
Rama dënon sulmet e Huthëve ndaj Arabisë Saudite: Këto akte kërcënojnë paqen rajonale
Kryeministri Edi Rama dënoi sot sulmet e grupit Huthi kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmin vdekjeprurës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad.

Kryeministri Edi Rama dënoi sot sulmet e grupit Huthi kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmin vdekjeprurës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad.
Rama shprehu solidaritetin e Shqipërisë me Mbretërinë e Arabisë Saudite dhe popullin e saj, duke përcjellë ngushëllimet për familjet e viktimave dhe urimet për shërim të shpejtë për të plagosurit.
“Shqipëria dënon me forcën më të madhe sulmet e Huthëve kundër Arabisë Saudite, përfshirë sulmin vdekjeprurës ndaj Aeroportit Ndërkombëtar “Mbreti Khalid” në Riad. Qëndrojmë vendosmërisht në krah të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe popullit të saj.
“U shprehim ngushëllimet tona më të thella familjeve të viktimave dhe u urojmë të gjithë të plagosurve shërim të shpejtë”, shkruan Rama.
Kreu i qeverisë shqiptare ka theksuar se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile nuk mund të justifikohen.
“Nuk mund të ketë asnjë justifikim për sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile. Këto akte kërcënojnë paqen rajonale dhe sigurinë e rrugëve jetike të transportit ndërkombëtar”, nënvizon kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, Huthët dhe sponsorët e tyre të mirënjohur të terrorit në Teheran duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Bashkësia ndërkombëtare duhet të flasë me një zë të vetëm dhe të qartë: këto sulme duhet të ndalen menjëherë”, shkruan Rama.
Burimi ATSH

















