjetër? E duan dashakëqinjtë e këtij vendi, e duan armiqtë e Europës, e duan armiqtë e demokracisë? Në asnjë mënyrë jo. Por Shqipëria dhe shqiptarët, miqtë e mi, kanë pasur gjithmonë vegla qorre të gatshme për t’i shërbyer qorrazi çdo lloj force dhe çdo lloj interesi antikombëtar edhe pa e ditur fare se çfarë bëjnë, qysh nga 1912”.
Sipas kreut të qeverisë, gjithmonë janë gjendur këtu brenda nesh ata të cilët i kanë shërbyer të tjerëve pa kuptuar fare se çfarë bëjnë.
“Nuk ka nevojë të jesh agjent sot i paguar që merr para.. që ‘’dil atje.. bëj’’. Nuk ka nevojë fare, hiç, se ka zell të madh, ka urrejtje, ka mllef, ka revan, ka ka zili dhe të gjitha këto mjaftojnë që ti t’i vihesh në shërbim qorrazi edhe armikut tend, vetëm e vetëm që ta shohësh vëllain tënd përtokë, pa llogaritur fare se shtëpinë mund ta rrënosh nga e para. Se Shqipëria është e mirë vetëm kur është e jotja”, tha ai.
Marrë nga ATSH


















