
Rama: Shqipëria peng i askujt, dhuna nuk ka dhe nuk jep mandat
Kryeministri Edi Rama, tha sot se Shqipëria nuk do të mbahet peng nga askush për rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.

Kryeministri Edi Rama, tha sot se Shqipëria nuk do të mbahet peng nga askush për rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
Teksa ishte i pranishëm në një nga bizneset e dëmtuara nga aktet e dhunës gjatë protestave të fundit në Tiranë, kreu i qeverisë tha se personat që kanë shkaktuar dëme në pronën publike dhe private do të përballen me ligjin, ndërsa bizneset e dëmtuara do të marrin mbështetjen e qeverisë, përfshirë dëmshpërblimin financiar.
Në fjalën e tij, Rama vuri në dukje zhvillimet gjatë dekadës së fundit, duke përmendur rritjen e Prodhimit të Brendshëm Bruto, shtimin e investimeve të huaja, zhvillimin e turizmit dhe rritjen e pagave.
“Mos harroni se kemi arritur gjëra të jashtëzakonshme në një dekadë të vetme. Kemi nisur të mbyllim negociatat në rrugën drejt majës ku do ta çojmë Shqipërinë me flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut, në shtëpinë e Evropës së Bashkuar. Kemi trefishuar prodhimin e brendshëm të vendit nga më pak se 10 miliardë në thuajse 30 miliardë euro”, vuri në dukje ai.
“Kemi tërhequr gjithnjë e më shumë investimet e huaja. E kemi zgjeruar industrinë tonë të turizmit në një volum që as e imagjinonim deri një dekadë më parë dhe i kemi dhënë Shqipërisë dinjitetin që s’e ka pasur kurrë në sytë e mbarë botës”, u shpreh Rama.
Duke u ndalur te pagat, ai theksoi se pagat nuk janë asnjëherë mjaft, por kanë vazhduar të rriten.
“Ndërkohë që borxhi publik është ulur, vijnë si në nivele historike. Sot shërbimet janë në masë dërmuese me një klik përmes celularit apo kompjuterit më të afërt”, tha Rama.
Ai theksoi gjithashtu progresin në procesin e integrimit europian.
“Sot Shqipëria është një vend tjetër dhe me këto arritje, me këtë bazë do të vazhdojë bashkë në ju. Ta çojmë Shqipërinë përpara dhe të ndërtojmë atë Evropë këtu që na është mohuar për kaq e kaq shumë dekada e shekuj”, tha ai.
Rama tha se qeveria do të mbrojë të drejtën e studentëve për arsimim, të qytetarëve për të punuar dhe jetuar me dinjitet, si dhe të gjithëve për të lëvizur të sigurt në rrugët e vendit.
Kreu i qeverisë shtoi se “pa asnjë diskutimi dhe nuk do të lejojmë që politika e falimentuar me maskat e saj të rrugës apo me kllounët e saj të mbrëmjes ta rrëmbejë këtë liri, përmes dhunës dhe nxitjes së dhunës”.
Sipas tij, “një student që mban një pankartë ushtron një të drejtë demokratike, një maskë që thyen dhe grabit një biznes, kryen një krim”.
“Dhe ne dimë ta bëjmë dallimin, shqiptarët dinë ta bëjnë dallimin dhe do të veprojmë së bashku në përputhje me këtë dallim. Ata që shkatërruan pronën e kujtdo, qorrazi rrugëve, pronën e secilit dhe pronën e përbashkët do të mbajnë përgjegjësi”, tha Rama.
Kreu i qeverisë theksoi se dhuna nuk përfaqëson një alternativë politike dhe se Shqipëria nuk do të lejojë të pengohet në rrugën e saj të zhvillimit dhe integrimit europian.
“Ata që shkaktuan shkatërrimet do të përballen përditë me ligjin, ndërsa ata që i pësuan do të marrin të gjithë mbështetjen tonë, jo vetëm me fjalë, jo vetëm me zemër, jo vetëm me dorën e shtrirë, por edhe mbështetjen në formën e shlyerjes së dëmit. Fëmijët tanë nuk kanë asnjë lidhje me dhunën e me këto pamje dhune. Thyerja e xhamave nuk është, vota, djegia e ndërtesave nuk është projekt politik, mbi të gjitha, dhuna as nuk ka mandat, as nuk jep mandat. Shqipëria nuk do të mbahet peng nga askush dhe mbi të gjitha Shqipërinë, mua, ju nuk ka forcë që të na ndalë dhe që të na kthejë mbrapa”, tha Rama.
Marrë nga ATSH

















