
Rama: Katalog digjital për vendet vakante në administratë, njoftim në kohë reale për kandidatët
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se personat që dëshirojnë të punësohen në administratën publike do të kenë mundësi të informohen në kohë reale për vendet e reja vakante, përmes një katalogu digjital ku mund të regjistrohen të dhënat e tyre dhe të autorizojnë marrjen e njoftimeve.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se personat që dëshirojnë të punësohen në administratën publike do të kenë mundësi të informohen në kohë reale për vendet e reja vakante, përmes një katalogu digjital ku mund të regjistrohen të dhënat e tyre dhe të autorizojnë marrjen e njoftimeve.
Gjatë prezantimit të “Shkallës së Meritës”, Rama theksoi se synohet të vendoset një standard i ri për meritën në administratën publike, duke garantuar transparencë më të madhe në proceset e rekrutimit dhe mundësi të barabarta për kandidatët.
“Ne do të hapim kopertinën e një katalogu aktiv digjital ku, nga njëra anë, do të shihen të gjitha nevojat që ka shteti shqiptar për profesione, për nivele eksperience, e të tjera, por, nga ana tjetër, do të mund të futen të dhënat e kujtdo qoftë që dëshiron të njoftohet sa herë që në atë profesion dhe për atë eksperiencë diku në Shqipëri hapet një vend pune”, u shpreh Rama.
Sipas tij, në këtë sistem mund të regjistrohen edhe persona që jetojnë jashtë Shqipërisë, por që dëshirojnë të bëhen pjesë e administratës publike. Ata do të mund të shprehin interesin e tyre dhe të njoftohen për pozicionet që përputhen me profilin dhe përvojën e tyre profesionale.
Kryeministri nënvizoi se mekanizmi synon t’u japë të gjithë të interesuarve mundësinë për t’u informuar dhe për të marrë pjesë në konkurse, të cilat, sipas tij, do të zhvillohen me më shumë transparencë dhe me më pak ndikim subjektiv që mund të deformojë garën.
Rama bëri të ditur gjithashtu se parimet e meritës synohet të zbatohen jo vetëm në rekrutimet e reja, por edhe në zhvillimin e karrierës brenda administratës publike.
“Pra, vit për vit apo sipas kalendarit të paracaktuar, të gjithë mund të kalojnë në testime ku mund të rrisin pikët e tyre dhe mund të rrisin mundësitë e tyre për t’u ngjitur një shkallë më lart”, tha Rama.
Burimi ATSH



















