
Përfundojnë punimet për zgjerimin e rrugës së Ksamilit, Karakaçi: Segmenti i parë, i aksesueshëm për qarkullim
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi inspektoi sot punimet për zgjerimin e rrugës së Ksamilit, një projekt që konsiderohet me rëndësi të veçantë në prag dhe gjatë sezonit turistik.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi inspektoi sot punimet për zgjerimin e rrugës së Ksamilit, një projekt që konsiderohet me rëndësi të veçantë në prag dhe gjatë sezonit turistik.
Gjatë inspektimit, Karakaçi u shpreh se projekti parashikon zgjerimin e rrugës deri në hyrje të Ksamilit, ndërsa faza e dytë përfshin ndërtimin e bajpasit pranë Urës së Butrintit, me synim lehtësimin e qarkullimit në një nga zonat më të frekuentuara turistike të vendit.
Sipas ministrit, segmenti i parë është tashmë i aksesueshëm për qarkullimin, ndërsa projekti përfshin edhe ndërtimin e një korsie të dedikuar për biçikletat. Ai theksoi se gjatë zbatimit të punimeve i është kushtuar vëmendje edhe aspektit mjedisor.
Karakaçi bëri të ditur se, pavarësisht sezonit veror, grupet e mirëmbajtjes po punojnë për të garantuar qarkullim sa më normal dhe të sigurt për pushuesit dhe banorët e zonës.
Objektivi, sipas tij, është që sezoni i gushtit ta gjejë segmentin e përfunduar.
Burimi ATSH



















