
Rama: Vlora Hyseni kishte referenca të shkëlqyera nga partnerët
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se partnerët ndërkombëtarë kanë pasur vlerësime vijimësisht shumë pozitive për punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se partnerët ndërkombëtarë kanë pasur vlerësime vijimësisht shumë pozitive për punën e Vlora Hysenit në drejtimin e Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH).
Në konferencën për shtyp pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara, Rama tha se zhvillimet e fundit rreth ish-drejtueses së SHISH kanë lënë pa fjalë edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Kur puna e sjell që hetimi të ngjitet tek kreu i shërbimit inteligjent të vendit, atëherë ky nuk është më problemi i një pushteti të pavarur. Ky është një problem i krejt shtetit dhe prandaj edhe kjo qasje e lëshuar, si pa duar, i ka lënë pa fjalë edhe të gjithë partnerët tanë”, u shpreh Rama.
Ai theksoi se hetimi dhe gjykimi i Vlora Hysenit janë detyrë ekskluzive e drejtësisë, ndërsa mbrojtja e SHISH-it nga dëmet kolaterale është përgjegjësi e shtetit.
Rama tha se vlerësimi i tij për punën e Hysenit në drejtimin e SHISH-it ka qenë pozitiv, ndërsa nënvizoi se të njëjtin vlerësim kanë pasur edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Po njësoj, vlerësimet e partnerëve ndërkombëtarë për punën e saj kanë qenë vijimësisht shumë pozitive”, deklaroi Kryeministri.
Duke folur për emërimin e saj në krye të SHISH-it, Rama hodhi poshtë interpretimet konspirative, duke thënë se Hyseni ishte emëruar pas një periudhe si këshilltare për marrëdhëniet me institucionet e sigurisë dhe mbi bazën e “referencave të shkëlqyera” të marra nga shërbimet partnere.
Rama bëri të ditur gjithashtu se çështja do të diskutohet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, të thirrur nga Presidenti i Republikës, ku sipas tij duhet të trajtohen përgjegjësitë institucionale dhe garancitë për mbrojtjen e institucioneve të sigurisë kombëtare.
Marrë nga ATSH


















