Debati për pagat, Sadushi: Gjykata Kushtetuese do të vendosë përfundimisht

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka kërkuar një vlerësim të thelluar të funksionimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të nevojave të sistemit të drejtësisë.


Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka kërkuar një vlerësim të thelluar të funksionimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të nevojave të sistemit të drejtësisë.

Gjatë fjalës së tij në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve të Republikës, Sadushi e cilësoi zgjedhjen e tre anëtarëve të rinj gjyqtarë të KLGJ-së si një nga përgjegjësitë kryesore të vetëqeverisjes së gjyqësorit.

Sipas tij, votimi i sotëm nuk lidhet vetëm me plotësimin e vendeve vakante, por edhe me mënyrën se si do të qeveriset gjyqësori në vitet e ardhshme.

Në kuadër të ripërtëritjes së Këshillit, Sadushi vuri në dukje se tre anëtarëve gjyqtarë që do të zgjidhen do t’u bashkohen edhe dy anëtarë jogjyqtarë të zgjedhur nga Kuvendi. Në total, pesë nga 11 anëtarët e KLGJ-së do të zëvendësohen.

Kryetari i Gjykatës së Lartë tha se, pas tetë vitesh nga ngritja e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, institucionet duhet të vlerësohen jo vetëm për krijimin e tyre, por edhe për mënyrën se si funksionojnë dhe rezultatet që prodhojnë.

Sipas Sadushit, KLGJ-ja e ka ushtruar mandatin në një periudhë të vështirë, të ndikuar nga pasojat e procesit të rivlerësimit, mungesa e gjyqtarëve dhe riorganizimi i hartës gjyqësore. Ai vlerësoi përpjekjet e Këshillit për të mbajtur sistemin në funksionim, por theksoi nevojën për vendimmarrje më të shpejtë dhe më pranë nevojave të gjykatave.

“Një gjyqtar e ka të vështirë të ndërtojë karrierën normalisht, kur vlerësimi etiko-profesional vonohet përtej çdo kohe të arsyeshme. Administrimi i një gjykate dobësohet, kur pozicionet drejtuese mbeten për vite të paplotësuara. Shpejtësia dhe cilësia e gjykimit cenohen, kur ngarkesa të mëdha përballohen me më pak gjyqtarë dhe më pak personel nga sa kërkon funksionimi normal i sistemit”, tha ai.

Duke iu referuar sigurisë së gjyqtarëve, Sadushi përmendi edhe vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në sallën e gjykimit, duke theksuar se një vit pas ngjarjes duhet të shihet me seriozitet se çfarë masash janë marrë dhe ku vijojnë të ketë mangësi.

“Prandaj siguria, ashtu si burimet njerëzore, infrastruktura, teknologjia dhe financimi, nuk përbën një kërkesë për komoditetin e gjyqtarëve. Ajo është pjesë e kushteve, që shteti duhet të garantojë që drejtësia të funksionojë”, tha ai.

Gjatë fjalës së tij, Sadushi u ndal edhe tek marrëdhënieve ndërmjet pushteteve dhe debatit mbi pagat e magjistratëve.

Ai deklaroi se dialogu institucional është i nevojshëm, por duhet të respektojë kompetencat kushtetuese të institucioneve. Duke iu referuar mosmarrëveshjes për ligjin e pagave të magjistratëve, Sadushi tha se vendimmarrja përfundimtare i takon Gjykatës Kushtetuese.

“Për mosmarrëveshjen rreth ligjit për pagat e magjistratëve, është Gjykata Kushtetuese që do të vendosë përfundimisht. Kushtetuta nuk negociohet. As gjykimi kushtetues nuk mund të zëvendësohet nga një tryezë dialogu. Vendimi që do të merret duhet të respektohet dhe të zbatohet”, tha ai.

Sadushi tha se pjesëmarrja në një tryezë konsultimi nuk duhet të shihet si heqje dorë nga qëndrimet institucionale, ndërsa theksoi se dialogu duhet të zhvillohet brenda kufijve të Kushtetutës.

“Kjo është arsyeja pse duhet të jemi të qartë edhe për objektin e tryezës së konsultimit, në të cilën Kryeministri ka ftuar të gjithë drejtuesit e institucioneve të drejtësisë, të gjykatave dhe të prokurorive të Republikës. Objekti i saj është politika e pagave në sistemin e drejtësisë dhe mekanizmi për përcaktimin e tyre. Pikërisht për këtë çështje qëndrimi ynë duhet të jetë i qartë. Për sa kohë ligji dhe pretendimet kushtetuese të ngritura ndaj tij janë në shqyrtim përpara Gjykatës Kushtetuese, themeli juridik i kësaj mosmarrëveshjeje nuk mund të negociohet në një tryezë tjetër. Nuk mund të negociohet kuptimi i Kushtetutës, fuqia detyruese e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe as të paraprihet ajo që mund të vendoset prej saj”, tha ai.

Sipas tij, diskutimi mes pushteteve nuk duhet të kufizohet vetëm te çështja e pagave. Ai propozoi një proces më të gjerë institucional, të cilin e cilësoi si një “Tryezë për funksionimin dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë”.

Në këtë kuadër, Sadushi ngriti disa çështje që kërkojnë zgjidhje, mes tyre numrin e nevojshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, plotësimin e vendeve vakante, uljen e stokut të çështjeve dhe kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore, si dhe nevojat për administratë, teknologji, infrastrukturë dhe siguri.

“Pushtetet janë të ndara, por shteti është një. Edhe qytetari është i njëjti. Për të, ndarja e kompetencave dhe e përgjegjësive buxhetore ndërmjet institucioneve nuk mund të shërbejë si shpjegim për vonesën e drejtësisë”, tha ai.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Bordi i PISA-s për herë të parë në Tiranë, Kumbaro: Konfirmon angazhimin tonë për arsim cilësor

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se në tetor, Tirana do të jetë mikpritëse e mbledhjes së Bordit të…

Global 360

Kurti pret Hamzën, diskutojnë rrugët për ndryshimin e aktgjykimit të Speciales

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka pritur sot në takim kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza për një…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Pas vetingut, sfida është konsolidimi i institucioneve të drejtësisë

"Drejtësia shqiptare ndodhet pikërisht në këtë pikë të rrugës"

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Bordi i PISA-s për herë të parë në Tiranë, Kumbaro: Konfirmon angazhimin tonë për arsim cilësor

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se në tetor, Tirana do të jetë mikpritëse e mbledhjes së Bordit të…