
Ndryshimet në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, Salla: Garanton siguri juridike për të investuar
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë prezantimit në Kuvend të projektligjit për disa shtesa e ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, theksoi se “këto ndërhyrje janë të nevojshme për ta përshtatur atë me zhvillimet që ka njohur bujqësia moderne”.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, gjatë prezantimit në Kuvend të projektligjit për disa shtesa e ndryshime në ligjin “Për mbrojtjen e tokës bujqësore”, theksoi se “këto ndërhyrje janë të nevojshme për ta përshtatur atë me zhvillimet që ka njohur bujqësia moderne”.
Gjatë fjalës së tij, ministri Salla theksoi se “projektligji nuk ndryshon parimet mbi të cilat është ndërtuar ligji dhe nuk cenon mbrojtjen e tokës bujqësore. Përkundrazi ai plotëson kuadrin ligjor për të njohur dhe rregulluar disa teknologji inovative të prodhimit bujqësor të cilat mundësojnë kultivimin me përdorim më efikas të ujit, të lëndëve ushqyese dhe të burimeve natyrore, duke rritur produktivitetin dhe qëndrueshmërinë e prodhimit bujqësor”.
Por, shtoi ai, synon ta bëjë këtë ligj më funksional, duke e përshtatur me zhvillimet që ka njohur bujqësia gjatë dy dekadave të fundit dhe me sfidat që sektori përballet sot.
Salla vuri në dukje se kur u miratua ligji për mbrojtjen e tokës bujqësore në vitin 2004, realiteti i sektorit ishte krejtësisht ndryshe nga ai që kemi sot.
“Bujqësia zhvillohej pothuajse tërësisht mbi modele tradicionale të prodhimit. Teknologjitë inovative që sot përdoren gjerësisht në shumë vende të Bashkimit Evropian ishin pothuajse të panjohura. Ndërkohë, bujqësia ka evoluar. Sot nuk mjafton vetëm të kultivojmë më shumë sipërfaqe. Sfida është të prodhojmë më shumë, me më pak burime, duke përdorur teknologji që rrisin produktivitetin, kursejnë ujin, reduktojnë përdorimin e inputeve dhe krijojnë më shumë vlerë të shtuar për fermerët”, nënvizoi Salla duke shtuar se kjo është arsyeja pse edhe legjislacioni duhet të ecë në të njëjtin ritëm me zhvillimin e sektorit.
Sipas tij, projektligji krijon një kuadër ligjor më të plotë për zhvillimin e teknologjive inovative në bujqësi, duke u dhënë fermerëve dhe investitorëve siguri juridike për të investuar, por pa cenuar në asnjë moment funksionin kryesor të tokës bujqësore, që mbetet prodhimi bujqësor.
“Ky është ekuilibri që projekti synon të garantojë dhe që përbën filozofinë e tij themelore. Përmes këtyre ndryshimeve, ne nuk po ndryshojmë mënyrën se si mbrohet toka bujqësore. Ne po ndryshojmë mënyrën se si e zhvillojmë aktivitetin bujqësor mbi këtë tokë”, tha ministri.
Një tjetër element, vijoi Salla, me rëndësi është se kjo nismë nuk synon vetëm të modernizojë kuadrin ligjor.
Burimi ATSH



















