
Rama: Korrupsioni është problem, por kjo qeveri e lufton edhe brenda radhëve të saj
Kryeministri Edi Rama deklaroi se korrupsioni mbetet një problem i madh në Shqipëri, por theksoi se qeveria e tij ka ndërmarrë reformën në drejtësi dhe ka mbështetur institucionet e reja të drejtësisë për të luftuar këtë fenomen, edhe brenda radhëve të veta.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se korrupsioni mbetet një problem i madh në Shqipëri, por theksoi se qeveria e tij ka ndërmarrë reformën në drejtësi dhe ka mbështetur institucionet e reja të drejtësisë për të luftuar këtë fenomen, edhe brenda radhëve të veta.
Gjatë një komunikimi të drejtpërdrejtë në rrjetet sociale, Rama tha se krijimi i SPAK-ut është rezultat i vetëdijes për përmasat e problemit të korrupsionit, duke nënvizuar se proceset gjyqësore ndaj personave të fuqishëm duhet të përcaktojnë përgjegjësinë individuale.
“Korrupsioni patjetër është një problem. Asnjëherë s’e kam mohuar dhe pikërisht pse e kam ditur që është një problem shumë i madh, kam udhëhequr reformën në drejtësi, unë personalisht, dhe ai SPAK që sot mban flamurin e luftës është aty, krijesë e kësaj vetëdije”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se, Partia Socialiste e ka pranuar që drejtësia të veprojë edhe ndaj përfaqësuesve të saj, duke e cilësuar këtë si një qëndrim të domosdoshëm për të luftuar korrupsionin.
“Ne jemi një parti në pushtet dhe e kemi pranuar që shpata e drejtësisë të godasë radhët tona, sepse duam që ta bëjmë këtë vend”, tha Kryeministri.
Duke iu referuar historisë së drejtësisë shqiptare, Rama theksoi se vendi po përjeton një periudhë të veçantë, në të cilën SPAK-u dhe GJKKO kanë çuar përpara drejtësisë persona me pushtet.
“Që nga 1912-a janë të parët vite kur drejtësia shqiptare në Shqipëri, dhe kur them drejtësia shqiptare këtu, unë e kam shumë të thjeshtë, SPAK dhe gjykata përkatëse, se të tjerët janë prapa shumë. Po janë këto dy institucione, me mbështetjen totale timen dhe të kësaj force politike, që kanë çuar përpara drejtësisë njerëz të pushtetshëm”, deklaroi ai.
Kryeministri nënvizoi se fajësia ose pafajësia e personave të përfshirë në procese gjyqësore duhet të përcaktohet nga procesi ligjor, ndërsa akuzoi kundërshtarët e tij se nxisin dhunën dhe e përdorin debatin për korrupsionin për të sulmuar qeverinë.
Në vijim, Rama iu përgjigj kritikave për arrogancë, duke thënë se qëndrimi i tij i vendosur lidhet me bindjet dhe misionin politik që i ka vënë vetes.
“24 orë në 24, 20 e kusur vite, unë ndihem një njeri në mision. Dhe cili është misioni? Që Shqipëria të mos ulë më kokën përpara askujt. Që Shqipëria të rrijë me kokën lart dhe të rrijë aty ku e ka vendin. Ky është misioni im”, u shpreh Rama.
Burimi ATSH



















