Rama: “Prania Besnike” jo për vota apo punësime, por për të dëgjuar hallet e qytetarëve

Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se “Prania Besnike” nuk do të shërbejë për promovimin e rezultateve ekonomike, marrjen e votave apo punësimin e militantëve, por për të dëgjuar drejtpërdrejt problemet e qytetarëve dhe për t’i referuar ato në rrugët institucionale.


Kryeministri dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi se “Prania Besnike” nuk do të shërbejë për promovimin e rezultateve ekonomike, marrjen e votave apo punësimin e militantëve, por për të dëgjuar drejtpërdrejt problemet e qytetarëve dhe për t’i referuar ato në rrugët institucionale.

Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist dhe kabinetit qeveritar ditën e sotme, Rama tha se qëllimi i kësaj nisme është të evidentojë atë që nuk pasqyrohet në shifrat e rritjes së të ardhurave apo të ekonomisë, pra problematikat konkrete me të cilat përballen qytetarët.

“Në “Praninë Besnike” nuk shkohet për të treguar sa janë rritur të ardhurat dhe sa është rritur ekonomia, por shkohet për të parë çfarë nuk na thonë shifrat e të ardhurave dhe shifrat ekonomike”, u shpreh Rama.

Ai theksoi se “Prania Besnike” nuk duhet të kthehet në një instrument elektoral apo në një mekanizëm për punësime dhe rekrutime politike.

“Nuk shkohet për të marrë vota dhe as për të punësuar njerëz, dhe as për të rekrutuar patronazhistët e ardhshëm. Por shkohet për të marrë hallin dhe për ta referuar tek institucionet”, tha Rama.

Sipas tij, përfaqësuesit politikë duhet të marrin përsipër edhe ndjekjen e problematikës në emër të qytetarit, përveç rasteve kur vetë qytetari zgjedh ta ndjekë atë përmes rrugëve institucionale.

Rama vendosi si vijë të panegociueshme ndarjen e qartë mes partisë dhe shtetit, duke kërkuar që deputetët dhe strukturat politike të mos ndërhyjnë për favore individuale.

“Partia nuk bën shtetin! Deputeti nuk ndërmjetëson favore, kryetari i partisë nuk është sportel punësimi, militanti nuk është rruga e qytetarit për të marrë të drejtën që i jep ligji dhe të gjithë bashkë nuk janë kalaja dibrane për të kapërcyer shkallën e meritës”, deklaroi ai.

Sipas Ramës, suksesi i “Pranisë Besnike” do të matet pikërisht nga fakti se qytetarët do të kenë gjithnjë e më pak nevojë për ndërhyrjen e saj, pasi sistemi institucional duhet të jetë në gjendje t’u përgjigjet vetë problematikave.

“Suksesi i “Pranisë Besnike” do të jetë kur qytetarët të kenë nevojë gjithmonë e më pak për të, sepse sistemi do të përgjigjet vetë dhe politika do të jetë antenë për shtetin që dëgjon, jo kanal paralel i shtetit që nuk funksionon”, tha Rama.

Ai shpjegoi se çdo çështje e ngritur nga qytetarët duhet të dëgjohet, të sqarohet dhe të dërgohet në kanalin e duhur institucional. Ndërsa një problem individual duhet të trajtohet si i tillë, përsëritja e të njëjtit shqetësim në disa njësi vendore duhet të shërbejë si sinjal për një problem më të gjerë sistemik.

“Rasti individual mbrohet, sinjali i përsëritur që vjen nga territori trajtohet si një problem sistemik. Kur i njëjti hall del në disa njësi, nuk kemi halle të ndara, por kemi një detyrim për një zgjidhje më të gjerë”, u shpreh ai.

Në këtë kuadër, Rama tha se “Prania Besnike” duhet të ketë sekretariate të posaçme për temat kryesore, pasi jo të gjitha problematikat mund të trajtohen në takimet e përjavshme me qytetarët.

Ai përmendi veçanërisht ekonominë, bujqësinë dhe çështjet sociale, për të cilat, sipas tij, duhet të organizohen takime të veçanta me komunitetet përkatëse.

“Tema e ekonomisë nuk është thjesht e vetmja e trajtueshme individualisht në rrugën e hallit, por duhet të trajtohet me komunitetin”, tha Rama.

Rama sqaroi se takimi i “Pranisë Besnike” çdo të premte, në orën 17:00, nuk mund të presë njëkohësisht të gjithë komunitetin e biznesit të vogël, fermerët apo personat me aftësi të kufizuara të një zone. Për këtë arsye, sipas tij, këto komunitete duhet të kenë orare të posaçme, fikse dhe të përcaktuara paraprakisht.

Rama bëri të ditur se qëllimi është që çdo njësi administrative apo komunitet të ketë të paktën një herë në muaj një takim në të njëjtin vend dhe në të njëjtën orë, në mënyrë që banorët ta dinë paraprakisht se kur mund të komunikojnë me përfaqësuesit e tyre.

“Orë fikse, në të njëjtin vend dhe të gjitha këto për një njësi apo komunitet të paktën një herë në muaj”, u shpreh ai.

Rama tha se për këtë qëllim është punuar me drejtuesit politikë dhe secili prej tyre tashmë ka një kalendar të përcaktuar të “Pranisë Besnike”, i ndërtuar në bazë të madhësisë së qarqeve, numrit të njësive administrative dhe mënyrës së rotacionit të pranisë në territor.

Sipas tij, synimi është që “Prania Besnike” të jetë e parashikueshme për qytetarët, duke qenë në të njëjtin vend dhe në të njëjtën orë, në mënyrë periodike.

/Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Klodiana Spahiu propozohet për ministre të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Deputetja Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, dega “Mjekësi e Përgjithshme”

Global 360

Bekim Sejdiu, kandidati i LVV-së dhe LDK-së për president të Kosovës

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike të Kosovës kanë arritur marrëveshje për kandidatin për president të Kosovës dhe ai do të…

Diplovista

Linda Rama intervistë për “Fortune Greece”: Nga qëndrueshmëria tek konkurrueshmëria, narrativa e re e rritjes për Ballkanin Perëndimor

Në intervistën e saj për “Fortune Greece”, Linda Rama thekson se sot, pyetja për rajonin e Ballkanit Perëndimor është nëse…

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Kazakistani votoi për Kurultain: një arkitekturë e re politike merr mandatin e saj të parë

Zgjedhjet e 23 gushtit për Kurultain përbëjnë një moment themelor në institucionalizimin e rendit të ri kushtetues të Kazakistanit.

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Klodiana Spahiu propozohet për ministre të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale

Deputetja Klodiana Spahiu ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, dega “Mjekësi e Përgjithshme”