
Gonxhja thirrje prindërve: Flisni me fëmijët tuaj, të mitur e adoleshentë, po dëmtojnë pasuri publike
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja iu ka bërë thirrje sot prindërve që të flasin me fëmijët e tyre pasi po dëmtojnë pasuri publike, gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja iu ka bërë thirrje sot prindërve që të flasin me fëmijët e tyre pasi po dëmtojnë pasuri publike, gjatë protestës së zhvilluar në kryeqytet.
Gonxhja shkruan se pamjet që shohim duan reagimin e prindërve.
“Mes turmës, të mitur e adoleshentë po dëmtojnë pasuri publike, institucione kulturore e trashëgimi historike, muze, teatro, biblioteka, objekte kulti. Si fëmijë, përgjegjësia fillon nga familja. Flisni me ta. Për t’u kujtuar një kufi që nuk duhet kapërcyer: Asnjë zemërim nuk justifikon shkatërrimin e asaj që u përket të gjithëve, sot e nesër!”, shkruan ai.
Gonxhja thekson se “në Tiranë janë dëmtuar hapësirat e jashtme të Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe”; hapësira të Teatrit të Kukullave; Muzeut Historik Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare. Është sulmuar edhe hapësira e jashtme e Xhamisë së Et’hem Beut, monument unikal kulture i kategorisë 1! Në Durrës janë shkatërruar vepra e instalacione të Bienales së Artit!”.
Sipas tij, “një muze nuk është i një qeverie. Një teatër nuk është i një partie. Një monument kulture nuk është kundërshtari a shënjestra e askujt”.
“Këto janë pasuri publike kombëtare. Janë tempujt e artit, kulturës dhe kujtesës sonë kolektive. Janë vende ku shkohet për të mësuar historinë e festuar krijimtarinë”, shkruan ministri.
Duke ju drejtuar prindërve, Gonxhja theksoi “flisni me fëmijët tuaj! Të protestosh nuk do të thotë të vandalizosh!”.
“Qëndrimet politike mund të na ndajnë; përgjegjësia për ta mbrojtur historinë dhe kulturën duhet të na bashkojë! Anarkia e kaosi duhet t’i japin vendin arsyes!”, theksoi ai.
Burimi ATSH


















