
Ambasada e Türkiyes në Tiranë organizon pritje me rastin e Ditës së Fitores
Në pritjen e organizuar nën kujdesin e ambasadorit turk në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve të ndryshme shqiptare, diplomatë dhe personalitete nga fusha të ndryshme

Ambasada e Türkiyes në Tiranë organizon pritje me rastin e Ditës së Fitores
Në pritjen e organizuar nën kujdesin e ambasadorit turk në Tiranë, Baris Ceyhun Erciyes, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve të ndryshme shqiptare, diplomatë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Në pritjen e organizuar në ambientet e një hoteli në Tiranë, nën kujdesin e ambasadorit turk Baris Ceyhun Erciyes, ishin të pranishëm përfaqësues të institucioneve turke, të institucioneve të ndryshme shqiptare, diplomatë dhe personalitete nga fusha të ndryshme.
Pas intonimit të himneve kombëtare të të dy vendeve u shfaq edhe një video për Forcat e Armatosura Turke.
Gjithashtu, gjatë ceremonisë u lexua edhe mesazhi për 30 Gushtin i Presidentit të Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan.
Ambasadori Ceyhun theksoi në fjalën e tij se me krenari festojnë Ditën e Fitores, sipas tij, një nga momentet më të rëndësishme në historinë turke.
“30 Gushti shënon fitoren përfundimtare dhe vendimtare të Luftës Turke për Pavarësi, të arritur nën udhëheqjen, guximin dhe vizionin e jashtëzakonshëm të themeluesit të Republikës, Mustafa Kemal Ataturk. Vlerat që e bënë të mundur këtë fitore, vendosmëria, uniteti dhe solidariteti, mbeten po aq të rëndësishme në përballjen me sfidat me të cilat po përballemi sot”, tha ai.
Duke theksuar se mjedisi ndërkombëtar i sigurisë dhe arkitektura globale e sigurisë po kalojnë nëpër një transformim të thellë, ambasadori turk tha se në një periudhë të tillë, bashkëpunimi dhe solidariteti i Türkiyes me Shqipërinë, “aleatin tonë të çmuar në NATO dhe partnerin strategjik, janë më të rëndësishëm se kurrë”.
“Shqipëria është një vend kyç për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë dhe më gjerë. Dhe me një perspektivë të fortë të BE-së, pozicionin gjeostrategjik, ekonomi në rritje dhe me investime të reja në industrinë e mbrojtjes, Shqipëria po bëhet edhe më e spikatur në skenën globale. Dhe jemi shumë të lumtur që marrëdhëniet tona dypalëshe me Shqipërinë po përparojnë. Tregtia dhe investimet po rriten, ndërsa bashkëpunimi ynë vazhdon të thellohet në arsim, shëndetësi, energji, infrastrukturë dhe shumë fusha të tjera. Midis tyre, bashkëpunimi në mbrojtje dhe ushtarak spikat”, u shpreh ambasadori Ceyhun.
Duke theksuar se Türkiye dhe Shqipëria ndajnë të njëjtin angazhim për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon, Ceyhun shtoi se Türkiye dhe Shqipëria do të vazhdojnë të punojnë së bashku për një NATO më të fortë, një rajon më të sigurt dhe një të ardhme paqësore.
Një fjalë përshëndetëse mbajti edhe atasheu ushtarak i komanduar i Türkiyes në Shqipëri, major Ali Semih Atalay, i cili theksoi se guximi i treguar në fushat e betejës një shekull më parë është i njëjti që udhëheq Forcat e Armatosura Turke sot.
“Forcat e Armatosura Turke qëndrojnë sot si një nga ushtritë më të afta në botë, duke kombinuar shekuj tradite me forcën e teknologjisë moderne. Me personelin e trajnuar shumë, strukturën e fortë organizative dhe mbështetjen e industrisë së mbrojtjes që përparon me shpejtësi, forcat tona të armatosura janë në gjendje të kryejnë një gamë të gjerë misionesh”, tha Atalay.


















