
Rama: Pasqyra Inteligjente do të mbajë llogaridhënëse qeverinë ndaj qytetarëve
Pasqyra Inteligjente është një platformë që synon të rrisë transparencën, verifikimin e informacionit dhe llogaridhënien e institucioneve ndaj qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama foli sot për protestat qytetare para Kryeministrisë, ku theksoi se ajo është një mënyrë për të përcjellë mesazhe dhe për të nxitur reflektim institucional.
Në fjalën e tij në Samitin e Euronews 2026, Rama tha se vite më parë protestuesit janë vrarë në Bulevard, teksa shtoi se fakti që qytetarët protestojnë është pozitiv.
“10 vjet më parë kishte më shumë gjasë që protestuesit të vriteshin në Bulevardin ku dalin çdo natë. E kam parë dhe më është dashur të jetoj me humbjen e jetës së njerëzve që kanë dalë me mua të protestojnë”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se protestat masive nuk mund të shpjegohen vetëm nga një çështje e vetme. Kreu i qeverisë tha se kishte komunikuar privatisht me protestues dhe se këto komunikime kishin shërbyer për të kuptuar më mirë shqetësimet e qytetarëve.
Ai u ndal edhe tek Pasqyra Inteligjente një platformë që sipas tij synon të rrisë transparencën, verifikimin e informacionit dhe llogaridhënien e institucioneve ndaj qytetarëve.
“Kur protestat ishin në fillim të tyre dhe u bënë masive ishte shumë e qartë sepse nuk u bë masive sepse krejt befas e gjithë Shqipëria kishte problemin e flamengove ,por shqiptarët duhet të përcillnim mesazhin. Dhe ne punuam biseduam dhe u angazhova me protestuesit shumë në biseda private, sepse me dërgonin mesazhe. Pashë atje njerëz që më thuhej se ishin votuesit tanë dhe dolëm nga kjo me një reflektim të tërë se çfarë kishte kjo. Dhe për ne kishte një sërë gjërash dhe mes të tjerash dolëm me Pasqyrën tonë Inteligjente do të kalojmë te kjo pasqyrë”, tha ai.
Sipas tij, platforma do të ofrojë dokumente dhe të dhëna mbi projektet, në mënyrë që qytetarët të mund t’i verifikojnë faktet dhe t’i krahasojnë ato me informacionet që marrin nga burime të tjera.
“Pasqyra do të fillojë duke shfaqur të gjitha dokumentet të gjitha proceset dhe çdo të vërtetë për këtë projekt pastaj njerëzit do të shohin do të kontrollojnë faktet në atë pasqyrë krahasuar me atë çfarë dëgjojnë e lexojnë në pasqyrat dixhitale të gjithkujt tjetër”, tha Rama
Rama shtoi se platforma do të përdoret edhe për kërkesat individuale apo kolektive të qytetarëve ndaj institucioneve shtetërore.
“Nga ana tjetër, kjo pasqyrë do të shërbejë po kështu për kërkesat që njerëzit, qytetarët kanë për qeverinë, qofshin këto kërkesa individuale apo kolektive. Ato do të trajtohen, pra përmes kësaj do të trajtohet si një lloj si një DHL, dhe siç kontrollon postën me DHL do të kontrollosh përmes kësaj pasqyre edhe kërkesën. Kjo do të vlejë për çdo ndërveprim i midis qytetarëve dhe qeverisë dhe kjo pasqyrë do të mbajë llogaridhënëse të gjithë ata në qeveri që nuk u përgjigjen njerëzve në kohë. Këto janë gjërat të cilat po i bëjmë, sepse dëgjuam protestat, por kur bëhet fjalë për pjesën e ideologjike, nuk kam interes për këtë, kam interes për shkencën”, tha ai.
Marrë nga ATSH



















