
Rama: Hyseni ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, ka hyrë borxh të madh moral me këtë vend
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveç se ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ Shtetëror ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveç se ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend.
Në një deklaratë për mediet nga salla e shtypit në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, menjëherë pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Rama tha se “siç e thashë kur doli masa e arrestit, unë e kam vlerësuar punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ. Po njësoj vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive. Ndërsa orvatjet e këtyre ditëve për ta shpjeguar emërimin në krye të SHISH me turlilloj fantazish konspirative nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me të vërtetën”.
“Si zakonisht e vërteta është e thjeshtë. Fillimisht ka nisur të punojë pranë meje në rolin e këshilltares që mbulonte marrëdhëniet me institucionet e sigurisë. Pas një periudhe jo të shkurtër në atë rol, si dhe bazuar mbi referencat e shkëlqyera të marra nga shërbimet partnere, nënvizoj ‘e shkëlqyera’, ajo është emëruar drejtuese e Shërbimit. As nuk vihet sot në diskutim se ish-drejtuesja e Shërbimit Informativ ka hapur një llogari shumë të vështirë me drejtësinë, përveç se ka hyrë në një borxh të madh moral me këtë vend, ku mori besim të pakursyer. Por po ashtu, as nuk diskutohet që ky vend nuk bëhet kurrsesi më i drejtë kur njerëzit e vendosur në hetim nga prokuroria linçohen nëpër tezgat mediatike sikur të ishin shtriga të lidhura mbi turrat e druve të mesjetës”, nënvizoi Rama.
As kjo shoqëri, vijoi Rama, nuk bëhet kurrsesi më e mirë kur i fryjnë zjarrit të atyre turrave me bulçitë e urrejtjes së kanaleve sociale, ndërkohë që mbllaçit dhe rimbllaçit nëpër pazar kinse “sekrete hetimore”, të cilat nxirren në mexhelis nga brenda institucioneve të drejtësisë duke e katandisur prezumimin e pafajësisë në një leckë të djegur.
Burimi ATSH



















