
Miratohet kompensimi i transportit për ushtarakët, Nufi: Hap drejt kushteve më dinjitoze
Qeveria miratoi sot vendimin për kompensimin e transportit të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, duke synuar përmirësimin e kushteve financiare dhe përafrimin me standardet e strukturave të tjera ligjzbatuese.

Qeveria miratoi sot vendimin për kompensimin e transportit të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura, duke synuar përmirësimin e kushteve financiare dhe përafrimin me standardet e strukturave të tjera ligjzbatuese.
Gjatë prezantimit të vendimit, ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, theksoi se ky vendim përmirëson kuadrin ekzistues të kompensimit të trajtimit financiar për ushtarakët aktivë.
Sipas ministrit, vendimi vjen si një domosdoshmëri për të harmonizuar legjislacionin me institucionet e tjera të sigurisë.
“Sot miratuam një VKM që lidhet me përcaktimin e kritereve dhe masave të kompensimit të transportit të ushtarakut aktiv të Forcave të Armatosurave. Ky vendim vjen si domosdoshmëri për përshtatjen e legjislacionit në fushën e mbrojtjes në përputhje edhe me forca të tjera siç janë policia apo organe të tjera ligjzbatuese”, tha Nufi.
Nufi shtoi se zbatimi i këtij vendimi do të përkthehet në kushte më dinjitoze për ushtarakët, veçanërisht për ata që shërbejnë jashtë vendit.
“Në zbatim të tij, ky vendim përkthehet në kushte më dinjitoze për ushtarakët tanë, veçanërisht për ushtarakët që na përfaqësojnë në misione të huaja” deklaroi ai, duke theksuar rolin e tyre edhe si përfaqësues diplomatikë të vendit.
Ministri nënvizoi gjithashtu rritjen e pagave në këtë sektor, duke iu referuar të dhënave zyrtare.
“Nga të dhënat e INSTAT, në fund të vitit 2025, rritja më e lartë e pagave është regjistruar në Forcat e Armatosura me 10.6%” tha ai.
Sipas Nufit, objektivi i qeverisë është që deri në vitin 2029 të arrihen nivele të krahasueshme me vendet e NATO-s.
“Jemi në kushte që me këtë projektvendim i afrohemi objektivit tonë që në 2029 të arrijmë mesataren e vendeve anëtare të NATO-s, me një rritje prej 60-70% të nivelit bazë dhe 30-40% për nivelet e larta të komandimit” u shpreh ministri.
Ai theksoi se Shqipëria renditet ndër vendet me paga mesatare më të larta në rajon për këtë sektor.
I pyetur në lidhje me stërvitjen ushtarake të Serbisë pranë kufirit me Kosovën, Nufi theksoi se “Shqipëria politikat e sigurisë i ka në përputhje me aleancën në të cilën bëjmë pjesë, aleanca ushtarake e NATO-s, është aleanca më e fortë në botë”.
“Qytetarët shqiptarë duhet të jenë të sigurtë se e gjithë doktrina jonë dhe e gjithë përgatitja jonë e forcave të Forcave të Armatosura është në përputhje dhe në koordinim të plotë me NATO-n”, shtoi kreu i Mbrojtjes.
“Në këtë pikë siguria e qytetarëve shqiptare por edhe siguria e Kosovës, për sa kohë atje kemi një forcë të mandatuara që është KFOR-i, në përputhje me rezolutat e Kombeve të Bashkuara është e garantuar gjithashtu nga aleanca ushtarake më e fortë në botë”, tha ai.
Marrë nga ATSH


















