
Rama: Pasqyra Albania, qytetarët do të ndjekin në kohë reale punën e shtetit
Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria ka përfunduar përgatitjet për vitin e dytë të mandatit, duke prezantuar disa prej prioriteteve dhe risive që do të shoqërojnë punën e ekzekutivit gjatë sezonit të ri qeverisës.

Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria ka përfunduar përgatitjet për vitin e dytë të mandatit, duke prezantuar disa prej prioriteteve dhe risive që do të shoqërojnë punën e ekzekutivit gjatë sezonit të ri qeverisës.
Në përfundim të mbledhjes së zgjeruar me ministrat e kabinetit qeveritar në Pogradec, Rama tha se gjatë periudhës së përgatitjeve janë konsoliduar disa prej pozicioneve dhe qasjeve të reja të qeverisë, veçanërisht në marrëdhënien shtet-qytetar dhe në forcimin e pranisë së administratës në territor.
Një prej elementëve kryesorë të kësaj qasjeje, sipas Kryeministrit, është koncepti i “Besës”, i cili do të shërbejë si një nga bazat e marrëdhënies së re mes qytetarit dhe shtetit. Rama e përkufizoi “Besën” përmes katër elementëve: Besim, Empati, Shërbim dhe Angazhim.
“Sapo kemi përfunduar maratonën përgatitore të përgatitjeve për sezonin e ri, vitin e dytë të këtij mandati. Kemi përgatitur shumëçka tanimë duke iu dhënë dorën e fundit pasi kemi punuar intesivisht edhe si reflektim i thelluar i asaj që nisi përpara sesa pushimet të ndërprisnin punën intensive të ditës. Dhe kemi konsoliduar disa pozicione, qoftë lidhur me raportin qytetar-shtet dhe shtet-qytetar, këtu kam parasysh qeverisjen ekzekutive, por edhe shumicën parlamentare”, u shpreh Rama, përmes një videomesazhi.
“Kemi konsoliduar pozicionin lidhur me qasjen e re të partisë në territor përmes pranisë besnike dhe kemi po ashtu konsoliduar disa pozicione lidhur me risitë e vitit të dytë në aspektin e programeve të qeverisë të cilat shtrihen nga disa programe të mëdha mbase ai më i spikaturi do të jetë programi i strehimit, për faktin se vjen si një gjë krejt e re, dhe deri tek një sërë programesh të tjera që prekin faktikisht disa sektorë, pa harruar dhe ecurinë e punës që tanimë është puna e projektuar qysh në krye të herës”, shtoi Kryeministri.
Rama theksoi se “BESA” është tanimë një koncept i konsoliduar në themel të pozicionit të parë raporti shtet-qytetar dhe qytetar-shtet.
“BESËN ne e shohim si akronim jo thjesht si fjalën ndër më të vyera të thesarit të kulturës dhe të historisë shqiptare. Një akronim që thotë që thotë Besim, thotë Empati, thotë Shërbim dhe thotë Angazhim”, tha kryeministri Rama.
Në këtë kuadër, ai njoftoi edhe për zhvillimin e një platforme të re, të quajtur “Pasqyra Albania”, e cila synon të shërbejë si një dritare unike për qytetarët për të marrë informacion në kohë reale mbi veprimtarinë e shtetit.
Sipas Ramës, “Pasqyra Albania” do t’i bashkohet dy bazave ekzistuese të marrëdhënies digjitale mes qytetarit dhe shtetit, e-Albania-s dhe Bashkëqeverisjes. Rama tha se platforma do t’u mundësojë qytetarëve të ndjekin në mënyrë transparente statusin e punëve dhe projekteve publike, përfshirë ecurinë e investimeve në territor.
Sipas tij, synimi është që qytetari të jetë i informuar dhe i përgatitur përballë zhvillimeve teknologjike dhe rolit gjithnjë e më të madh të algoritmeve në jetën e përditshme.
“Dhe me këtë togfjalësh kemi përcaktuar edhe hapat që do të ndiqen për ta çuar në një nivel tjetër marrëdhënien, duke pasur parasysh se tani disponojmë dy baza shumë të rëndësishme: bazën teknologjike të marrëdhënies, e-Albania dhe Bashkëqeverisjen, të cilave do t’u shtohet edhe Pasqyra Albania, që do të jetë dritarja e vetme unike ku qytetari do të drejtohet. Do të drejtohet për t’u informuar në kohë reale për gjithçka që qeveria e tij, që shteti i tij, në aspektin gjithmonë sepse në një mendje të dytë, nëse e shohin të arsyeshme dhe kur ta shohin të arsyeshme, edhe komponentët e qeverisjes gjyqësore mund t’i bashkëngjiten asaj dritareje, se është dritare ku secili ka autonominë e vet, për të pasur kontaktin direkt të qytetarit me atë pushtet. Dhe nuk është thjesht vetëm halli, kërkesa e qytetarit që do të konceptohet si një letër apo si një pako që çohet me postë, me DHL, dhe statusi i së cilës ndiqet në kohë reale dhe statusi bart edhe përgjegjësitë e afateve.
Dhe ky është synimi i këtij projekti. Por është edhe e gjithë pjesa tjetër që shkon qeveria tek qytetari, shkon shteti tek qytetari për të mos e lënë të papërgatitur dhe të paarmatosur me argumenta përballë atij ndërmjetësit të padukshëm që ka hyrë në jetët tona, që është algoritmi. Dhe kur them për ta lënë të papërgatitur, këtu nuk flasim për një portal propagandistik, nuk flasim për një portal që do të tregojë se çfarë do bëjmë ne në të ardhmen, se kjo nuk ka lidhje me qëllimin e pasqyrës, por flasim për një pasqyrë ku shteti do të thotë se çfarë po bën. Do të shikosh statusin e një rruge: ku është, kush po e bën, sa pjesë e punës është bërë deri tani, pse po vonohet, kush po e vonon. Do të mund ta ndjekësh, sepse ajo është një punë që bëhet për ty”, tha Rama.
Marrë nga ATSH


















