
Rama për protestën: Nuk është rastësi, duar të huaja nuk e duan Shqipërinë në BE
Kryeministri Edi Rama, reagoi sot në lidhje me aktet e dhunës që kanë shoqëruar protestat gjatë tre ditëve të fundit në Tiranës.

Kryeministri Edi Rama, reagoi sot në lidhje me aktet e dhunës që kanë shoqëruar protestat gjatë tre ditëve të fundit në Tiranës.
Para një biznesi privat i cili ishte shkrumbuar nga flakët, Rama tha se dhuna nuk është studentore, por veç opozitës ka edhe “duart të huaja” që nuk e duan Shqipërinë të qetë dhe që synojnë të pengojnë rrugëtimin e saj drejt Bashkimit Evropian.
“Dora e mbrapshtë, dora e vjetër, dora e keqe që e ka ndjekur Shqipërinë si mallkim që nga viti 1912 dhe që e dimë shumë mirë se e kujt është prej 30 e kusur vitesh, sot mbështetet dhe nga duart të tjera, duar të huaja, duar të huaja që nuk e duan Shqipërinë të qetë, nuk e duan Shqipërinë të shohë drejtë, të ecë përpara dhe të merret çdo ditë me problemet e saj për t’u përmirësuar, që nuk e duan Shqipërinë pjesë të familjes së bashkuar europiane, që nuk e duan Shqipërinë aty ku ajo do të shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga këto duar dhe nga zgjedha e zgjedhjes së detyruar”, deklaron Kreu i Ekzekutivit.
Rama tha se këto “duar”, nuk e duan Shqipërinë të lirë në zgjedhjen e saj të lirë, për të qenë aty së bashku me popujt dhe shtetet e tjera të Bashkimit Europian.
“A ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, sapo Shqipëria mbyll një tjetër kapitull, sapo Shqipëria afrohet më shumë drejt asaj ambicieje, drejt atij objektivi historik, këtu plas flaka? Nuk është aspak rastësi! E gjithë kjo që po ndodh nuk është rastësi. E gjithë kjo që po ndodh është një provë, është një sprovë, është një test i karakterit tonë dhe është një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese të madhe që na është vënë përpara krejt artificiale”, nënvizon ai.
Kryeministri tha se studentët, sipërmarrësit dhe qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, duke theksuar se problemet e tyre duhet të adresohen.
Megjithatë, kreu i qeverisë nënvizoi se nuk ka tërheqje përballë dhunës në këmbim të qetësisë.
“Ndërkohë që po, studentët, sipërmarrësit, të gjithë njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, prindërit e tyre kanë të drejtë të kërkojnë më shumë, ndërkohë që po, problemet janë aty, duhen adresuar, ndërkohë që po jemi këtu për të bërë më të mirën me aq sa dimë, aq sa mundemi, duke përpjekur çdo ditë të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më mirë. Mos harroni se e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu, e kemi sjellë Tiranën deri këtu dhe këtë nuk e ka sjellë as koha, nuk e kanë sjellë as rrethanat apo rastësia. Këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse për të ecur përpara dhe kush thotë le të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon. Gabon sepse të përkulesh përballe dhunës për pakëz qetësi do të thotë ta humbësh qetësinë dhe ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës për pakëz qetësi dhe e dimë të gjithë se nuk ka arritur asgjëkund”, tha Rama.
Kryeministri u bëri thirrje qytetarëve për durim dhe qëndrueshmëri, duke u shprehur se vendi do ta kapërcejë edhe këtë situatë.
“Motra dhe vëllezër durim, durim se dhe kjo do kalojë. Durim se pasi kjo të kalojë do të dalim siç kemi dalë nga sprovat e tjera, më të fortë dhe më të vetëdijshëm për sfidën e përbashkët që kemi përpara”, tha Rama.
Burimi ATSH


















