
Koçiu: Programi “Pas Shkolle” në 408 shkolla, nxitje e krijimtarisë dhe zhvillimit të talenteve
Viti i ri shkollor do të nisë me shkolla më moderne, më të sigurta dhe me më shumë mundësi për nxënësit për të mësuar, krijuar dhe zhvilluar talentet e tyre.

Viti i ri shkollor do të nisë me shkolla më moderne, më të sigurta dhe me më shumë mundësi për nxënësit për të mësuar, krijuar dhe zhvilluar talentet e tyre.
Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, në një postim sot në rrjetet sociale, bëri të ditur se programi “Pas Shkolle” do të zbatohet si një nismë që u ofron nxënësve aktivitete të përshtatura me interesat dhe prirjet e tyre në art, kulturë, krijimtari, aftësi praktike dhe përforcimin e të nxënit.
“Programi ‘Pas Shkolle’ do të zbatohet në 408 shkolla në të gjithë vendin, duke ofruar aktivitete sipas interesave dhe prirjeve të nxënësve në art, kulturë, krijimtari, aftësi praktike dhe përforcim të të nxënit”, deklaroi Koçiu.
Ajo bëri të ditur se, se programi “Pas Shkolle”, konkretisht do të shtrihet në 117 shkolla në DRAP Tiranë, 96 në Korçë, 89 në Fier, 55 në Durrës dhe 51 në Lezhë. Programi synon zhvillimin e aftësive të nxënësve të klasave I-V, të cilët do të kenë mundësi të kryejnë detyrat e shtëpisë për një orë në ditë, nga e hëna në të premte, ndërsa për nxënësit e klasave VI-IX dhe X-XII do të ofrohen klube të artit pamor, muzikës, kërcimit, teatrit, zejeve dhe aktiviteteve të tjera krijuese, dy herë në javë, në dy ditë të ndryshme.
Sipas saj, programi do të angazhojë mësues dhe profesionistë përmes një procesi transparent, të bazuar në formim dhe meritë, me synim garantimin e cilësisë së aktiviteteve.
Programi do të angazhojë fillimisht mësuesit e punësuar, të cilët do të përzgjidhen përmes një procesi transparent nëpërmjet aplikimit elektronik në kategorinë “Mësues për Shqipërinë”.
Në program mund të angazhohen gjithashtu mësues pensionistë, profesionistë të diplomuar në arte, artizanë, mjeshtër të zejeve dhe profesionistë të fushave të ndryshme. Për aktivitetet jashtë orarit të detyruar mësimor është parashikuar edhe mbështetje financiare, me dyfishimin e pagesës në masën 1000 lekë për çdo orë.
“Më shumë kohë për të mësuar, më shumë mundësi për çdo nxënës. Bashkë me më shumë hapësira për fëmijët që rriten me standardet dhe mundësitë e Shqipërisë Europiane”, theksoi Koçiu.
Burimi ATSH



















