
Rama: Bizneset e shkatërruara nga protesta do të regjistrojnë dëmet në e-Albania, 10 grupe verifikimi në terren
Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se bizneset e vogla të dëmtuara nga aktet e dhunës gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë do të kenë mundësi të regjistrojnë dëmet përmes platformës e-Albania në “Dëmi im”.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se bizneset e vogla të dëmtuara nga aktet e dhunës gjatë protestave të ditëve të fundit në Tiranë do të kenë mundësi të regjistrojnë dëmet përmes platformës e-Albania në “Dëmi im”.
Gjatë vizitës në një biznes të dëmtuar nga protestat, Rama njoftoi gjithashtu se 10 grupe verifikimi nga Drejtoria e Tatimeve do të zbresin në terren për të mbledhur të dhënat mbi dëmet e shkaktuara ndaj bizneseve të vogla në kryeqytet.
Kreu i qeverisë u shpreh se qeveria do të qëndrojë pranë familjeve dhe bizneseve që kanë pësuar humbje, duke theksuar mbështetjen për qytetarët që sigurojnë jetesën përmes punës së ndershme.
“Prej ditës së sotme, çdo biznes i vogël që është dëmtuar nga vala e dhunës qorre, ka një dritare në e-Albania, ku do të mund të regjistrojë dëmin. Ndërkohë, sikurse iu thashë edhe miqve të dëmtuar këtu në këtë biznes të vogël, dhjetë grupe verifikimi nga Drejtoria e Tatimeve do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël të kryeqytetit. Ne do të jemi bashkë, do të jemi bashkë me çdo familje që jeton me punë të ndershme në Tiranë dhe që ka humbur pasurinë, e do t’i kthejmë këto gërmadha verbërie në shëmbëlltyra të forcës sonë për të ecur përpara”, tha Rama.
Gjatë fjalës së tij, kryeministri u ndal edhe te protestat e zhvilluara gjatë katër ditëve të fundit, duke deklaruar se zëri i studentëve, të rinjve dhe qytetarëve duhet të dëgjohet me respekt.
“Ne respektojmë studentët, unë e çmoj forcën e ëndrrave dhe shpresave të tyre si motorin e të ardhmes, si shtysën e të gjithëve ne për të ecur më shpejt përpara. Zëri i tyre, zëri i të rinjve dhe i çdo qytetari që sot kanë bërë protestë, duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta e tyre për të protestuar duhet dhe do të mbrohet si një e drejtë për të cilën ne të gjithë kemi luftuar në kohë të ndryshme”, tha Rama.
Megjithatë, ai theksoi se nuk do të lejojë që, sipas tij, aktet e dhunës dhe shkatërrimit të rrezikojnë të ardhmen e vendit.
“Por pikërisht se të rinjtë janë e ardhmja jonë, unë nuk do të lejoj askënd ta rrezikojë të ardhmen e këtij vendi, ku rriten ata dhe çdo fëmijë i Shqipërisë, as për përfitime politike të atyre duarve të paudhë që janë rikthyer me turbimin e djegies së shkatërrimit, as për qëllime të prapambetura dhe duar të huaja që janë futur për të na ndalur, po as për ndonjë qëllim tjetër”, tha Rama.
Kryeministri nënvizoi se përgjegjësia e tij në këto momente është mbrojtja e qytetarëve, garantimi i drejtësisë dhe vijimi i rrugës së integrimit europian.
“Përgjegjësia ime është më e qartë në këto orë të vështira sa në çdo ditë të mirë: të mbroj qytetarët tanë, të garantoj drejtësinë dhe ta çoj Shqipërinë përpara, së bashku me këtë shumicë qeverisëse që ka një mandat shumë të qartë, Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Marrë nga ATSH


















