
Rama: Këshill Kombëtar për Fëmijët me Aftësi Ndryshe, bonus financiar për mësuesit
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me një grup prindërish për krijimin e Këshillit Kombëtar për Fëmijët me Aftësi Ndryshe dhe fuqizimin e sistemit të mësuesve ndihmës.

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një bashkëbisedim me një grup prindërish për krijimin e Këshillit Kombëtar për Fëmijët me Aftësi Ndryshe dhe fuqizimin e sistemit të mësuesve ndihmës.
Të pranishme në këtë takim ishim edhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro dhe drejtoresha e Shërbimit Social Shtetëror, Reme Lala.
Gjatë bashkëbisedimit, prindërit ngritën problematika që lidhen me mbështetjen e fëmijëve me aftësi ndryshe në sistemin arsimor, përfshirë edhe nevojën për kënde sensoriale dhe dhoma burimore në shkolla.
Një prej prindërve u shpreh se familjet duan të kontribuojnë në përmirësimin e sistemit dhe në krijimin e kushteve më të mira për fëmijët.
“Janë fëmijët tanë që ne i kemi krijuar dhe po mundohemi çdo ditë që t’i rrisim me aftësitë e tyre më të mira, dhe me kushtet më të mira që ne mundemi. Sistemi na e ka bërë pak më të vështirë dhe duam të kontribuojmë realisht sesi ta rregullojmë këtë pjesë. E dyta, që kemi si problematikë, është këndi sensorial ose dhomat burimore”, u shpreh një prind.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro foli për rritjen e numrit të mësuesve ndihmës dhe masat për krijimin e hapësirave të dedikuara në shkolla.
“Krahas mësuesve ndihmës të cilët nga viti në vit, rritet numri i mësuesve ndihmës. Ka qenë për 4 fëmijë 1 mësues ndihmës, sot jemi për çdo fëmijë, 1 mësues ndihmës, dhe gjithashtu jemi në planin që i rrisim orët, sidomos rast pas rasti”, u shpreh Kumbaro.
Ajo shtoi se në shkolla po krijohen edhe klasa të dedikuara për raste kur fëmijët kanë nevojë për një hapësirë të përshtatshme për komunikim dhe qetësim.
“Në shkolla po krijohen klasa të dedikuara, që kur këta fëmijë kanë një moment vështirësie të komunikimit, të axhitimit, bashkë me mësuesin ndihmës kanë një klasë, një dhomë të dedikuar interaktive, ku ata të mund të ndihen më mirë”, tha Kumbaro.
Një tjetër prind solli në vëmendje nevojën për trajnimin e mësuesve, duke theksuar se një pjesë e tyre përdorin përvojën personale për t’iu përshtatur nevojave të fëmijëve me aftësi ndryshe.
“91% e mësuesve përdorin përvojat personale dhe vetefikasitetin personal, për t’iu përshtatur këtyre fëmijëve, domethënë kemi potencial shumë të mirë. Pavarësisht se nuk janë të gjithë të trajnuar”, tha prindi tjetër.
Në bashkëbisedim, Kryeministri Rama theksoi nevojën për ndërtimin e një sistemi trajnimi dhe për mbështetje financiare shtesë për mësuesit ndihmës.
“Duhet ndërtuar një sistem trajnimi, dhe e dyta, duhet parë mundësia që këtyre mësuesve t’u jepet një ekstrambështetje financiare, pra ata duhet ta kenë një bonus mbi pagën patjetër”, tha Rama.
Rama u shpreh gjithashtu për krijimin e një këshilli konsultativ, i cili të funksionojë me takime të rregullta dhe me një strukturë që të mundësojë referimin në kohë të problematikave.
“Të organizojmë një si këshill që të jetë një këshill konsultativ, që e para, të mblidhet me frekuenca të rregullta, një herë në kaq kohë; e dyta, të ketë një mikrosekretariat, dikë që mund të referojë probleme në kohë reale, sepse nga një takim në një takim tjetër pas tre muajsh ndodh diçka që duhet referuar”, deklaroi ai.
Marrë nga ATSH


















