
Ambasada gjermane: Mbështesim të rinjtë shqiptarë përmes arsimit dhe trajnimeve
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka ndarë sot një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, duke theksuar rëndësinë e rolit të të rinjve në formësimin e së ardhmes.

Ambasada e Gjermanisë në Tiranë ka ndarë sot një mesazh me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Rinisë, duke theksuar rëndësinë e rolit të të rinjve në formësimin e së ardhmes.
Ambasada kujton se 12 gushti festohet si Dita Ndërkombëtare e Rinisë që prej vitit 1999, pas shpalljes së saj nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me synim vëmendjen ndaj çështjeve dhe potencialit të të rinjve në mbarë botën.
Në mesazhin e saj, ambasada gjermane thekson se Gjermania mbështet të rinjtë shqiptarë përmes një game të gjerë mundësish për bursa, të ofruara çdo vit për nxënës, studentë, profesionistë të rinj dhe studiues shqiptarë, në universitete gjermane dhe përmes programeve të trajnimit praktik.
Gjermania, sipas ambasadës, mbështet gjithashtu arsimin profesional në Shqipëri që prej vitit 1999, me fokus të veçantë në Qendrën e Formimit Profesional në Kamzë.
Qëllimi i këtij bashkëpunimi është zhvillimi i një arsimi profesional që i përgjigjet nevojave të tregut të punës dhe krijon më shumë mundësi dhe perspektiva për të rinjtë shqiptarë.
Nëpërmjet Zyrës Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO), Gjermania mbështet gjithashtu nismat për pajtim, shkëmbime dhe forcimin e bashkëpunimit mes të rinjve të Ballkanit Perëndimor.
“Dita Ndërkombëtare e Rinisë” shërben si një moment për të vlerësuar potencialin e të rinjve dhe për të nxitur investimet në arsim, aftësi dhe mundësi të reja për brezin e ri.
Burimi ATSH



















