
SASPAC: 118 projekte me rëndësi kombëtare me vlerë investimi 14,8 miliardë euro
Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) ka përditësuar Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare (NSPP), e cila përfshin 118 projekte me një vlerë të parashikuar investimesh prej 14,8 miliardë eurosh.

Agjencia Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës (SASPAC) ka përditësuar Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare (NSPP), e cila përfshin 118 projekte me një vlerë të parashikuar investimesh prej 14,8 miliardë eurosh.
Sipas njoftimit të SASPAC, projektet e përfshira në këtë listë mbështesin prioritetet strategjike të zhvillimit të vendit dhe synojnë të krijojnë një bazë më të qëndrueshme për orientimin dhe planifikimin e investimeve publike.
Konkretisht në këtë listë përfshihen sektori i transportit me 38 projekte, energjia me 27 projekte, sektori social 17, mjedisi 12 dhe digjitalizimi 11 projekte.
Agjencia thekson se programimi strategjik luan një rol të rëndësishëm në procesin e maturimit të projekteve, duke ndihmuar në përgatitjen e tyre dhe në forcimin e kapaciteteve për planifikimin e investimeve me rëndësi kombëtare.
Përditësimi i Listës Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare synon të sigurojë një qasje më të strukturuar në identifikimin, programimin dhe koordinimin e projekteve strategjike, në përputhje me objektivat e zhvillimit të vendit.
Maturimi i projekteve krijon bazë për planifikim më të mirë, investime më të qëndrueshme dhe ndikim më të madh afatgjatë dhe të qëndrueshëm zhvillimi.
SASPAC ka në fokus mbështetjen e procesit të programimit strategjik dhe koordinimit të ndihmës, me në fokus rritjen e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së investimeve publike.
Burimi ATSH



















