
Rama në gjimnazin “Partizani”: Kamerat inteligjente, hap i ri për sigurinë në shkolla
Kryeministri Rama vizitoi sot gjimnazin historik “Partizani”, së bashku me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, ku u njoh nga afër me përgatitjet për vitin e ri mësimor, kushtet e krijuara në shkollë dhe zbatimin e projektit “Smart City”, pjesë e të cilit janë edhe kamerat inteligjente për rritjen e sigurisë në mjediset shkollore.

Përgatitjet për nisjen e vitit të ri shkollor kanë hyrë në fazën përfundimtare në të gjithë shkollat e vendit, ndërkohë që një vëmendje e veçantë i do t’i kushtohet këtë vit, forcimit të sigurisë në shkolla përmes teknologjisë inteligjente.
Kryeministri Rama vizitoi sot gjimnazin historik “Partizani”, së bashku me ministren e Arsimit Mirela Kumbaro, ku u njoh nga afër me përgatitjet për vitin e ri mësimor, kushtet e krijuara në shkollë dhe zbatimin e projektit “Smart City”, pjesë e të cilit janë edhe kamerat inteligjente për rritjen e sigurisë në mjediset shkollore.
Gjimnazi “Partizani”, me një traditë që prej vitit 1964, është rikonstruktuar dhe rinovuar në vitin 2023 dhe sot ofron ambiente e kushte bashkëkohore për rreth 600 nxënës e mësues. Shkolla është ndër 20 institucionet arsimore, ku ka nisur zbatimi i sistemit të kamerave inteligjente, të vendosura në mjediset e përbashkëta.
“Jemi te gjimnazi “Partizani” që është rikonstruktuar dhe rinovuar krejt në 2023-in me gjithë pjesën e palestrës së re. Gjimnaz tashmë historik në zemër të Tiranës që në ’64-ën dhe është një ndër 20 shkollat, disa nëntëvjeçare, disa të mesme, ku kemi instaluar Smart City-n ose kamerat inteligjente. Kjo është një shkollë në të cilën janë rreth 600 nxënës”, u shpreh Kumbaro.
Gjatë vizitës, Kryeministri Rama u njoh me mënyrën e funksionimit të sistemit, i cili mundëson monitorimin në kohë reale të mjediseve të përbashkëta dhe sinjalizimin e situatave që kërkojnë vëmendje.
Pamjet janë të lidhura online me Qendrën Kombëtare të Monitorimit dhe Policinë e Shtetit, ndërsa aksesi në to kryhet sipas një protokolli të përcaktuar, duke përfshirë drejtuesin e shkollës, punonjësin e autorizuar të sigurisë dhe prindërit, në rastet kur kanë nevojë për të parë një situatë të caktuar.
“Jemi shumë të nderuar që i jemi bashkuar projektit “Smart City”. Kemi afërsisht 30 kamera të vendosura, në ambientet e përbashkëta. Në klasat mësimore nuk kemi kamera dhe pjesën tjetër teknike do ta shohim më lart”, u shpreh drejtuesja e këtij gjimnazi.
Kryeministri Rama e cilësoi kalimin nga kamerat tradicionale te një gjeneratë e re kamerash inteligjente si një hap të rëndësishëm për rritjen e sigurisë në shkolla, ndërsa theksoi se sistemi, jo vetëm regjistron pamjet, por sinjalizon në kohë reale situata të caktuara, duke u krijuar drejtuesve të shkollave dhe punonjësve të sigurisë një mjet të rëndësishëm për reagim më të shpejtë.
“Po kalojmë nga një gjeneratë kamerash të vjetra, të cilat ndihmonin deri në njëfarë mase ishin krejtësisht të pamjaftueshme për të ndjekur situatat në kohë reale dhe për të pasur një pamje të qartë të vijës së sjelljes në tërësi në mjedisin e përbashkët, tek një gjeneratë e re e kamerash që i krijon siguri shumë më të madhe shkollës në administrimin e gjithë jetës së brendshme në mjediset e përbashkëta, jo klasa dhe nga ana tjetër i jep prindërve mundësinë që të kenë në kohë reale sa herë që ata duan një pamje të çdo situate, ku është i përfshirë fëmija i tyre”, tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “klasat nuk do kenë kamera. Unë personalisht do doja që të kishte dhe në klasë pasi ne e kemi parë shembullin kur kjo përdoret në klasë se sa shumë ndihmon për rregullin, se sa shumë ndihmon kundër kopjes, se sa shumë ndihmon për ndërveprimin mes fëmijëve, por duke qenë se këtu ka një kufizim të qartë të bërë për sa i përket të vendeve të Bashkimit Europian, ne nuk do luftojmë me këtë kufizim. Në rast se pastaj prindërit do ta duan, do ta kërkojnë një ditë të bukur këtë gjë, do e shohim, por ne nuk kemi këtë qëllim”.
“Domethënë këtu jemi në kushtet kur garantojmë një pamje në kohë reale të të gjithë mjediseve të përbashkëta, ku garantojmë një aleat shumë të fortë të punonjësve të sigurisë dhe të drejtuesve të shkollave sepse me këto kamera në kohë reale mund të shikohet çdo lloj personi që mund të vijë nga jashtë, që mund t’i shpëtojë syrit të punonjësit të sigurisë. Mund të shikohet çdo lloj veprimi që mund të bëhet i dyshimtë, mjediset e shkollës. Është absolutisht e pamundur më që të pish duhan pa u detektuar. Pra ky është një sistem për të cilin ne kemi punuar shumë”, tha Rama.
Sistemi inteligjent është në gjendje të identifikojë dhe të sinjalizojë sjellje të caktuara, duke shërbyer si një mekanizëm parandalues dhe duke ndihmuar stafet e sigurisë, drejtuesit e shkollave, mësuesit, psikologët dhe punonjësit socialë në administrimin e situatave që mund të cenojnë sigurinë në mjediset shkollore.
Kryeministri theksoi se zgjerimi i sistemit synon të sjellë më shumë siguri dhe qetësi për nxënësit, prindërit dhe stafet e shkollave.
“Ne jemi shumë të inkurajuar nga kjo. Janë 20 shkolla, do vazhdojmë t’i shtojmë. Kemi zgjedhur shkollat më të populluara dhe ku ka nevojë edhe për të bërë një lloj raporti mbi këtë projekt që mbas iks muajsh të marrin mbresat e mësuesve, të prindërve etj. Edhe jemi absolutisht të bindur që kjo, pasi të kalojë për disa, se lavdi Zotit, s’i ka ngjitur të gjithëve dhe ky dezinformimi, pasi të kalojë për disa ky momenti i dyshimit, të gjithë do ndjehen shumë më të qetë me dërgimin e fëmijëve nëpër shkolla”, tha Rama.
Në kuadër të masave për forcimin e sigurisë, ministrja e Arsimit Kumbaro bëri të ditur se brenda muajit shtator do të certifikohen edhe rreth 90 oficerë të rinj sigurie në shkolla, të cilët do të bashkëpunojnë me psikologët, punonjësit socialë dhe stafet pedagogjike, duke krijuar një qasje të integruar ndaj sigurisë dhe mirëqenies së nxënësve.
“Kemi të bëjmë me një bashkëpunim të të gjithë elementëve të sigurisë. Brenda shtatorit do të certifikojmë edhe rreth 90 oficerë të rinj sigurie nëpër shkolla. Pra, elementi i oficerit të sigurisë që është një figurë që ka hyrë në vitet e fundit. Figura e psikologut, figura e punonjësit social janë të gjitha figura që ndikojnë edhe në komunikim dhe në stabilitetin psikologjik të adoleshentëve dhe në ndihmë të mësuesve, por edhe në rritjen e parametrave të sigurisë. Të gjitha këto bashkëpunojnë me njëra-tjetrën. Asnjëra nuk e përjashton tjetrën”, u shpreh Kumbaro.
Ndërsa lidhur me prezencën e punonjësve të Policisë së Shtetit, pranë mjediseve të shkollave, ministrja Kumbaro u shpreh se “prej të paktën tre vjetësh në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe ne do të bëjmë dhe një komunikim tjetër bashkë me Policinë e Shtetit dhe me Ministrin e Brendshëm në të gjitha shkollat dhe jo vetëm në Tiranë, ku popullsia është më e madhe, në orën 7:30 të mëngjesit, patrulla do të jetë aty, derisa nxënësit futen nëpër shkolla dhe kur mbaron mësimi gjithashtu. Ajo që ne kemi bërë vitin e kaluar, duke kuptuar që pushimi i madh është një moment, ku nxënësit fillojnë të zbrazin ndoshta pakënaqësitë e tyre, tensionet e tyre, edhe gjatë pushimeve të mëdha patrullat do të jenë në hyrje të shkollave sepse është momenti kur ndërveprimi midis shkollës dhe mjedisit të jashtëm është më i madh”.
Një tjetër masë e ndërmarrë për nisjen e vitit të ri shkollor lidhet me komunikimin me prindërit dhe nxënësit. Dita e parë e shkollës do t’i dedikohet komunikimit dhe njohjes me njëri-tjetrin, me synim që prindërit dhe nxënësit të marrin informacionin dhe shpjegimet e nevojshme drejtpërdrejt në mjediset e shkollës nga drejtuesit dhe mësuesit.
Këtë vit, 42 shkolla dhe terrene sportive të rehabilituara do të hapin dyert për nxënësit në të gjithë vendin, ndërsa projekti i kamerave inteligjente do të vijojë të zgjerohet, me synim shtrirjen e tij gradualisht në shkolla të tjera.
Marrë nga ATSH



















