
Shqipëria, ligj për njohjen dhe ushtrimin e të njëjtit profesion në vendet e BE-së
Ministria e Arsimit ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, zonës ekonomike evropiane dhe konfederatës së Zvicrës, si dhe për vlerësimin e proporcionalitetit të rregullave për aksesin dhe ushtrimin e profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë”.

Ministria e Arsimit ka hedhur për konsultim publik projektligjin “Për njohjen e kualifikimeve profesionale të fituara në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, zonës ekonomike evropiane dhe konfederatës së Zvicrës, si dhe për vlerësimin e proporcionalitetit të rregullave për aksesin dhe ushtrimin e profesioneve të rregulluara në Republikën e Shqipërisë”.
Ky projektligj vjen në kuadër të angazhimeve të Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit vendas me acquis communautaire, si pjesë e detyrimeve të përcaktuara në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit (MSA).
Kjo marrëveshje e detyron Shqipërinë të sigurojë që legjislacioni i saj ekzistues dhe i ardhshëm të jetë gradualisht në përputhje me atë të BE-së dhe të zbatohet në mënyrë efektive.
Ndaj edhe projektligji synon të harmonizojë kuadrin ligjor vendas me parashikimet e Direktivave të Parlamentit Evropian.
Për të garantuar të drejtën e vendosjes dhe lirinë për ofrimin e shërbimeve, të cilat janë thelbësore për funksionimin e tregut të përbashkët sipas Traktatit për Funksionimin e Bashkimit Evropian, acquis communautaire harmonizon rregullat për profesionet e rregulluara, duke mundësuar njohjen reciproke të kualifikimeve profesionale mes vendeve anëtare.
Vendosja e një regjimi të unifikuar për njohjen e kualifikimeve profesionale brenda BE-së, bënë të mundur që individët e kualifikuar në një profesion të rregulluar në një shtet anëtar të kenë të drejtën të ushtrojnë të njëjtin profesion në një shtet tjetër anëtar.
Gjatë procesit të screening mbi përafrimin me Kapitullin 3 të acquis communautaire, si dhe në bazë të raporteve të progresit të Komisionit Evropian, është identifikuar nevoja për të transpozuar plotësisht dy direktiva të KE-së, atë mbi njohjen e kualifikimeve profesionale, si dhe mbi testin e proporcionalitetit.
Në nivel rajonal, Shqipëria ka nënshkruar marrëveshjet për njohjen e kualifikimeve profesionale në profesionet sektoriale, në kuadër të Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA), të cilat synojnë lehtësimin e mobilitetit të profesionistëve.
Gjithashtu, Këshilli i Ministrave ka miratuar një sërë aktesh për përafrimin e kërkesave minimale të formimit për shtatë profesione të rregulluara (mjek, infermier, stomatolog, kirurg veterinar, mami, farmacist dhe arkitekt) në përputhje me Direktivën e KE-së.
Me gjithë hapat e ndërmarrë deri tani, sistemet e njohjes së kualifikimeve profesionale dhe rregullat për zbatimin e testit të proporcionalitetit mbeten ende të pa transpozuara në legjislacionin shqiptar.
Për këtë arsye, ndërhyrja legjislative synon përafrimin e plotë të kuadrit ligjor vendas me ndryshimet më të fundit të Direktivës së KE-së, veçanërisht në raport me profesionet sektoriale, duke siguruar një sistem të njësuar dhe funksional për njohjen e kualifikimeve profesionale.
Po ashtu propozohet harmonizimi me standardet e BE-së, duke krijuar një sistem të unifikuar për njohjen e kualifikimeve profesionale dhe një kuadër të qartë analitik për zbatimin e testit të proporcionalitetit gjatë hartimit të rregullave të reja për profesionet, në përputhje me acquis communautaire.
Projektligji ka si objektiv përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të marrëveshjeve rajonale për njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale në profesionet sektoriale.
Një ndër objektivat e këtij projektligji është lehtësimi i lëvizjes së lirë të profesionistëve brenda territorit të BE-së, duke siguruar njohjen e ndërsjellë të kualifikimeve profesionale që nga momenti i anëtarësimit të Shqipërisë.
Marrë nga ATSH


















