
Hoxha i përgjigjet Daçiqit: Kosova është shtet sovran dhe demokratik, realitet i pakthyeshëm
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka reaguar sot ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili gjatë fushatës elektorale premtoi se “do ta ngrinte sërish flamurin serb në Kosovë”.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha ka reaguar sot ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili gjatë fushatës elektorale premtoi se “do ta ngrinte sërish flamurin serb në Kosovë”.
Ministri Hoxha i cilëson këto deklarata si retorikë provokuese dhe kërcënuese, duke paralajmëruar se fjalët nxitëse mund të frymëzojnë veprime të rrezikshme, ndërsa thekson se Kosova është një shtet sovran dhe demokratik, realitet i pakthyeshëm.
Ai thekson se e vetmja rrugë përpara, sado e vështirë të jetë, kalon përmes marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të sinqerta për të shëruar plagët e së kaluarës dhe për të ecur drejt pajtimit.
Reagimi i plotë:
Ministri serb Ivica Daçiq, gjatë fushatës elektorale, i premtoi audiencës së tij se “do ta ngrinte sërish flamurin e tyre” në Kosovë.
Një gjuhë e tillë nxitëse mund të konsiderohej thjesht retorikë politike nëse nuk do të ekzistonte rreziku real që ajo t’u jepte zemër atyre që janë të gatshëm të veprojnë në këtë frymë. Këtë e kemi parë edhe më parë, shumë herë. Ngjarja e Banjskës, për të cilën ende nuk është vendosur përgjegjësia e plotë, mbetet një kujtesë e fortë e asaj që mund të ndodhë kur fjalët kthehen në veprime.
Shqipëria mbetet thellësisht e bindur se e vetmja rrugë përpara, sado e vështirë të jetë, kalon përmes marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit rajonal dhe përpjekjeve të sinqerta për të shëruar plagët e së kaluarës dhe për të ecur drejt pajtimit.
Megjithatë, nuk mund të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal për sa kohë mohohen realitetet, vihet në pikëpyetje legjitimiteti i fqinjëve apo përdoret retorika kërcënuese për përfitime politike.
Ndërtimi i paqes dhe besimit kërkon kohë, shpesh vite, në mos dekada. Ai kërkon vizion, guxim, vendosmëri dhe përkushtim të vazhdueshëm.
Vetë Evropa u ndërtua mbi njohjen, dialogun, respektin e ndërsjellë dhe solidaritetin, jo mbi mohimin, frikësimin apo nostalgjinë për të kaluarën.
Në Ballkanin Perëndimor, e dimë shumë mirë se ku mund të çojnë përçarja, nacionalizmi dhe retorika provokuese. Nuk mund të lejojmë t’i harrojmë këto mësime, e aq më pak t’i përsërisim gabimet e së kaluarës.
Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm. Ajo është një shtet sovran dhe demokratik, pjesë e barabartë e rajonit tonë dhe një vend që po konsolidon vazhdimisht pozicionin e tij në komunitetin evropian dhe ndërkombëtar. Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, pavarësisht përkatësisë etnike, dhe e ardhmja e saj duhet të jetë një e ardhme paqeje, sigurie, gjithëpërfshirjeje dhe integrimi evropian.
Marrë nga ATSH


















