
Gonxhja: Agjenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja reagoi sot për protestën e dhunshme në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimit.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja reagoi sot për protestën e dhunshme në Tiranë, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimit dhe duke theksuar se e drejta për të protestuar nuk justifikon përdorimin e dhunës apo dëmtimin e pronës publike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Gonxhja u shpreh se institucionet publike u përkasin qytetarëve dhe se sulmet ndaj tyre cenojnë rendin dhe interesin publik.
“Asnjë barrikadë nuk mund ta ndalë rrugën europiane të Shqipërisë! E drejta për të protestuar është e pacenueshme, por nuk i jep askujt të drejtën të ushtrojë dhunë, të vërë zjarr apo të shkatërrojë”, shkroi ministri.
Gonxhja i cilësoi vetëgjyqësinë, urrejtjen dhe kaosin si rrugë që nuk ofrojnë zgjidhje, ndërsa u bëri thirrje organizatave studentore, këshillave studentorë dhe senateve akademike të distancohen nga aktet e dhunës dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës.
“Vetëgjyqësia, urrejtja, kaosi nuk janë as zgjidhje as alternativa! Agjenda e destabilizimit i shërben vetëm interesave antishqiptare, në momentin më të lartë historik të progresit tonë demokratik, kombëtar e integrues”, theksoi Gonxhja.
“Organizatat studentore, këshillat studentore dhe senatet akademike duhet të distancohen urgjentisht nga këto akte dhe të angazhohen për ruajtjen e karakterit paqësor të protestës. Heshtja përballë dhunës i lë hapësirë ujqve të së shkuarës dhe armiqve të Shqipërisë europiane”, shtoi ministri.
Një vëmendje të veçantë ministri i kushtoi mbrojtjes së objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve, duke u bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë këto pasuri.
“Në vëmendje të veçantë mbrojtja e objekteve të kulturës, monumenteve dhe muzeve: Organizatorët dhe pjesëmarrësit duhet të shmangin çdo veprim që mund të rrezikojë këto pasuri. Ato mbartin historinë, kujtesën dhe identitetin tonë dhe u përkasin të gjithë shqiptarëve. Asnjë kauzë nuk mund të përligjë cenimin e pasurisë sonë kombëtare”, theksoi Gonxhja.
Marrë nga ATSH


















