
Rritja e çmimit të karburanteve, Karakaçi: Po diskutohet subvencionimi i transportit urban
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi bëri të ditur sot se po diskutohet mundësia për të subvencionuar sektorin e transportit urban në kushtet e rritjes së çmimit të karburanteve.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi bëri të ditur sot se po diskutohet mundësia për të subvencionuar sektorin e transportit urban në kushtet e rritjes së çmimit të karburanteve.
Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së qeverisë, Karakaçi informoi se bashkë me ministren e Ekonomisë ka zhvilluar sot një takim me shoqatat e transportit interurban dhe urban.
Ai siguroi se qeveria po e ndjek me shumë kujdes situatën e krizës së çmimit të hidrokarbureve dhe për këtë ka njoftuar edhe disa masa.
“Qeveria ka njoftuar disa plane masash, së pari, me ngritjen e Bordit të Transparencës dhe një nismë tjetër për sa i përket akcizës së naftës, pas një çmimi të caktuar”, tha ai.
Karakaçi solli në vëmendje ndërhyrjen e qeverisë në vitin 2022, ku u morën disa masa për subvencionimin e shoqatave të transportit interurban dhe urban.
“Një element i tillë po diskutohet përsëri, pavarësisht se jemi ende në fillime. Kur e kemi miratuar në vitin 2022 çmimi është rritur shumë më tepër sesa është aktualisht. Por ky hyn tek ato elementë që ne jemi duke i marrë në konsideratë, bashkë edhe me propozime të tjera që na ka bërë Shoqata e Transportit. Do ulemi sërish me ta në ditët në vijim, pasi është nga ata elementë që po e shohim”, tha Karakaçi.
Burimi ATSH



















