Rama: Protesta nisi me Zvërnecin por sot është harruar, algoritmi amplifikon gënjeshtrat

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj në kuadër të aktivitetit “RinCamp 2026”, që po mbahet në Jalë.


Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, zhvilloi një bashkëbisedim me të rinj në kuadër të aktivitetit “RinCamp 2026”, që po mbahet në Jalë. Gjatë diskutimit, ai u pyet te ndikimi i algoritmeve të rrjeteve sociale, dezinformimi dhe protestat e fundit në vend.

Rama u shpreh se algoritmet nuk janë shkaku i protestave, por sipas tij, ato luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen dhe amplifikimin e përmbajtjeve me ngarkesë negative.

Sipas kryeministrit, studime të ndryshme tregojnë se gënjeshtrat, akuzat dhe përmbajtjet skandaloze përhapen më shpejt dhe arrijnë audiencë më të gjerë në rrjetet sociale sesa informacioni i verifikuar.

“E vërteta është se algoritmi ka një rol të madh në përcaktimin e koloritit të jetës tonë për sa kohë e kemi jetën të lidhur me botën virtuale me ekranin e telefonit dhe kjo nuk do të thotë se algoritmi vjen tek ne me idetë e veta ose përcakton arsyen pse ne bëjmë një veprim apo një veprim tjetër, kjo do të thotë se algoritmit është amplifikator i zemërimit, i pakënaqësisë, i çdo gjëje që ka prirej të shkoj drejt skandalit, drejt surprizës për keq. Natyrisht kjo lidhet dhe me natyrën njerëzore, nuk është thjesht çështje e jona është kudo. Është e qartë nga çdo studim që gënjeshtra akuzat, skandalet çdo gjë që shkon në drejtim të amplifikimit të energjisë negative ka një shtrije më te gjerë dhe shumë më te thellë në kanalet sociale sesa e vërteta, lajmi që nuk ka brenda bujë”, tha Rama.

Duke iu referuar protestave, Rama theksoi se ato kanë shkaqe reale që lidhen me problematikat e përditshme të qytetarëve dhe se këto arsye duhen kuptuar e adresuar. Megjithatë, ai shtoi se algoritmet dhe dezinformimi ndikojnë në rritjen e tensionit përmes videove të manipuluara dhe lajmeve të rreme, të cilat, sipas tij, “i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi, por nga njerëzit”.

Kryeministri nënvizoi se çdo protestë mbart mesazhe që duhen analizuar, ndërsa theksoi rëndësinë e dallimit mes motiveve të sinqerta të qytetarëve dhe përpjekjeve për manipulim nga aktorë të tjerë.

“Nuk kam thënë se algoritmi ishte arsyeja e protestës. Është e padiskutimtë që protesta ka arsye që lidhen me të përditshmen e njerëzve dhe ato arsye janë të qenësishme dhe të rëndësishme për tu kuptuar dhe lexuar si duhet, por algoritmi ka impkt të jashtëzakonshëm në amplifikim e zhurmës, negativitetit e të gjithë atyre nxitjeve që vijnë në formën e videove të manipuluara, e lajmeve të gënjeshtrave të cilat japin patjetër karburant ose i hedhin benzinë një zjarri që nuk është ndezur nga algoritmi por nga njerëzit.

“Ashtu sikundër nga ana tjetër është e padiskutueshme që çdo protestë ka brenda një mesazh, ose me shumë se një mesazh, cilado qoftë arsyeja apo cilido qofshin ata që dalin në protestë, protesta mbart mesazhe. Detyra ime është të kuptoj sa më mirë mesazhet që mbart protesta, të kuptoj organizatorët, të kuptoj çfarë ka më shumë se ajo që duket dhe të kem një pamje sa më të qartë të gjithë spektrit të çështjeve apo forcave të angazhuara në protestë. Ashtu si algoritmi nuk është organizator i kësaj protestë, ashtu dhe diçka tjetër që kam vënë në duke forcat e këqija që janë armiqësore apo dashakeqe më Shqipërinë, nuk janë as ato organizatorët apo arsyeja se pse disa njerëz kanë dal në protestë. Duhet të kuptojmë ku mbaron motivi i sinqertë i protestës, ku fillon manipulimi dhe ku fillon në mënyrë të pakuptueshme që ti si njeri i sinqertë në protestë, kthehesh në një vegël i forcave të tjera”, tha Rama.

Duke folur lidhur me projektin në Zvërnec, Rama deklaroi se debati u ndikua nga dezinformimi, teksa shtoi se shteti shqiptar nuk po shet tokë publike. Sipas tij, qeveria mbron interesin publik dhe po negocion që shteti shqiptar të jetë pjesë si pronar në investimin në Sazan.

“Është shumë e rëndësishme që të ndahet pjesa e shkaqeve dhe e problematikave që kërkojnë adresim me pjesën që kërkon informim, pasi siç mund ta keni vënë re protesta nisi me Zvërnecin dhe Zvërneci sot është harruar. Pse është harruar sepse besoj unë se shumë shpejt u kuptua se realiteti i fakteve është i ndryshme nga ajo çka njerëzit kishin perceptuar përmes kanaleve të dizinformimit. Realiteti i fakteve nuk është se qeveria shiti atdheun, shiti Sazanin, shiti Zvërnecin, realiteti i fakteve është krejt i kundërt aty ku qeveria ka përgjegjësi si përfaqësuese e interesit publik dhe si zotëruese administratorët e pronës publike, qeveria jo vetëm që nuk ka bërë shitje, por për shkak se qeveria ka një pozicion me palën tjetër që shteti shqiptar duhet të jetë pjesë si pronar në këtë sipërmarrje nuk kemi akoma një marrëveshje. Kjo është e vërteta”, tha Rama.

Marrë nga ATSH

Lexo më shumë nga

Hoxha me të rinjtë në Jalë: Anëtarësimi në BE kërkon përfshirjen tuaj

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me Kryeministrin Edi Rama morën pjesë në një dialog…

Global 360

I nxehti ekstrem përfshin SHBA-në, mbi 60 milionë njerëz në alarm

Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, temperaturat në shumë zona pritet të kalojnë 38 gradë Celsius, ndërsa lagështia e lartë do…

Diplovista

Rama për ”Corriere della sera”: Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë

Histeria digjitale prodhon një imazh të rremë për Shqipërinë, deklaroi kryeministri Rama për prestigjiozen italiane ”Corriere della sera”.

Gjeopolitika

SPECIALE/ Mbahet në Pekin Simpoziumi i 10-të i Nivelit të Lartë Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore

“Kina dhe vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në një botë në ndryshim: zhvillim i përbashkët, e ardhme e përbashkët”.

OPED

Dita Botërore e Refugjatëve dhe 75-vjetori i Konventës së Gjenevës: Premtimi i njerëzimit që nuk duhet harruar

20 Qershor 2026 - Dita Botërore e Refugjatëve. 28 Korrik 2026 - 75-vjetori i Konventës së vitit 1951 mbi Statusin…

Profil

MILANO 2026 – BBC: Lara Colturi, skiatorja që po bën Shqipërinë krenare

Lara Colturi është vetëm 19 vjeçe, por ajo mund të bëjë historinë olimpike duke u bërë medalistja e parë e…

Masmedia

Hoxha me të rinjtë në Jalë: Anëtarësimi në BE kërkon përfshirjen tuaj

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, së bashku me Kryeministrin Edi Rama morën pjesë në një dialog…