
Karakaçi: Ligj i ri për sigurinë e hidrokarbureve, depozita 90-ditore nga agjencia shtetërore
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot se “rrjedhojë e një plani afatgjatë MIE prej 2 vitesh po punon për ligjin e “Rritjes së sigurisë së hidrokarbureve”

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi sot se “rrjedhojë e një plani afatgjatë MIE prej 2 vitesh po punon për ligjin e “Rritjes së sigurisë së hidrokarbureve”, i cili është konsultuar me publikun para disa muajsh dhe tashmë është në fazën përmbyllëse për miratim”.
Në fjalën e tij në takimin e organizuar me furnizuesit e naftës, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, ministri Karakaçi theksoi “ky pr/ligj përmbush plotësisht nevojat e direktivës së BE-së, por edhe nevojat e vendit. Besojmë se brenda 2-3 javëve këtë pr/ligj do ta kemi të miratuar në qeveri.
“Pr/ligj parashikon krijimin e një agjencie të posaçme dhe rezerva nuk do të mbahet më nga subjektet tregtare hidrokarbure, por nga agjencia shtetërore e cila do e depozitojë në depozitat e saj apo të marra me qira duke krijuar një depozitë 90-ditore minimale të produktit në vend për të pasur siguri hidrokarbure të plotë dhe totale”, nënvizoi Karakaçi.
Më tej, ministri Karakaçi u ndal tek elementi i sigurimit dhe pasjes së produktit hidrokarbur në treg.
“Tashmë secilës nga kompanitë hidrokarbure që veprojnë në Shqipëri i është dërguar njoftimi për detyrimin e rezervës hidrokarbure që duhet të mbajë në 2026 që është e përllogaritur në bazë të xhiros ditore të vitit të shkuar, po ashtu grupet në terren të MIE-s janë njoftuar edhe subjektet për të bërë të gjitha verifikimet e nevojshme brenda datës 31 mars. Subjektet e dinë që kanë detyrimin të mbajnë 30 ditë rezervën hidrokarbure në Shqipëri dhe pjesën tjetër të 60 ditëve të kontraktuar me mekanizma të ndryshëm”, tha Karakaçi.
Ky, vijoi ministri, është një proces të cilin Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës e bën në mënyrë shumë të kujdesshme në mënyrë që të jetë gjatë gjithë kohës e siguruar që produkti hidrokarbur të mos mungojë.
“Ne e dimë edhe komunikimi me subjektet hidrokarbure që bllokimi i ngushticës së Hormuzit nuk ka impaktuar qarkullimin hidrokarbur në vendin tonë, pasi kanalet e furnizimit janë me anë të mekanizmave të tjera apo rrugëve të tjetra detare ndërkombëtare të njohura”, tha Karakaçi.
Marrë nga ATSH



















